Kryeministri Berisha inauguron shkollën e mesme të bashkuar “Gjovalin Gjadri”, në Gjadër, Lezhë

Në qarkun e Lezhës, nga viti 2009-2013, në infrastrukturën e sistemit arsimor parauniversitar është investuar në 31 objekte shkollore, 12 prej të cilave janë ndërtime shkollash e kopshtesh të reja, investime këto që arrijnë në vlerën 872 milionë lekë.
Kryeministri Berisha u shpreh se për qeverinë arsimi ka qenë dhe do të jetë çështja më serioze dhe më themelore. Kryeministri Berisha shprehu vlerësimet e tij për këtë shkollë, si edhe për cilësinë e mësimdhënies në të. “Unë gjeta këtu një shkollë të pajisur me laboratorët dhe mjetet më bashkëkohore; gjeta laboratorin e informatikës dhe fëmijët që lundronin në internet; gjeta një kabinet jashtëzakonisht të veçantë, atë të artistëve të rinj, të cilët me hedhurina, në mbrojtje të mjedisit, krijojnë vepra të vërteta artistike; gjeta një klasë nxënësit e së cilës flisnin rrjedhshëm anglishten; gjata nxënës të tjerë që me një kompetencë të veçantë flisnin për acidet nukleike, ADN-në dhe ARN-në. Pra gjeta këtu nxënës dhe mësues që zhvillonin mësim të standardeve më të mira”, u shpreh Kryeministri.
“Ne, - tha Kryeministri, - mbetemi të zotuar se do të bëjmë gjithçka dhe brenda 2-3 viteve të para të mandatit të ardhshëm do të ndërtojmë edhe rindërtojmë çdo shkollë, në mënyrë që fëmijët tanë të ulen në shkolla të njëjta, me standardet më të mira, kudo qofshin ata, në fshat, në qytet”.
Gjithashtu, Kryeministri Berisha shprehu vlerësimet e tij edhe për faktin që në këtë komunë “100 përqind e nxënësve që mbarojnë shkollën 9-vjeçare ndjekin shkollën e mesme”.
Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Të dashur mësuese dhe mësues,
Nxënëse dhe nxënës,
Prindër dhe familjarë të nxënësve të shkollës së mesme “Gjovalin Gjadri”, që sapo inauguruam,
Zoti ministër,
zotërinj deputetë,
zoti kryetar i komunës,
zoti Prefekt,
zonja drejtoreshë e shkollës,
Së pari, përshëndetjet e mia më të përzemërta dhe urimet më të mira për shkollën e rindërtuar, shkollë e cila mban emrin e njërit prej burrave më të shquar të kombit shqiptar në fushën e inxhinierisë, emrin e inxhinierit Gjovalin Gjadri.
Unë shpreh kënaqësinë time të madhe dhe përgëzimet e mia për të gjithë mësueset dhe mësuesit e kësaj shkolle. Në një vizitë të shkurtër që bëra, unë gjeta këtu një shkollë të pajisur me laboratorët dhe mjetet më bashkëkohore; gjeta laboratorin e informatikës dhe fëmijët që lundronin në internet; gjeta një kabinet jashtëzakonisht të veçantë, atë të artistëve të rinj, të cilët me hedhurina, në mbrojtje të mjedisit, krijojnë vepra të vërteta artistike; gjeta një klasë nxënësit e së cilës flisnin rrjedhshëm anglishten; gjata nxënës të tjerë që me një kompetencë të veçantë flisnin për acidet nukleike, ADN-në dhe ARN-në. Pra gjeta këtu nxënës dhe mësues që zhvillonin mësim të standardeve më të mira.
Në këtë rast nuk mund të mos më vinte në mendje deklarata e papërgjegjshme e kreut të Partisë Socialiste, i cili tre javë më parë do të shpallte mësueset dhe mësuesit tanë injorantë, më të padijshëm se ata që ishin 100-vjet më parë, si edhe do të krahasonte fëmijët, nxënëset dhe nxënësit, me delet. Këto cilësime janë të papërgjegjshme. Këto i deklaron një njeri, i cili ka sy, por nuk mund të shohë realitetin e sotëm; i cili ka veshë, por nuk mund dëgjojë zërin e këtij realiteti; i cili ka ndjesi, por nuk mund ta prekë këtë realitet.
Unë ju bëj thirrje që ta ftoni atë në këtë shkollë dhe të ndjekë orët e mësimit; të vijë këtu dhe të shohë sesi ata, të cilët i quan dele, flasin anglisht më mirë se ai; të vijë këtu dhe të shohë se si do t’i shpjegojnë këta nxënës spiralin e jetës dhe ndërtimit të saj; të vijë këtu dhe të shohë sesi një grup artistësh të vegjël krijojnë vepra të vërteta artistike me gazeta të hedhura; të vijë këtu dhe t’u kërkojë publikisht të falur mësueseve dhe nxënësve shqiptarë. Vërtetë nuk ka përsosmëri, vërtetë ka probleme, por kurrë ndonjëherë nuk janë realizuar ndryshime më të mëdha, kurrë ndonjëherë nuk është ecur më shpejtë.
Vetëm gjashtë vite më parë, kur deklaruam se do të çojmë internetin në çdo shkollë, pati përqeshje, pati mosbesim, pati edhe tallje, por sot është realitet dhe është një nga realitetet më të mira, më të bukura. Ne do ta çojmë internetin në çdo klasë.
Edhe njëherë dua t’ju garantoj se arsimi ka qenë dhe do të jetë, për sa kohë të jemi në pushtet, çështja jonë më serioze, më themelore. Kjo, sepse për nënat dhe baballarët e këtij vendi nuk ka asgjë më të rëndësishme sesa shkollimi i mirë i fëmijëve të tyre. Ja pse ne rritëm rrogat e arsimtarëve nga 120-140 përqind, sipas kategorive. Unë jam këtu për t’ju dhënë fjalën se mandatin e ardhshëm do të bëjmë gjithçka dhe çdo arsimtar do ta ketë rrogën 700 dollarë.
Në këto vite, nga viti 2006-2012, ne kemi ndërtuar dhe rindërtuar në mbarë vendin mbi 1300 shkolla dhe 120 të tjera janë në proces ndërtimi edhe rindërtimi.
Ne mbetemi të zotuar se do të bëjmë gjithçka dhe brenda 2-3 viteve të para të mandatit të ardhshëm do të ndërtojmë edhe rindërtojmë çdo shkollë, në mënyrë që fëmijët tanë të ulen në shkolla të njëjta, me standardet më të mira, kudo qofshin ata, në fshat, në qytet. Ne së bashku ia dolëm në këto vite, mbi të gjitha, të rindërtojmë sistemin arsimor. Sot 92 përqind e të gjithë nxënësve që mbarojnë shkollën 9-vjeçare ndjekin shkollat e mesme. Drejtoresha më dha sot lajmin e gëzueshëm se në këtë shkollë 100 përqind e nxënësve që mbarojnë shkollën 9-vjecare ndjekin shkollën e mesme. Zonja drejtoreshë, unë dua t’ju përgëzoj ju dhe mësuesit e kësaj shkollë, sepse jam i bindur se nëse ju vendosni që të gjithë nxënësit të cilët mbarojnë klasat e 9-ta të ndjekin shkollën e mesme, ju e realizoni atë plotësisht me përkushtimin tuaj. Ju i ofroni secilit prej tyre ndihmën, i ngjallni secilit prej tyre pasionin dhe ky është një shërbim i madh që ju edhe bashkëpunëtorët tuaj i bëni komunitetit, i bëni Lezhës, i bëni kombit në tërësi. Shqipëria e dijes është dhe mbetet objektivi ynë madhor. Shqipëria e dijes do të jetë Shqipëria vend i zhvilluar, Shqipëria që do të vrapoje drejt horizonteve që meriton.
Ne në rrethin e Lezhës kemi ndërtuar dhe rindërtuar mbi 32 shkolla, edhe tre herë më shumë në rang qarku. Ne do të bëjmë gjithçka që të ndërtojmë dhe rindërtojmë edhe ato pak shkolla që kanë mbetur.
Zoti kryetar i komunës,
Unë dua të të përgëzoj për kujdesin që tregon për shkollimin e fëmijëve të komunës, për mirëmbajtjen e shkollave dhe mjediseve të tyre. Për mua si Kryeministër, për ju si krye qeveritar i komunës, kjo duhet të jetë gjithnjë detyra më e parë.
Edhe një herë ju uroj gëzuar shkollën e rindërtuar, ju uroj suksese në mësime, ju uroj ta mbyllni këtë vit ashtu siç doni ju vetë, me rezultatet më të mira.
Gëzuar!”
29/04/2013