E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha inauguron në Durrës rikonstruksionin e rrugës Shen Vlash – Kryqëzimi Fllake – Katundi i Ri, me vlerë 237 milionë lekë

Kryeministri Berisha mori pjesë sot në inaugurimin e rikonstruksionit të rrugës Shen Vlash – Kryqëzimi Fllake – Katundi i Ri, në Durrës. Kjo rrugë ka një gjatësi 9.3  km, gjerësia e asfaltit është 5-6 m dhe kap vlerën e investimit prej rreth 237 milionë lekë. Kjo rrugë ju vjen në ndihmë 12.000 banorëve dhe lidh  komunat Rrashbull, Katund i Ri e Xhafzotaj me njëra-tjetrën, me Autostradën Durrës-Tiranë si dhe me Bashkinë Durrës. Kjo rrugë është financuar nga Qeveria Shqiptare, BERZH dhe BEI.

Sëbashku me rrugën Xhafzotaj - Bregdet, rrugë e cila ka përfunduar së rikonstruktuari pak kohë më parë, përfundohet rrjeti rrugor i një prej zonave me popullsinë më të dendur të Qarkut të Durrësit.

Gjendja e rrugës ekzistuese ka qenë shumë e keqe, duke u bërë pengesë për transportin normal të njerëzve dhe mallrave. Kjo zonë me prodhimtari të lartë bujqësore, blegtorale dhe industriale, pas përfundimit të rrugës do të shtojë ndjeshëm mundësitë e punësimit të banorëve duke ofruar mundësi reale për përmirësimin e jetës së tyre. Rruga e re fillon në tregun e makinave të fshatit Shën Vlash  dhe përfundon në fshatin Katund Sukth të Komunës Katund i Ri.

Në pjesën urbane, rruga ka një gjerësi asfalti prej 6 m nga 3.5 që ka qenë më parë. Ajo është e pajisur me trotuare në të dy krahët, ndriçim publik si dhe me të gjithë elementët e nevojshëm të infrastrukturës, përfshirë sinjalistikën vertikale dhe horizontale, mbrojtëset anësore në vendet e rrezikshme, kanalizimet e ujërave të bardha,  vepra arti etj. Në pjesën tjetër të rrugës, gjerësia e rrugës është 5 m me bankina anësore prej 0.5 m nga të dy anët e saj.

Pas inaugurimit të kësaj rruge, Kryeministri Berisha shprehu përshëndetjet më të përzemërta dhe mirënjohje më të pakufishme ndaj banorëve të këtyre komunave për mbështetjen e jashtëzakonshme, që i kanë dhënë dhe i japin Partisë Demokratike. Rikonstruksioni i kësaj rruge, - tha Kryeministri Berisha, do tu shërbejë mbi 12 mijë banorëve të këtyre komunave, ndaj ai u premtoi kryetarëve të këtyre komunave se qeveria do të mbështesë çdo projekt, për një urbanizim të shkëlqyer të këtyre zonave, për të bërë që banorët e këtyre zonave të kenë infrastrukturë të njëjtë me ato të lagjeve të qyteteve.

Duke u ndalur tek zgjedhjet, Kryeministri Berisha tha se po shkohet drejt zgjedhjeve të reja dhe secili prej tyre, të gjithë ata të cilët mbështetën Partinë Demokratike ndihen krenarë se këto katër vite, programi i PD ishte programi i ndryshimeve të mëdha në historinë e vendit. 

Gjatë fjalës së tij, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Të dashur banorë të komunave Rrashbull, Katund i Ri e Xhafzotaj,

vëllezër dhe motra,

Përshëndetjeje më të përzemërta, mirënjohje më të pakufishme ndaj jush, grave dhe burrave të këtyre komunave, vajzave dhe djemve për mbështetjen e jashtëzakonshme, që i keni dhënë dhe i jepni Partisë Demokratike. Sot unë shpreh kënaqësinë time se inauguruam sëbashku një rrugë shumë të bukur prej 9.3 kilometrash, rrugë  që përbën një investim prej 236 milion lekë dhe ju shërben mbi 12 mijë banorëve të këtyre komunave.

Unë jam këtu para jush për tu premtuar kryetarëve tuaj, për tu dhënë fjalën se qeveria do të mbështesë çdo projekt, për një urbanizim të shkëlqyer të këtyre zonave, për të bërë që ju banorët e këtyre zonave, që keni ndërtuar këtu vilat ndër më të bukurat në Shqipëri dhe më gjërë, të keni infrastrukturë të njëjtë me ato të lagjeve të qyteteve tona.

Ne do të bëjmë gjithçka të mbështesim fermeret,  të mbështesim bizneset në këto zona, do të bëjmë gjithçka të nxisim punësimin gjithnjë e më të madh, të shfrytëzojmë potencialet e jashtëzakonshme turistike të brigjeve të këtyre komunave. Në një hark kohor të shkurten, ne këtu kemi bërë sëbashku një seri inaugurimesh, por më të rëndësishmin, impiantin e përpunimit të ujërave të zeza, në mënyrë që ujërat e brigjeve të Durrësit të jenë ndër më të pastrat në Europë.

Ne sëbashku po shkojmë drejt zgjedhjeve të reja, secili prej jush, të gjithë ata të cilët mbështetën Partinë Demokratike ndihen krenarë se këto katër vite, programi i saj ishte programi i ndryshimeve të mëdha në historinë e vendit.  Programi që ju mbështetët, ishte programi që bëri të mundur me reformat dhe zbatimin e tyre heqjen e vizave dhe lëvizjen e  lirë të qytetarëve shqiptarë. Këto katër vite ishin vitet e ndryshimit të madh, sepse ne ndërtuam dhe rindërtuam në mbarë vendin mbi 8 mijë kilometra rrugë rurale. Këto ditë zoti Rama i tmerruar nga këto ndërtime deklaroi në Shkodër se ato janë gjithsej 600 kilometra. Ja ku jam unë këtu, le ta ftoj atë të vijë apo të lexoje në Facebook tim nga data  1 prill deri me datën 20 qershor, do të inaugurojmë jo më pak se 400 kilometra rrugë të reja.

Pas kësaj, po për rrugët që i ka tmerr dhe ferr, deklaroi në Tiranë se ato nuk janë gjithsej 600 kilometra, por janë gjithsej 1500 kilometra. Jam sot para jush ta ftoj zotin Rama, hajde pas meje të të tregoj 1500 kilometra në ndërtim e sipër nga Konispoli deri në Vermosh.

Këto katër vite ishin vitet e ndryshimeve më të mëdha të Shqipërisë. Në mbarë vendin ne ndërtuam dhe rindërtuam mbi 1300 shkolla të reja. Në mbarë vendin, ne ndërtuam dhe rindërtuam qindra sisteme ujësjellësish e kanalizimesh. Me programin e Partisë Demokratike ne garantuam rritjen ekonomike.

Vëllezër dhe motra

Që të gjithë ju dëgjoni lajme, që të gjithë ju konstatoni se një krizë e thellë ka pllakosur vendet për rreth, por gjithashtu dëgjoni dhe konstatoni çdo javë, se të gjitha institucionet më serioze të botës deklarojnë se Shqipëria i rezistoi kësaj krize, se Shqipëria jo vetëm që nuk pati recension, por ruajti rritjen ekonomike, se Shqipëria jo vetëm nuk pati rritje të papunësisë, por pati një ulje të saj. Të gjitha këto janë meritë e përbashkët, së pari e juaj grave dhe burrave punëtor të Durrësit dhe mbarë Shqipërisë, por absolutisht e reformave dhe programit që ju mbështetët, sepse ato mbrojtën Shqipërinë nga kriza.

Në matematikën e  tij të lashtë, të kohë së Ramiz Alisë,  del në mënyrë në të papërgjegjshme dhe thotë se në Shqipëri janë 1 milion të papunë. Harron se për çdo vend, për çdo komb ka një llogari për krahun e punës dhe forcën punëtore, harron se në statistikën botërore, forca punëtore  e  Shqipërisë është 1 milion e 80 mijë vetë.

Sipas tij, këto shtëpi mbinë vetë, nuk i ndërtoi njëri, këto ara punohen vete nuk i punon njëri, këto biznese, këto rrugë shtrohen vete, nuk i shtron njëri, këto shkolla vete ndërtohen. Përçartje të tilla janë jashtëzakonisht të padenja dhe primitive. Sigurisht që në Shqipëri ka papunësi, sepse kur dy fqinjët tanë kryesore përjetojnë vështirësitë më të mëdha, nuk na diskutim që kriza e tyre pasqyrohet edhe tek ne, por e vërteta është se me gjithë këtë, vetëm dhjetë ditë më parë Komisioni Evropian duke shqyrtuar çdo  statistikë konkludonte se në Shqipëri pati ulje të papunësisë prej 0.5 përqind në tërësi dhe prej 6.6 përqind në qytete në veçanti.

Pra, jo vetëm shpëtuam dhjetëra mijëra vende pune pa u shkatërruar, por ia dolëm të krijohen mijëra  e mijëra vende pune të reja.

Në këto vite me reforma të thella ne sëbashku bëmë që Shqipëri të meritojë statusin e vendit kandidat. Në tetor të vitit 2012, Komisioni Europian i rekomandoi Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropianë, për Shqipërinë statusin e vendit kandidat, me kusht që parlamenti shqiptarë, të votonte tre ligje që prisnin aty që nga fillimi i vitit 1012.

Zoti Edi Rama, në një akt hakmarrës primitiv, në një qëndrim të papërgjegjshëm  ndaj çdo qytetari demokrat, socialist, apo të pa parti, ndaj çdo të riu apo të reja, që nga tetori i viti 2012 deri më sot, mban peng tre ligje, për tu treguar shqiptarëve se çfarë është i aftë të bëjë me zemërligësinë e tij.  Sot e dëgjoja të derdhte lot krokodili për pensionet e emigrantëve.  A e dini vëllezër pse nuk ju jepen  pensionet emigrantëve, sepse Shqipëria nuk ka statusin e vendit kandidat, sepse nga momenti që Shqipëria merr statusin e vendit kandidat, të gjitha vendet janë të detyruar t’ju njohin shqiptarëve vitet e punës kudo që  ata i kanë kryer.

Zoti Rama ka krijuar në botën e  tij Shqipërinë  e gënjeshtërt. Shqipërinë që eksiton vetëm në mendjen e tij.  Shqipërinë që bazohet kryekëput në trillime dhe mashtrime. Dje ju deklaronte vlonjatëve se jeni kthyer si ne kohën e  Selam Musait, vetëm sa nuk ju tha merrni gunat dhe i hidhni mbi topa. Atë nuk ia mban, se i ka të gjitha vetitë, por njërën e ka më të keqen është frikacak deri në palcë.

Vëllezër dhe motra

Këto katër vite ne jemi marrë dhe do të merremi gjithmonë me problemet e qytetarëve, me rrugët, me shkollat, me kanalizimet, me rrogat, me pensionet, me vaditjen, me kullimin. Jemi marrë dhe merremi me mbështetjen e  biznesit, jemi marrë dhe do të merremi me nxitjen e fermerëve, jemi marrë dhe do të merremi me cilësinë e kujdesit shëndetësor, cilësinë e arsimit. Me se janë marrë shokët tanë socialist? Lumenj deklaratash, shpifjesh, trillimesh , protestash, mashtrimesh. Në këtë aspekt ata janë më të pasurit, por në qoftë se kanë lumenj shpifjesh, trillimesh, mashtrimesh, protestash, bojkotesh, atyre ju mungon një gjë, ato nuk kanë lider. Lideri i tyre ka dhuntinë për të kaluar nga disfata në disfatë. Le të dalë një socialist, i vetëm dhe të thotë para shqiptarëve, cilën fitore regjistroi Edi Rama katër vite më radhë, qoftë edhe një të vetme, absolutisht asnjë, as ka regjistruar dhe as nuk mund të regjistrojë, sepse ai nuk ka asnjë interes tjetër, përveç interesave të tij, të cilat përpiqet ti plotësojë ato me dhunë, me dru, me mashtrime  dhe që kurrë nuk ka për ti realizuar dot.

Së fundmi, këto dy muaj që na ndajnë nga dita e zgjedhjeve, le ti shndërrojmë ne në festën e demokracisë, le të bashkohemi ne për një fitore të thellë të 23 qershorit, në mënyrë që programi i ri i ardhshëm, i katër viteve që vijnë, të jetë programi i Shqipërisë së zhvilluar, të jetë programi i punësimit masiv të shqiptarëve, të jetë programi i Shqipërisë me statusin e vendit kandidat, të jetë programi i Shqipërisë me hapjen e negociatave për anëtare në Bashkimin Evropian, të jetë programi i rritjes, mirëqenies në mbarë familjet shqiptare. Të jetë programi i rritjes së madhe të cilësisë së shërbimeve, të jetë programi i ndarjes përfundimtare nga një aleancë, e cila e nisi me fundërrina dhe përfundoi me hala dhe ngjala. Le ti lëmë ne ata të ziejnë në kazanin e tyre, kurse ne të bashkohemi për një Shqipëri të zhvilluar, të bashkohemi për punësim, të bashkohemi për mirëqenie, të bashkohemi për integrimin tonë në Bashkimin Evropiane.

Përpara, Përpara, Përpara!”


28/04/2013

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›