E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha inspekton një plantacion të mbjellë me shegë në komunën Dajç, në Zadrimë

-  Për ne investimet në zonat rurale janë përparësi absolute

- Në katër vitet që vijnë ne do të bëjmë gjithçka që fermerët të kenë sistemet më moderne të vaditjes

Kryeministri Berisha, pasi përuroi një seri veprash publike në qarkun e Lezhës, inspektoi sot edhe një plantacion të mbjellë me shegë në komunën Dajç, në Zadrimë.

Plantacioni, me një sipërfaqe prej afro 40 hektarë, është në vitin e parë të realizimit të tij dhe është një investim me vlerë 44 milionë lekë, nëpërmjet Fondit të Zhvillimit të Rajoneve, nga ministria e Mjedisit. Në të janë mbjellë gjithsej 15 800 fidanë, të cilat janë të gjitha fidanë të varieteteve të prodhuara në vend, “Tivareshe” dhe “Devedishe”. Ky është blloku më i madh i mbjellë deri më sot me shegë në vendin tonë, i cili është në konformitet të plotë me programin kombëtar të drurëve arrorë dhe shegës. 

Perspektiva e zhvillimit të mbjelljeve të reja me shegë në këtë zonë  kalon mbi 250 - 300 hektarë, duke bërë të mundur krijimin e bllokut më të madh në Ballkan me shegë të kultivuar. Kjo është e parashikuar në studimet e ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit.

Kryeministri Berisha e përgëzoi sipërmarrësin për këtë projekt, i cili ka të punësuar 20 punëtorë.

“Ne, - tha Kryeministri, - pak ditë më parë kemi lëvruar gjysmë milionë dollarë të tjerë për kultivimin e shegëve. Kjo është rruga e rritjes së prodhimit, rruga e rritjes së të ardhurave, rruga e krijimit të sipërmarrjeve të fuqishme bujqësore dhe rruga e punësimit”.

Më tej, Kryeministri Berisha u shpreh se atë çka kjo qeveri ka bërë në këto 8 vite duke ndërtuar infrastrukturën rrugore, në mandatin e ardhshëm do ta bëjë me vaditjen. “Ne, - tha Kryeministri, -  do të bëjmë gjithçka që ju të keni sistemet më moderne të vaditjes. Ne do të bëjmë gjithçka që ju çdo pëllëmbë tokë ta bëni të prodhojë, të prodhojë për ju, për mirëqenien tuaj”.

Pasi vizitës në plantacion, Kryeministri Berisha u shpreh për mediat:

Ishte kënaqësi, erdha dhe inspektova rrugën Dajç – Dragushë, e cila brenda dy muajve do të asfaltohet. Ne do të asfaltojmë çdo rrugë të kësaj zonë.

Unë erdha këtu dhe vizitova plantacionin më të madh të mbjellë me shegë në Shqipëri. Edhe kjo është një gjë shumë pozitive. Sipërmarrësi më tha se ka punësuar 20 punëtorë në këtë plantacion prej rreth 40 hektarë.

Kryetari i komunës tuaj më paraqiti kërkesa të tjera për rrugë të reja dhe veçanërisht për kullimin. Unë ju jap fjalën se për ne investimet në zonat rurale janë përparësi absolute. Ne do të bëjmë gjithçka që ju, kudo që jetoni, të keni rrugë të njëjta me lagjet e qyteteve, të keni shkolla të njëjta me lagjet e qyteteve. Ne nuk i ndajmë qytetarët në të dorës së parë apo të dorës së dytë. Për ne ata janë të barabartë. Ne do të bëjmë gjithçka që ju të keni shërbimet më të mira. Vetë infrastruktura ua lehtëson shumë këtë, sepse bën të mundur që ju të kapni në kohën më të shkurtër spitalet më të mira, shërbimet më të mira. Pra edhe kjo ka ndikimin e vetë.

Sikundër, ne do të trefishojmë grantet për ju. Në qoftë se gjatë viteve që shkuan ne akorduam rreth 55 milionë dollarë, gjatë 4 viteve që vijnë ne do të akordojmë tre herë më shumë fonde. Ju siguroj se kjo nuk është as gjysma e atyre që do të akordohen, sepse pjesa tjetër, shumë e madhe, do të akordohet nga marrja e statusit të vendit kandidat. Sapo Shqipëria të marrë statusin, ju do të përfitoni nga fondet e mëdha të Brukselit për zhvillimin rural. Ne kemi bërë gjithçka dhe do ta marrim.

Sikundër, ju e dëgjuat në mbledhjen e fundit dhe unë do ta nënshkruaj menjëherë, ne anuluam ligjin që ua hiqte juve TVSH-në, sepse fermerët thanë se këtë nuk e gëzojmë ne, por e gëzojnë tregtarët. Ne atë e nisëm për ju dhe do t’ua japim para në dorë. Ne do t’ua rimbursojmë edhe naftën, edhe plehrat kimike, edhe farërat, ato që ju përdorni për prodhim. Edhe ky është një lehtësim.

Ndërkohë, këtë që ne po bëjmë dhe kemi bërë me rrugët këto vite, në katër vitet që vijnë do ta bëjmë me vaditjen. Ne do të bëjmë gjithçka që ju të keni sistemet më moderne të vaditjes. Ne do të bëjmë gjithçka që çdo pëllëmbë tokë ta bëni të prodhojë, të prodhojë për ju, për mirëqenien tuaj. Kjo kodër ka qenë djerrë, më së shumti kullotë dhe këtu tani është ndërtuar plantacioni më i madh i shegëve në Shqipëri. Po sa kodra të tilla kemi ne.

Ndaj 23 qershorin le ta shndërrojmë ne në festën e madhe të demokracisë.

Krahu tjetër është vetëm mashtrim. Kjo është e vërteta si drita e diellit, T’ju jap një shembull, e keni parë ju kur shkon nëpër takime dhe u thotë: për këta votojnë vetëm të varfrit. Zotëri, hajde njëherë në Zadrimë ti dhe shiko se kush voton për ne. Këta janë njerëz punëtorë, por të varfër nuk janë. Këta janë shumë punëtorë dhe historikisht kanë qenë ndër shqiptarët më punëtorë. Por edhe të varfrit po të na votojnë është një nder shumë i madh, sepse na votojmë me besimin dhe me shpresën se gjendja e tyre do të ndryshojë. Absolutisht, ne bëjmë gjithçka që gjendja e tyre të ndryshojë.

Ndaj të vazhdojmë të mbledhim çdo votë, të bëjmë që çdo votë të jetë për koalicionin tonë dhe më 23 qershor Lezha të jetë në krye të fitores.”


29/04/2013

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›