E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha përuron rrugën Superstradë-Kodhel–Dajc-Blinisht, me vlerë 218 milion lekë

-          Ne ecim të sigurt drejt 23 qershorit sepse kemi hartuar së bashku me ju, vizionin më të shkëlqyer për 4 vitet që vijnë, vizionin e Shqipërisë së zhvilluar, vizionin  e punësimit masiv të shqiptarëve, vizionin e rritjes së të ardhurave dhe të mirëqenies, vizionin e integrimit.

Kryeministri Berisha e vijoi vizitën e tij në Lezhë me inaugurimin  e rikonstruksionit të rrugës Superstradë-Kodhel–Dajc-Blinisht, me gjatësi 8,4 km dhe vlerë investimi 218 milion lekë, e cila lidh dy komunat Dajc e Blinisht, jo vetëm me njëra tjetrën, por dhe me superstradën Lezhë – Shkodër.

Rruga, nga e cila përfitojnë 12 mijë banorë përfaqëson një infrastrukturë moderne e dinjitoze sipas të gjitha standardeve europiane. Ajo do të vijë në ndihmë të fermerëve të zonës të njohur për prodhimet bujqësore, vreshtarinë, ullishtat, prodhimin e verës, vajit, etj për të nxjerrë më lehtë dhe më shpejt këto prodhime në treg.

Ky investim në infrastrukturë u bashkangjitet 500 km rrugë që janë ndërtuar e rindërtuar gjatë këtyre viteve, në qarkun e lezhës, nga të cilat 130 km rruge kombetare, 134km rruge rajonale si dhe 236 km rruge rurale ne komuna e bashki. Ndër të tjera në këtë qark jane ndertuar e rindertuar 84 shkolla, 34 ujesjellesa e KUZ, 47 qendra shendetsore  e ambulance, si dhe jane subvencionuar mbi 700 hektare ne pemtari, ullinj, vreshta e bime are.

Kryeministri shprehu kënaqësinë që ishte mes banorëve të Blinishtit në një ditë të gëzuar për ta, ditën e inaugurimit të rrugës, e cila do të bëjë të mundur shfrytëzimin e potencialeve të mëdha turistike dhe të gjithanshme të Zadrimës.

Duke iu përgjigjur mesazhit të një emigranti, nga fshati Baqel i Lezhës, banues në Vareze të Italisë, kryeministri premtoi se do të jetë shumë  e afërt dita kur infrastruktura e fshatrave shqiptare të jetë e njëjtë në parametra dhe standarde me vendet evropiane.

Duke theksuar rëndësinë e jashtëzakonshme të zgjedhjeve të 23 qershorit për të gjithë shqiptarët, kryeministri ftoi qytetarët lezhjanë, si dhe emigrantët e këtij qyteti, kudo që ndodhen nëpër botë, të vinë për të votuar dhe ti japin mbështetjen  e tyre  Lezhës dhe Shqipërisë më 23 qershor.

 Në fjalën e tij, kryeministri Berisha u shpreh:

 “Të dashur banorë të Blinishtit, përshëndetjet e mia më të përzemërta, mirënjohjen time më të madhe, nderimin tim më të thellë për mbështetjen tuaj, por dhe kënaqësinë time që inaugurojmë së bashku një rrugë shumë të bukur që lidh Dajçin, Blinishtin me superstradën, një rrugë  e cila ndihmon fermerët e mrekullueshëm të kësaj zone, një rrugë  e cila bën të mundur shfrytëzimin e potencialeve të mëdha turistike dhe të gjithanshme të Zadrimës, të këtyre burrave dhe grave punëtorë të njohur për traditat më të shkëlqyera në të gjitha trevat shqiptare.

Vëllezër e motra,

Për ne, ndryshimi jetës suaj, lehtësimi i jetës suaj, përmirësimi i shërbimeve ndaj jush janë qëllimet më madhore. Ne bëjmë gjithçka këto vite për të bërë që ju qytetarët shqiptarë kudo që jetoni në fshatra apo në qytete të keni infrastrukturë të njëjtë, të keni rrugë të njëjta, të keni shkolla të njëjta, qendra shëndetësore moderne, ujësjellës dhe kanalizime. Ky projekt ndofta 6 vjet më parë ishte jashtë çdo realiteti. Shumë të paktë ishin ata që besonin se mund të ecej në këtë projekt. Paraardhësit tanë në pushtet kishin shpallur zona të asgjësë, zona të cilat s’duhet të investohen, 2 të tretat e Shqipërisë. Për ne, respekti për qytetarët , dashuria për të, respekti për vendin, bindja në potencialet e tij kudo na bërë që të angazhohemi për ti dhënë Shqipërisë infrastrukturën e vendeve të zhvilluara.

Në një hark kohor 6 vjeçar nga 2006 në 2012 dhe këto pak muaj, në Shqipëri ne kemi asfaltuar, kemi ndërtuar dhe rindërtuar mbi 10 mijë km rrugë. Në zonat  e saj rurale, në komunat, fshatrat, rajonet saj ne kemi asfaltuar, ndërtuar e rindërtuar mbi 8 mijë km rrugë. Vetëm në qarkun e Lezhës nga Kthella në Urak, nga Blinishti në Fushë Krujë, ne kemi ndërtuar dhe rindërtuar rreth 500 km rrugë.

Zoti Kryetar, kam një amanet, populli thotë nuk e tret dheu. Do ta them këtu. Po lexoj para jush një mesazh, në të cilin thuhet: Mirëmbrëma zoti Berisha: Unë që po ju shkruaj quhem Roland Zekaj, lindur në Baqel, Lezhe dhe banim në Vareze Itali. Të përgëzoj për të gjitha ato gjëra që ke bërë në Shqipëri. Dëgjova se nesër je në Gjadër për të përuruar shkollën dhe një rrugë të shtruar. Të lutem bëj një xhiro deri në fshatin tim, ku për 2 km rrugë bashkëfshatarët vuajnë se rruga nuk është e mirë.”

Unë para jush do ti jap fjalën Rolandit dhe të gjithë miqve të tij kudo që janë , në Itali, në Greqi dhe në çdo vend të botës se ne do të bëjmë gjithçka që fshatrat e tyre, vendet ku ata banojnë të kenë infrastrukturë që kanë aty ku ata banojnë aktualisht, sepse kjo është rruga e zhvillimit, kjo është rruga  e ndërtimit të një Shqipërie, vend i zhvilluar.

Ndaj dhe ne që asfaltuam në fshatra dhe zonat rurale mbi 8 mijë km, ne do të asfaltojmë çdo kilometër, rrugë kudo që banojnë shqiptarët. Ne do të bëjmë gjithçka të ndërtojmë dhe rindërtojmë çdo shkollë. Këtu në qarkun e Lezhës kemi ndërtuar dhe rindërtuar 84 shkolla. Zotimi im para qytetarëve të këtij qarku se do të ndërtojmë dhe rindërtojmë çdo shkollë, dhe se fëmijët e tyre do të shkollohen njëlloj, si në shkollën e qytetit të Lezhës, si në shkollën e qytetit të Tiranës, Durrësit, Shkodrës, pas asnjë dallim në laboratorë dhe mjete mësimore.

Këto vite ne bëmë gjithçka për të mbështetur suksesin  e inisiativës së lirë të qytetarëve. Në qytete janë dyfishuar bizneset, por ne me grante dhe kredi mbështetëm rreth 42 mijë fermerë, projektet e tyre. Vetëm në qarkun e Lezhës janë subvencionuar 700 ha vreshat , ullishte dhe dru të tjerë frutorë. Këto dy vitet  e fundit, kjo zonë e cila është djepi natyral i shegës, por ecën me shpejtësi drejt plantacioneve të saj dhe unë jam i bindur se në një hark kohor të shkurtër, Dajci, Blinishti , kjo zonë do të kenë plantacionet më të mëdha në Ballkan të shegëve dhe të cilësisë më të lartë dhe qeveria do të subvencionojë.

Vëllezër dhe motra,

Në këto vite ne bëmë gjithçka për të ndryshuar gjendjen ekonomike të qytetarëve tanë. Ju jeni dëshmitarë që ne dyfishuam pensionet në fshat dhe të paktë ishin ata që besonin se kjo do të ndodhte, por kjo sot është realitet. Ju garantoj se pensionet do të vazhdojnë të rriten për sa kohë ju na votoni ne. Ju garantoj se rrogat do vazhdojnë të rriten për sa kohë qeveria e PD vjen në pushtet. Gjatë këtyre viteve ne bëmë gjithçka për ëndrrën tuaj evropiane, ëndërr fisnike për të cilën sakrifikuan shumë paraardhësit tanë.

Me reformat tona dhe mbështetjen tuaj ne ia dolëm të heqim vizat. Prindërit e Rolandit shkojnë pa viza tek Rolandi. Shqiptarët lëvizin të lirë nëpër Evrope, por me reformat ne ia dolëm të meritojmë statusin e  vendit kandidat. Në tetor të vitit që kaloi Komisioni Evropian konkludoi se Shqipëria meriton statusin  e vendit kandidat, por ajo duhet të votojë tre ligje të cilat kishin 6 muaj që ndodheshin në parlament. Ato presin 23 qershorin, presin votën tuaj, në mënyrë që të  shembin njëherë e mirë atë mur të ngritur në mënyrën më të padrejtë, më të pandershme në rrugën tonë drejt Evropës.

Këto vite për Evropën dhe botën qenë vite të vështira, vite e krizës ,më të madhe që ka njohur në 80 vitet  e fundit. E vërteta është se ekonomia shqiptare ishte nga më të paktat që i rezistoi krizës dhe nuk ra në recension dhe kjo ishte falë punës suaj vetëmohuese, djersës suaj dhe reformave të kësaj qeverie, të cilat bënë të mundur të mbrohet ekonomia, bënë të mundur krijimin  e vendeve të punës, bënë të mundur që 4 vitet e fundit në Shqipëri vetëm investime të huaja direkte te thithen 4,2 milion dollarë.Këto reforma bënë të mundur që eksportet në Shqipëri nga viti 2009 deri në vitin 2011 të dyfishohen, këto reforma bënë të mundur që një pjesë e mirë  e prodhimeve bujqësorë të dyfishojnë dhe të trefishojnë eksportet  e tyre. Këto reforma bënë të mundur që Shqipëria të renditet krahas disa vendeve më të zhvilluara për jetëgjatësinë mesatare, për vdekshmërinë në lindje, për vdekshmërinë amtare, për vdekshmërinë  e përgjithshme.

Kjo është rruga, rrugë e vështirë, rrugë me djersë, por rrugë e ndershme. Ne ecim drejt 23 qershorit të sigurtë në rrugën tonë , të sigurtë jo vetëm se ne në mbarë vendin, nga Jugu në Veri, nga Perëndimi ne Lindje, ia kemi dalë të firmosim ndryshimin, ndryshimin e madh, por sepse ne kemi hartuar së bashku me ju, vizionin më të shkëlqyer për 4 vitet që vijnë, vizionin e Shqipërisë së zhvilluar, vizionin  e punësimit masiv të shqiptarëve, vizionin e rritjes së të ardhurave dhe të mirëqenies, vizionin e integrimit.

Ne shkojmë të sigurtë drejt fitores sepse kemi sot Aleancën më të gjerë në historinë  e vendit, aleancën më të vërtet në historinë  vendit.

Vëllezër dhe motra,

Qendra dhe e djathta shqiptare u bashkuan rreth atyre parimeve, të cilat kanë bërë që ky vend të dalë nga honet  e mjerimit në horizontet e zhvillimit. Qendra dhe e djathta besojnë tek liritë tuaja, besojnë tek përkushtimi juaj, besojnë se duke ju ndihmuar ju, ju ndërtoni vetë mëkëmbjen lumturinë tuaj dhe të familjeve tuaja. Ndërtoni Blinishtin , Gjadrin , Lezhën dhe mbarë Shqipërinë.

Aleanca tjetër cila është, më falni të shkojmë para ngjalave njeherë. Në qoftë se unë Sali Berisha këtu ndonjëherë do shqiptoja: Fundërrina bashkohuni kundër meje, si do ju dukej ju, a do ju dukej si ndonjë fjalë që nuk duhej ta thoja asnjëherë? Po ja që nuk e thashë unë. Për javë të tëra, hapën shtypin dhe mediat e tyre me moton ”Qelbësira bashkohemi për të rrëzuar Berishën” lexoni mediat e tyre, nuk e kam thënë unë këtë, por ideologët më kryesorë të tyre dhe pastaj pasi u bashkuan me të gjithë ato që kanë u ngelën halat e Lalëzit. Unë ia thashë atij , dhe po ja them edhe njëherë para jush se një nga një, do ia ngec në fyt halat atij. Aleanca jonë është aleanca e vërtetë. Ai rrjeshton emra, 4 parti komuniste, 3 parti “serial killer dhe  hajdutësh. Ju lutem shikoni listën nga 35 parti që ka në listë, 25 nuk kanë qenë kurrë në zgjedhje. Merrni listën e 2009 pra mashtrojnë me emrat. Por ai le të marrët me mashtrimet, ne merremi me të vërteta, me hallet , me dertet , me projektet, me vizonin , me fitoren e shkëlqyer të 23 qershorit 2013.

Këto zgjedhje janë të  një rëndësi të jashtëzakonshme dhe thirrja ime për qytetarët  Lezhës, për qytetarët e këtij qarku është të qëndrojnë në krye të fitores së madhe të 23 qershorit. Ftesa ime për djemtë dhe vajzat e kësaj treve që janë në emigracion është të bëni gjithçka për ti dhënë mbështetje Lezhës dhe Shqipërisë më 23 qershor.

Ju garantoj se do të kishit  votuar aty ku jeni nga shtëpitë tuaja, nga celularët tuaja po të mos ishte ky njeri që jeton në obsesione dhe frikë të pashërueshme. Është hipokrizi të mbledhësh emigrantët dhe të kërkosh mbështetje ne një kohë kur nuk pranon që ata të votojnë.

Edhe njëherë, këtu nga Blinishti ftoj zotin Rama, urdhëro të votojmë se bashku ligjin dhe le të jetë kjo provë e qeverisë, a do të realizojë dot kjo qeveri apo jo votimin on line të gjithë emigrantëve kudo që janë në Evropë dhe në botë. Po ti nuk  e bën këtë sepse midis të gjithë frikave që ti ke, frikën më të tmerrshme e ke nga vota dhe nga kjo nuk të shëroj dot, nga kjo do të shërojnë shqiptarët. Ti në kokë mban një Shqipëri që nuk ekziston.

Inauguruam dy ditë më parë një vepër që Shëngjini  e priste ne shekuj, që Lezha  e priste ne shekuj, impiantin e ujërave të zeza. Pikërisht pas këtij inaugurimi,  zoti Rama urdhëroi mediat e tij të përshkruajnë plehrat e Shëngjinit. Zoti Rama jeton në një realitet që nuk ekziston, jeton në një realitet që eshte në mendjen e tij të sëmurë.

Në Vlorë u thotë se jetojnë si në kohën e Selam Musait. Mirë që su bëri thirrje që ta mësyjmë Sali Berishën, njëlloj siç mësynë Selam Musain.

Zoti Rama, prapë të ka mbetur ora në kohën e Selam Musait, të ka mbetur ora 100 vjet më parë, se sot shqiptarët kanë një rrugë. Forca  e tyre më e madhe, vendimi i tyre më i rëndësishëm qëndron në votën e tyre të lirë.

23 qershori po vjen, ne jemi ndryshimi, ne do të fitojmë, përpara!


29/04/2013

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›