Kryeministri Berisha bashkëbisedon në Korçë, me gra e vajza për programin e katër viteve të ardhshme

Kryeministri Berisha, në mbyllje të vizitës së tij në qarkun e Korçës, zhvilloi sot pasdite një bashkëbisedim me gra dhe vajza, më të cilat diskutoi për problematika të ndryshme, por edhe për sukseset që ato kanë arritur në fushat ku kontribuojnë.
“Jam sot këtu, - tha Kryeministri, - për të dëgjuar mendimet tuaja, sugjerimet, vërejtjet dhe ju garantoj se ato do të mishërohen në programin e katër viteve që vijnë, për një Shqipëri më të drejtë, për një Shqipëri më të barabartë, për një Shqipëri më të zhvilluar”
Më poshtë, bashkëbisedimi i Kryeministrit Berisha, zhvilluar sot në Korçë:
“Dëshiroj t’ju shpreh nderimin dhe respektin tim më të madh, t’ju falënderoj me mirënjohje për praninë tuaj në këtë takim, t’ju siguroj se vij këtu shumë mirënjohës ndaj jush, por, gjithashtu, vij jashtëzakonisht i interesuar për të diskutuar së bashku me ju një problem themelore të shoqërisë sonë, një problem themelor të zhvillimit tonë shoqëror, individual, kombëtar dhe ky është problemi i ngushtimit të hendekut gjinor që ekziston në Shqipëri, që ekziston në të gjitha vendet e lira, por që duhet luftuar me të gjitha mjetet e qytetëruar për t’u kapërcyer. Së pari, ky hendek duhet luftuar, sepse për njerëzit e lirë, ata që i besojnë lirisë, ky hendek krijon një pabarazi të pamerituar midis burrit dhe gruas, vajzës dhe djalit, motrës dhe vëllait, nënës dhe babait. Ky hendek duhet luftuar, gjithashtu, sepse ka të bëjë me shpalosjen e energjive, të mendjes, talentit dhe forcës krijuese të gjysmës së kombit, të gjysmës së popullsisë. Ky hendek në të vërtetë ka një mur që e ushqen edhe e mban gjallë atë dhe ky është muri i patriarkisë, mur i ndërtuar në 5 mijë vite me radhë në shoqërinë njerëzore, mur i cili u trash dhe u lartësua nga shumë e shumë doktrina, të të gjitha llojeve, por absolutisht që të gjitha, në këtë aspekt, të pavërteta.
Në përpjekjen tonë kemi arritur hapa të rëndësishëm. Në rast se karriera është një levat më të fuqishme për të shembur këtë mur dhe për të ngushtuar këtë hendek, me kënaqësi mund të themi se karriera nga vajzat dhe gratë sot në Shqipëri ndiqet më fuqishëm dhe më shumë se kurrë. Universitetet tona dominohen sot tërësisht nga vajzat, të cilat jo vetëm janë shumicë sasiore, por janë pa mëdyshje shumicë cilësore në këto universitete. Sektorë të tërë dominohen sot në masën dërrmuese nga vajzat dhe gratë, 71 përqind e studentëve të mjekësisë, po kështu në arsim edhe në shkencat e tjera. Pra kemi një progres të madh. Siç mund ta dini, ndjekja e karrierës dhe karriera është përcaktuese për rolin e gruas, jo vetëm në shoqëri, por në familje, në shoqëri dhe në tërësi. Se cilado qoftë ajo, sado e graduar dhe e shkolluar të jetë, në rast se braktis karrierën e saj, në rast se braktis investimin e saj, ajo topitet në një orbitë që mund të jetë çdo gjë, por nuk është zhvillim dhe e privon atë, - siç thotë në librin e saj Simone de Beauvoir, - të japë kontributin e saj, të ndërtojë botën. Dhe këtë e bën burri. Ky është në tërësi imponim i burrit. Kjo është e vërteta.
U ndala në këtë aspekt, sepse në Shqipëri dhe kudo kjo është një betejë që bëhet mbi të gjitha dhe para së gjithash nga vajzat dhe gratë. Unë ju garantoj se ne jemi të vendosur të mbështesim fuqishëm këtë betejë, si një kusht përcaktues për Shqipërinë një vend i zhvilluar, për Shqipërinë që do të ndahet nga një e shkuar patriarkale dhe do të dalë në dritën e zhvillimit.
Disa masa janë marrë. Ne kemi pasur një diferencë shumë të madhe në rroga. Në vitin 2005 një studim shumë serioz dhe i besueshëm tregonte se në Shqipëri rroga mesatare e burrave dhe e grave kishte një ndryshim prej 36 përqind. Ne jemi marrë në mënyrë serioze me këtë problem, duke përcaktuar si objektiv kryesore rritjen e pagave në sektorët e dominuar nga gratë dhe vajzat; duke përcaktuar si objektiv kryesor pushtetërimin ekonomik të tyre nëpërmjet kredive, nëpërmjet mikrofinancimeve. Ne jemi marrë me këtë problem, gjithashtu, duke u përpjekur seriozisht për pushtetërimin e tyre politik. Sot në administratën shtetërore ato janë shumicë absolute. Nuk janë në postet kryesore politike, por posti i dytë më i lartë i vendit i është besuar një Zonje. Sërish do të bëjmë gjithçka për të rritur numrin e tyre. Bordet rregullatorë, të cilat kanë rëndësi dhe janë ekuivalente me vendin e ministrave, u janë besuar atyre. Absolutisht, ato janë të afta për të bërë çdo detyre tjetër, nga Kryeministër i këtij vendi, President dhe çdo post që meritojnë. Ndaj dhe duhet të vazhdojmë këtë betejë dhe këtë përpjekje.
Katër vitet që vijnë janë një shans i madh. Ne shkojmë drejt një mandati të ri, të cilin ne nuk e kërkojmë për ato që kemi realizuar, por votën e kërkojmë për projektin e ri, për Shqipërinë vend i zhvilluar, për Shqipërinë vend punësimi masiv, vend që rrit mirëqenien e qytetarëve të saj, vend i cili shkon i sigurt drejt integrimit në Evropë.
Është e sigurt sot se ka njerëz në nevojë, ka njerëz të papunë, ka njerëz në varfëri, ka qytetarë që numërojnë kafshatën e gojës. Këto janë të vërteta. Unë ju garantoj se për mua këto janë të vërtetat më preokupuese në jetën time të përditshme. Unë merrem dhe do të merrem me to në secilin rast, sa të kem mundësi dhe fuqi, por në këtë hark të shkurtër kohor Shqipëria u anëtarësua në NATO; sot shqiptarët lëvizin të lirë në mbarë Evropën. Kjo është arritur nëpërmjet qindra e qindra reformave, reforma këto jo vetëm të shpallura, por edhe të zbatuara dhe të vlerësuara për rezultatin e tyre. Duke pasur parasysh gjemitë me emigrantë, vendimi më i vështirë ishte për shqiptarët. Ne e morëm me seriozitet problemin. Ne plotësuam një e nga një 120 kërkesa. I ftuam ti verifikojnë një e nga një, si funksionojnë sistemet tona, si funksionojnë ligjet tona. Erdhën dërgatë pas dërgate dhe konkluduan se Shqipëria i plotësoi kushtet. Shqipëria jo vetëm i plotësoi, por në dallim nga vende të tjera, ka krijuar problemet më të vogla. Po kështu, vetëm nga reformat, u arrit që Komisioni Evropian në tetor të vitit 2012 të sugjeroi Shqipërinë për statusin e kandidatit, me kusht që ajo të votonte tre ligje. Cilit shqiptar, cilit evropian do mund t’i shkonte mendja se në Shqipëri do të kishte shqiptarë që për të mos marrë vendi i tyre statusin e vendit kandidat do të refuzonin të votonin këto tre ligje? Por ja që ndodhi, ja që janë dhe ja që janë shqiptare edhe nuk janë të një kombësie tjetër. Zgjidhja, s’ka diskutim. Zgjidhja është demokratike. Zgjidhja është vota. Zgjidhja është përpjekja e madhe e shqiptarëve për të marrë statusin e vendit kandidat, pasaportë kjo e shkëlqyer, dinjitoze, e merituar dhe për të hapur negociatat. Ne nuk e kërkojmë votën për këto që kemi realizuar, por jemi dëshmuar seriozë në premtimet tona.
Unë sot, në një hark të shkurtët kohor, inaugurova një rrugë, e cila afron tre herë Korçën me një nga zonat më të bukura turistike të Shqipërisë, Ballkanit dhe më gjerë, me Prespën. Rrugë është e kushtueshme, por e ndërtuam atë për t’u shërbyer banorëve të Pustecit, e ndërtuam atë që Korça dhe Shqipëria të shfrytëzojnë potencialet e tyre turistike. Ne sot inauguruam një korpus të ri në Universitet, rikthimi në identitet të ndërtesës së Liceut. Ju garantoj se me prejardhjen time universitare, kam shumë kënaqësi dhe kudo që shkoj vizitoj universitete, por ky korpus që vizitova sot këtu është nga më të bukurit që kam vizituar në jetën time. Edhe një herë, shpreh mirënjohje për familjen Turtulli, por edhe për rektorin dhe për të gjithë. Ne vërtetë financuam, por ju do shihni aty një fakultet dinjitoz për çdo qytet më të zhvilluar Evropian.
Për ne arsimi është një çështje shumë madhore. Ne në një hark të shkurtër kohor bëmë të mundur që çdo i ri dhe çdo e re të provojë veten në ëndrrën e vetë universitare. Ne do të bëjmë gjithçka që në katër vitet që vijnë të rrisim cilësinë e arsimit, cilësinë e dijes, cilësinë e formimit të të rinjve tanë.
Korça ka një pozicion gjeografik mahnitës, por edhe më mahnitëse do të bëhet kur ne të shkurtojmë me një orë e gjysmë distancën e saj me Tiranën.
Ne po e ndryshojmë Shqipërinë dhe projekti ynë kërkon që këto ndryshime të jenë edhe më të mëdha; projekti ynë kërkon që Shqipëria të ketë infrastrukturën më moderne; projekti ynë kërkon që shqiptarët kudo që jetojnë, edhe ata që jetojnë në Lumalas, edhe ata që jetojnë në Moglicë, edhe ata të Lekas të kenë infrastrukturën moderne që meritojnë, të kenë shkolla moderne për fëmijët e tyre, të kenë rrugë të sigurta, të kenë rrugë moderne, të kenë shërbime moderne. Ky është koncepti ynë për Shqipërinë.
Unë ju garantoj ju se në gjithë këtë përpjekje përsëri qendrore është dhe do të mbetet përpjekja jonë për të ngushtuar gjithnjë hendekun e pabarazisë gjinore, për të shembur gjithnjë e më shumë, së bashku, murin e patriarkisë.
Unë jam sot këtu për të dëgjuar mendimet tuaja, sugjerimet, vërejtjet dhe ju garantoj se ato do të mishërohen në programin e katër viteve që vijnë, për një Shqipëri më të drejtë, për një Shqipëri më të barabartë, për një Shqipëri më të zhvilluar,
Faleminderit!
Përshëndetje, zoti Kryeministër! Jam mësuese dhe gjatë qeverisjes tuaj kam parë që gratë kanë një përfaqësim shumë dinjitoz, është respektuar kuota. Gjatë mandatit tuaj të ardhshëm, cilat do të jenë ato nxitje që do të bëjnë rritjen e përfaqësimit të gruas në politikë?
Kryeministri Berisha: Një moment shumë i rëndësishëm për këtë janë zgjedhjet dhe rikonstituimi i organeve të reja. Unë ju jap fjalën se do të bëj gjithçka që kuotat të rriten në mënyrën më progresive. Sikundër, dua t’ju rrëfej se kur vjen çështja për një detyrë vendimmarrëse të rëndësishme, absolutisht, preferenca ime e parë janë gratë dhe vajzat. Unë këtë nuk e bëj për parimin – me çdo kusht, por para së gjithash e bëj për meritën e tyre. Kjo, sepse ato kanë të gjitha aftësitë, kanë të gjitha cilësitë dhe, së fundi, provat e Flintit treguan qartë se gratë dhe vajzat tejkaluan burrat në të gjitha testet e intelektit. Kjo është e vërtetë, sepse dallimi i mëparshëm ka qenë në arsimim. Më parë provat nuk dilnin të njëjta, sepse shkollimi i grave ka qenë më i vogël. Tani që shkollimi është barazuar dhe është tejkaluar, ato tregojnë se burrat u tejkaluan. U tejkaluan, sepse mundi, djersa, investimi i vajzave dhe i grave është padiskutim më i madh sesa i burrave.
Nga ana tjetër, ne do të bëjmë gjithçka që nëpërmjet sistemit të kreditimit të mbështesim gruan sipërmarrëse. Iniciativa e lirë dhe mbështetja e saj është leva e Arkimedit për pushtetërimin e grave. Përveç kësaj, ne kemi bërë disa ndryshime shumë të mira në legjislacion. Asnjë titull nuk mund të regjistrohet pa aprovimin me shkrim të të zonjës së shtëpisë. Pra edhe këtu është vendosur një normë e re, një standard i ri. Ne do të studiojmë standard pas standardi, ta vazhdojmë këtë betejë, e cila është afatgjatë, por që jep rezultate pozitive në mënyrë të vazhdueshme.
Në ligjin e ri të sigurimeve shëndetësore, a përfitojnë gratë shtëpiake nga skema për rimbursimin e ilaçeve? Në programin tuaj të ardhshëm, a ka mbështetje për këtë grup shoqëror? Ne kemi besim te ju, sepse jeni shumë punëtor.
Kryeministri Berisha: Së pari, gratë shtëpiake përfitojnë plotësisht në ligjin e ri të Sigurimit Shëndetësor. Ligji i ri i Sigurimeve Shëndetësore garanton shërbim për të gjithë qytetarët e këtij vendi, të cilët nuk janë në sistem për shkak të marrëdhënieve të punës. Ligji i ri garanton shërbim shëndetësor të cilësisë së njëjtë për të gjithë ata që nuk mund të paguajnë. Ju garantoj se ky është ligji që i jep fytyrën më njerëzore kujdesit shëndetësor dhe nuk mund të ketë asnjë lloj qëndrimi tjetër.
Gratë shtëpiake. Kur po diskutonim tre javë më parë për tregun e punës, një zonjë nga Shkodra më dërgoi një mesazh, më uroi që po flisnim për punën kohë- shkurtër. “Unë, - më thoshte ajo, - rri në familje dhe kujdesem për një të sëmurë timin, por i kam katër orë të lira dhe dëshira ime më e madhe është që ato katër orë ti bëj punë”. Kërkonte të shkëputej nga shtëpia dhe të punonte për katër orë. Ne do të bëjmë gjithçka që ato të punojnë tre orë, katër orë.
Unë vizitova sot një biznes qëndistarie. Punimet ishin të mrekullueshme, punime artistike të një niveli të shkëlqyer. Më thanë se ishin 70 vajza dhe gra që qëndisnin dhe i sillnin punimet për ti shitur në atë dyqan. Ne do t’u marrim përsipër Sigurimet Shoqërore. Unë ia thash edhe sipërmarrëses dhe ne do të ndërhyjmë. Ajo ishte një grua e guximshme, sepse të organizosh një rrjet të tillë në një treg jo kaq të sigurt, duhet guxim i madh. Edhe ajo e kishte bërë këtë. Ne do të ndërhyjmë dhe në të gjitha këto raste, do të paguajmë Sigurimet Shoqërore, Sigurimet Shëndetësore. Pra do të nxisim edhe minipunën, edhe punën në shtëpi, edhe të gjitha format e punës. Ky është qëllimi ynë.
Përshëndetje, zoti Kryeministër! Unë jam psikologe shkollore. Gratë e Korçës mbeten gratë që kanë thyer tabutë dhe kornizat, por ajo që i shqetëson më shumë është se mund të referojnë rastet e tyre. Me vendim qeverie janë ngritur mekanizma për strehimin e grave të dhunuara. Vitin e kaluar kanë pasur 216 raste që janë denoncuar dhunimet e bëra. Kjo tregon se gratë korçare po i thyejnë këto korniza, por pranë bashkisë së Korçës ka një mungesë buxheti për të funksionuar këto qendra. Si mund të zgjidhet kjo situatë.
Kryeministri Berisha: Ju këtu u ndalët në momentin më çnjerëzor të murit të patriarkisë. Në qoftë se sot ka një dhunues universal të lirive dhe të drejtave njerëzore është ky mur, i cili shprehet me dhunën, me keqtrajtimin, me terrorin fizik dhe psikologjik ndaj vajzave dhe grave në familje. Unë dua t’i përshëndes përzemërsisht ato 216 vajza, nëna, motra që kanë marrë kurajën për të denoncuar dhunën. E konsideroj jetike që të bëjmë gjithçka për të krijuar ne një mur kundër dhunës. Ne duhet të krijojmë një parzmore të fuqishme kundër dhunës, e cila ka një shtim, e cila ka shkelur norma të pashkelura ndonjëherë më parë nga shoqëria shqiptare dhe morali i saj. Pa diskutim, është e dhimbshme që bashkia nuk merr masat e duhura, sepse problemet e komunitetit në radhë të parë janë probleme të qeverisë vendore. Në këtë rast qeveria qendrore do të shqyrtojë të gjitha rrugët që këtij kontingjenti të dhimbshëm, të dhunuar, të agresuar t’i krijojë kushtet për një jetë sa më normale. Edhe në mund ta bëjmë këtë. Sot Shqipëria i ka të gjitha mundësitë për tu garantuar atyre një jetë normale. Përveç qendrave, të cilat ekzistojnë, përveç shërbimeve të nevojshme të psikologut edhe të të tjerëve, ne do të kemi një kuadër të veçantë ligjor për trajtimin e tyre. Bashkitë që nuk e ndërmarrin do të pësojnë shkurtimin e grantit të qeverisë dhe qeveria do ta destinojë me Shoqërinë Civile direkt drejt këtij kontingjenti.
Ju uroj mirëseardhjen në Korçë! Unë drejtoj një biznes artizanal. Doja të dija, sa e rëndësishme është për programin tuaj qeverisës dhe sa është mundësia për të kredituar për zgjerimin e këtij biznesi që unë kam, brenda dhe jashtë vendit. Unë kam marrë pjesë panaire të zhvilluara në Shqipëri dhe jashtë saj.
Kryeministri Berisha: Edhe njëherë, unë dua t’ju përgëzoj për kurajën që keni treguar. Të marrësh përsipër një biznes të tillë kërkon kurajë të madhe. Çdo biznes do kurajë, por ky biznes kërkon më shumë.
Së dyti, dua t’ju garantoj se në tërësi për këtë sektor do të ketë një plan kombëtar, sepse nuk mund të themi se është ndihmuar sa duhet. Ne kemi bërë disa lehtësira fiskale, por janë të pamjaftueshme. Duke hartuar një plan kombëtar ne e përparësojmë atë, e vëmë në përparësitë e rëndësishme të qeverisë.
Mundësitë e qeverisë për grantet janë të plota. Qeveria i ka të gjitha mundësitë për grante dhe kredi për biznesin e artizanatit, kundrejt projekteve. Qeveria do ta vendosë këtë sistem. Pse e bën qeveria këtë? Së pari, sepse ky është një sistem në të cilin mund të punësohen mijëra e mijëra njerëz. Për ne punësimi është më i rëndësishëm se çdo gjë tjetër në jetën ekonomike të vendit. Së dyti, sepse kjo është një fushë në të cilën është e derdhur gjenia artistike shekullore e popullit. Në qoftë se dikush sheh me vëmendje një jastëk të qëndisur, ai mbart të gjithë finesën e trashëguar në shekuj dhe mijëvjeçarë. Dhe kjo është një traditë për tu mbështetur, nuk është aspak traditë për tu zhdukur. Kjo është një traditë e cila me asgjë teknologjie nuk është superuar deri më sot. Ndaj dhe ne, për disa arsye, e kemi pasur një nga sektorët më të zhvilluar. Këto arsye kanë qenë izolimi dhe ne kemi qenë të detyruar të bëjmë gjithçka për veten tonë. Unë kam qenë në Gramsh dhe atje kam parë kostume popullore sa për një vend të tërë. Vetë rrethanat i kanë zhvilluar ato. Ne do të bëjmë gjithçka që t’i nxisim, të përfaqësohemi me to. Unë kam vizituar dyqane të tilla në Francë, në Belgjikë, por dyqani juaj, të cilin e vizitova sot, ishte absolutisht më i miri që kam parë.
Ne do të marrim përsipër jo vetëm mikrokreditë ose grantet, por do të marrim përsipër Sigurimet Shoqërore të këtyre punonjëseve. I marrim përsipër, sepse ky nuk është një treg i sigurt. Ndonëse është një treg i shkëlqyer, ai varet nga shumë faktorë. Ne do të marrim përsipër kualifikimin e punonjëseve dhe një seri gjërash, në mënyrë që ne ta nxisim këtë sektor. Ta nxisim, sepse ky është një sektor që punëson shumë.
Në biznesin tim nuk janë vetëm këto gra që unë i kam të punësuara, ka edhe të tjera që kërkojnë punë, por mundësia ime financiare nuk është e tillë që unë të shtoj diçka më shumë. Në qoftë se do të ekzistojë unë mund të zhvillojë kurse për to.
Kryeministri Berisha: Ne do të bëjmë gjithçka që secili, talentin dhe aftësinë e tij ta dëshmojë.
Përshëndetje, zoti Kryeministër! Ju falënderojmë nga zemra që zgjodhët qytetin e Korçës, qytetin e traditave, qytetin e kulturës, por veçanërisht Korçën, e cila është ajo që ka hapur shkollën e parë shqipe për vajza. Ndaj dhe kjo pjesëmarrje sot dëshmon se gruaja është forcë e rëndësishme dhe kështu, të gjitha së bashku, do të vazhdojmë rrugën drejt të ardhmes së ndritur. Ne gratë do të luftojmë për barazinë gjinore dhe jemi të bindura se do t’ia arrijmë.
Duke qëndruar te arsimi, më lind pyetja a do të kenë një orientim në shkollat e mesme dhe universitete për vajzat, të cilat do të ndjekin këto shkolla për të shembur murin e profesioneve tradicionale?
Kryeministri Berisha: Së pari, ligji i ri i arsimit parauniversitar u jep mundësi shkollave të mesme të përcaktojnë orientimin e tyre. Së dyti, unë ndjej kënaqësi të madhe shumë që vajzat dhe gratë preferojnë mjekësinë. Unë e quaj këtë gjënë më të mirë. Unë nuk besoj dhe nuk mund të ketë dallim në profesione. Nuk ka profesione për të cilat të thuhet se këto janë për djem dhe këto janë për vajza. Edhe në qoftë se ekziston një gjë e tillë, ne jemi të vendosur të zhdukim çdo lloj koncepti të kësaj natyre. Por është diçka, sot në universitete dominojnë qartësisht vajzat. Edhe në arsim mirë është që dominojnë vajzat, sepse arsimi është dije dhe edukim qytetar. Në mënyrë më të sigurt e transmeton edukatën gruaja, vajza, sesa djali apo burri. Edhe në këtë aspekt duhet të jemi shumë të kënaqur që arsimi, gjëja më serioze e një kombi, është kryesisht në duart e vajzave dhe grave.
Zoti kryeministër jam infermiere. Sot flitet shumë për të drejtat e grave e ka mbrojtje e madhe ligjore. Lidhur me të drejtat ekonomike, çfarë reformash do të ndërmarrë qeveria që gratë të gëzojnë më tepër të drejtat e tokës e të pronës. Po ashtu, ju falënderoj shumë për atë çka keni bërë për bujqësinë. Neve na janë shitur të gjitha prodhimet e nuk na ka mbetur asgjë dhe jo si në tetë vitet e shkuara që i hidhnim e mbushnim kanalet me to, por i kemi shitur të gjitha prodhimet.
Kryeministri Berisha: Së pari lidhur me të drejtat ekonomike të gruas. Në raport me pronësinë, sot, me ligjin e ri, burri nuk mund të bëjë asnjë transaksion, pa firmën e pa lejen me shkrim të gruas. Së dyti, varianti për të cilin duhet të ecim dhe do të ecim është ai bashkëkryefamiljarit dhe kjo e merituar plotësisht. Së treti, folëm për grantet dhe në fushën e bujqësisë, ne kemi mbështetur 42 mijë projekte në më shumë se 95 përqind me grante dhe të tjerat me kredi të butë. Kjo ka funksionuar në mënyrë të shkëlqyer. Ato projekte janë projekte suksesi dhe kanë shërbyer si nxitje për projekte të tjera nga fermerët. Orientimi i kryeministrit për këto grante ka qenë preferencë absolute grave dhe projekteve të tyre. E them publikisht, po të jetë problemi midis projektit të një burri e një gruaje, do të përzgjidhet ai i gruas. Kjo sepse pushteti ekonomik është shumë i rëndësishëm dhe jo gruaja të robtohet gjithë ditën, por të ndihet zot i projektit. Ato janë para të qeverisë, të cilat ajo i jep për të ndihmuar. Ndaj këtë e kemi bërë dhe do ta bëjmë në shkallën më të mundshme.
Ju theksuat bujqësinë, ne jemi përpjekur e kemi bërë për të, por nuk kemi bërë sa duhet, sepse ne kemi përqendruar fonde kolosale në ndërtimin e infrastrukturës në fshat që ju të nxirrni prodhimet në treg. Pa rrugë nuk shitet, pa rrugë nuk ka zhvillim. Tani po shkojmë drejt finalizimit të infrastrukturës. Ne do ta mbështesim shumë më tepër bujqësinë, sepse ky sektor, sot është faktuar shkencërisht se mund të dhjetëfishojë prodhimin. Masat që morëm muajt e fundit janë më seriozet që kemi marrë ndonjëherë. Hoqëm TVSH-në dhe fermerët këtu në Korçë, në Lushnje, në Berat e kërkuan jo në formën që ne kaluam ligjin, por që t’u jepet në dorë fermerëve dhe nesër parlamenti vendos për këtë. Juve do t’ju rimbursohet plotësisht TVSH-ja për naftën, për plehrat kimike dhe për çdo gjë tjetër që ju përdorni për prodhimin.
Përshëndetje zoti Kryeministër. Unë jam pasardhëse e familjes Turtulli dhe jam shkencëtare në fushën e gjenetikës, kam titullin e doktorantes, ndaj do të më interesonte se si do të ishte krijimi e zhvillimi i instituteve kërkimore-shkencore dhe zhvillimi i mëtejshëm i shkencës në Shqipëri, sidomos në fushën e gjenetikës.
Kryeministri Berisha: Edhe një herë, faleminderit për familjen tuaj, që i ka bërë një dhuratë të mrekullueshme qytetit. Ju keni studiuar e studioni në një nga degët më themelore të shkencave të sotme, gjenetika, një degë që përbën themelin e biologjisë dhe të cilën ne përpiqemi e do të përpiqemi ta zhvillojmë. Në Tiranë janë bazat e disa laboratorëve që duhen plotësuar. Gjenetika kërkon laboratorin dhe ju siguroj se qeveria është e vendosur t’i financojë ato, qeveria është e vendosur të financojë kërkimin shkencor në këtë fushë, një kërkim shumë i rëndësishëm si në drejtim të njeriut, edhe të bimëve, si në drejtim të diagnozës, por edhe të mjekimit për njerëzit, por edhe më drejtim të transformimit tek bimët, një shkencë lider. Midis idesë së krijimit të instituteve të veçantë dhe idesë së nxitjes së shkencës në universitete, unë personalisht preferoj këtë të dytën. Unë besoj se universitetet mund e duhet të jenë qendrat më të fuqishme të kërkimit shkencor, se universitetet mund e duhet të bëhen shtretërit e nxehtë të mendimit shkencor, intelektual të vendit, por nuk përjashtohen edhe institute të veçanta. Unë sot kisha një bisedë shumë interesante me rektorin e universitet këtu dhe realisht, nga kjo bisedë u ndava mjaft i entuziazmuar dhe i inkurajuar. I inkurajuar, sepse rektori theksoi domosdoshmërinë e mirëmenaxhimit të fondeve të universitetit. Nuk i kanë të mjaftueshme, por para se të paraqiste kërkesat, ai u zotua për një mirëmenaxhim e kjo do të thotë një shpërndarje e tyre sipas përparësive. Në çdo rast dua t’ju siguroj se qeveria e Ministria e Arsimit do të bëjnë gjithçka, për të mbështetur çdo projekt shkencor mbi bazën e perspektivës dhe interesit të tij.
Jam përfaqësuese e 40 familjeve të dy pallateve që janë ndarë në vitin 2006 e që janë inauguruar nga ju zoti Kryeministër dhe zoti Ritvan Bode. Këto pallate u trajtuam me ligjin e viti 2006 dhe katër muaj më vonë, ky ligj u ndryshua, duke u rritur kostoja e tyre. Kjo ishte për faj të Entit të Banesave që nuk na lidhi kontratën që kur morëm çelësat e paguam 4 përqindëshin që na kërkuan. Në këto pallate banojnë edhe ish të përndjekur dhe familje në nevojë. Kërkoj nga ana juaj të na ndihmoni për zgjidhjen e këtij problemi, sepse këto hyrje po kalojnë prapë në bashki, për të jetuar me qira.
Kryeministri Berisha: Së pari, dua t’ju garantoj se përsa kohë të jem kryeministër, ky shtet, për faj të tij nuk do mund të ndëshkojë qytetarët e tij, se është një tendencë shumë e papranueshme e administratës, kur e kundërta duhet të ndodhë. Aty ku përgjegjësia për një dy a tre arsye është e administratës, e drejta shkon tek qytetari. Unë ankesën tuaj do ta shqyrtoj. Në qoftë se vonesa ka qenë e pajustifikuar nga ana e administratës, do të bëj gjithçka që e drejta të kalojë tek ju. Në qoftë se përcaktimet ligjore janë ndryshe, unë nuk mund t’i lëviz ato.
Jam përfaqësuese e biznesit. Unë do të ngre një problem në emër të 45 bizneseve, prapa të cilave nuk fshihen 45 familje, por rreth 70-80 familje. Para një viti, ne lidhëm një marrëveshje me bashkinë dhe një shoqatë të biznesit amerikan dhe u bë një investim në qytetin tonë. Ky investim ka gjashtë muaj që ka mbaruar dhe pas marrëveshjes që lidhëm të tria palët, ky projekt nuk po zbatohet nga bashkia e qytetit tonë. Kemi gjashtë muaj që kemi kërkuar të zbatohet pikërisht ajo që kemi firmosur të tre palët bashkërisht, por asgjë nuk po bëhet deri sot, kemi rënë në vesh të shurdhët. Kërkojmë mbështetjen tuaj si pushtet qendror, megjithëse e dimë se pushteti lokal nuk varet nga ai qendror, por atë ndihmë që mund të na jepet, si dhe mbështetje nga PD-ja e qytetit tonë, të ngrihet kjo çështje në mbledhjen e Këshillin Bashkiak të qytetit, të mbështetemi edhe moralisht, në mos drejtpërdrejtë.
Kryeministri Berisha: Nuk ka më keq se të mos zbatosh marrëveshjen e kontratën. Ju garantoj se do t’ju kuroj këshilltarëve të forcës sonë politike që na përfaqësojnë aty, ta ngrenë këtë çështje shumë të rëndësishme. Së dyti, do t’i kërkoj prefektit të ushtrojë të gjithë kontrollet e tij mbi këtë akt dhe të japë ndihmesën për zgjidhjen e tij. Marrëveshjet janë për t’u respektuar, nuk janë për t’u anashkaluar e hedhur mënjanë. Unë nuk e njoh rastin konkret, por këtyre dy premtime, ju garantoj se do t’ju përmbahem.
Fillimisht ju uroj mirëseardhjen në Korçë. Jam nënë e dy fëmijëve dhe në vitet e demokracisë jam marrë me rritjen e fëmijëve dhe punët e shtëpisë. Si mua ka edhe shumë gra të tjera në qytetin e Korçës. Si do të bëhet për pensionin tonë, sepse nuk kemi pasur mundësi të paguajmë sigurime. Pra, për gratë që nuk kanë paguar sigurime, për gratë që merren me fëmijët, si do të bëhet me pensionin e tyre?
Kryeministri Berisha: Ligji shqiptar, por jo vetëm shqiptar, është një ligj gjerësisht i aplikuar, të drejtën e pensionit jua njeh vetëm atyre që kanë kontributin e tyre, ose atyre që shteti jua merr përsipër kontributin. Janë këto kategori. Ka variante të tjera që kontributet i lejojnë krejtësisht vullnetare, por garantojnë një shumë për çdo qytetar, pas një moshe të caktuar, por këto janë variante shumë të rralla.
Në këto raste, shteti ka ndihmën ekonomike për familjet. Nëse të ardhurat zbresin nën një nivel të caktuar, shteti ndërhyn me ndihmën ekonomike. Ndihma ekonomike po rishqyrtohet. Nuk është në nivelin e duhur, por është gati një ligj i ri, i cili kërkon një transparencë më të madhe për adresimin saj, por që e rrit atë në mënyrë të ndjeshme për ata që e përfitojnë. Pra, kategorizimi varet nga të ardhurat.
Jam me mësuese në shkollën “Naim Frashëri”. Meqenëse kjo shkollë është unike në të gjithë Shqipërinë, është shkollë e komunitetit rom e egjiptian, ju zoti kryeministër vjet në Kuvendin e Shqipërisë keni thënë fjalën duke premtuar se do t’u jepet një vakt buke këtyre fëmijëve, por aktualisht nuk jepet, nuk e dimë se ku ka qëndruar e ku qëndron problemi, sepse është një komunitet vërtetë për t’u mbështetur.
Kryeministri Berisha: Absolutisht do të fillohet. Porosia ka qenë e prerë dhe unë do ndjek plotësisht. Ne jemi përcaktuar për këtë dhe ju garantoj se do të jetë një nga shkollat e para ku do të fillojë dhënia e një vakti ushqim. Do të fillojë me këtë shkollë, por me mundësi të reja, në perspektivë, një vakt ushqim do të shtrihet në çdo shkollë. Natyrisht, kjo kërkon disa mundësi të tjera. Nuk mund të them se është imediate, por është qëllim në të cilin duhet të qëndrojmë, sepse një vakt ushqim në shkollë do t’i konfortonte shumë mirë fëmijët dhe nuk është një shpenzim aq i papërballueshëm, por është më shumë një problem logjistik, organizativ. Qëllimi do të jetë ky, të fillohet me këtë e absolutisht do të ecet me shkollat e tjera. Do të jetë një gotë qumësht a diçka tjetër, por do të fillohet.
Zoti Kryeministër, jam një banore e fshatit Plasë, komuna Pojan. Fshati ynë që në 1991 ka votuar gjithmonë për PD-në, kanë hyrë në burg 12 burra për rrëzimin e bustit, i pari në Tiranë, i dyti në Plasë. Kemi një kërkesë vetëm për rrugën brendapërbrenda fshatit, 600-700 metra. Dëshirojmë të na plotësohet kjo dëshirë, i jemi drejtuar komunës e deputetit dhe na thonë nuk ka fonde.
Kryeministri Berisha: Qeveria do të sjellë fondet për atë rrugë.
Përshëndetje, po ju drejtohem doktor. Në profesion jam mjeke dhe aktualisht punoj në sektorin pediatrisë ku Korça ka arritjet më të mëdha, me mortalitet foshnjor zero, e krahasueshme me nivelet e vendeve të zhvilluara europiane...
Kryeministri Berisha: Jo me nivelin e vendeve të zhvilluara, por me nivelin e vendeve më të zhvilluara të botës. Nuk ka asnjë vend që ta ketë zero, por ka qytete që e kanë zero dhe Korça krahasohet me qytetet më të zhvilluara të botës, për këtë tregues.
Jam me stazh shumë të vjetër pune në shumë fshatra, në Kryqin e Kuq dhe së fundi në pediatri. Unë përfaqësoj edhe një pakicë grash, gratë kryefamiljare, sepse jam edhe vetë e tillë. A do të ketë në legjislacionin në Kuvendin e ardhshëm ndonjë lehtësim për këto gra? Nga eksperienca ime, kam rritur dy fëmijë e vetme, sot janë në shkollë të lartë në fushën e mjekësisë, por është shumë e vështirë. Unë ia dola dhe shumë e shumë shoqe të miat do të gjejnë forcat, sikurse ju thatë gruaja është forcë madhe, por mendoj se kanë nevojë të mbështeten edhe nga pushteti qendror, edhe nga ai lokal.
Kryeministri Berisha: Gratë kryefamiljare ju garantoj se do të kenë mbështetje të përcaktuara qartë. Sikundër fëmijët me një prind, pasi edhe këta përbëjnë një problem serioz. Është e vërtetë që jeta rëndon shumë më tepër mbi një grua kur është kryefamiljare, sesa mbi një burrë kryefamiljar apo një familje me të dy bashkëshortët. Ndaj, ne do të shqyrtojmë me përparësi mekanizmat e mbështetjes së tyre, natyrisht, do të kenë të bëjnë para së gjithash me punësimin, do kenë të bëjnë me preferenca të tjera, mbështetje për shkollimin, strehimin. Në këto drejtime do të përqendrohet më së shumti mbështetja jonë. Një gjë ju garantoj se edhe pa ligjin, një direktivë e qartë ekziston për pushtetin në të gjitha nivelet, për të përparësuar mbështetjen e këtyre grave. Natyrisht, ligji jep një mbrojtje më të garantuar dhe ne do ta bëjmë atë.
I nderuar zoti Kryeministër, unë nuk jam korçare, por dua t’ju falënderoj juve në emër të të gjitha nënave, motrave, grave korçare, që ndodheni në mesin tonë. Unë jam e bindur se premtimet që na keni dhënë neve do të zbatohen patjetër. Ju uroj shëndet dhe fitore.
Kryeministri Berisha: Edhe unë ju falenderoj shumë për urimin dhe ju siguroj se mbetem i bindur në të gjithë shpirtin tim se nuk ka çështje më të drejtë e fisnike sesa të luftojmë për barazinë gjinore, sesa ta bëjmë shoqërinë tonë më të qytetëruar e më të drejtë në të gjithë qëndrimet. Më e rëndësishmja është se kam bindje se mund të bëhet shumë. Ndaj mbetem shumë i vendosur në atë që besoj.
Zoti Kryeministër, dua që fitorja të jetë jo katër vjet, por shumë vite për punën që keni bërë. Unë kam një problem që nuk e zgjidh dot. Punova 25 vjet dhe pagova 10 vjet figuracione, por sigurimet shoqërore më kanë sorollatur gjashtë muaj për emrin e babait tim, pasi ma kishin bërë gabim. Gjykata ma dha të drejtën, por pas tetë muajsh dhe tani më është prerë pensioni dhe nuk po e zgjidh dot problemin.
Kryeministri Berisha: Si e keni emrin?
Katerina Vangjeli.
Kryeministri Berisha: Katerina, më jeni drejtuar mua?
Po, ku jam drejtuar me një sms dhe më keni kthyer shpejt përgjigje.
Kryeministri Berisha: Po më keni dërguar një sms. Është një rast absurd. Zonjës Katerina i është ndërruar një germë ë të atit dhe burokracia është e pashpirt, por ne duhet të qëndrojmë fuqishëm. Unë kam ngarkuar një këshilltar timin që është ekspert i fushës dhe po merret me trajtimin e kësaj çështjeje. Ju garantoj se ai do të bisedojë me drejtoreshën e Institutit të Sigurimeve Shoqërore, zonjën Braho e do të bëjmë gjithçka, për t’ju dhënë atë që ju takon dhe e meriton.
Jam shtëpiake. Para 20 vitesh kam qenë nismëtare e PD-së këtu. Mu dha rasti t’i bëj një thirrje zonjave, zonjushave korçare, pa dallim bindjeje, socialiste apo demokrate, duhet të votojmë Partinë Demokratike, sepse të mirat janë para syve, të mos bëhen pre e piktorit mashtrues Edi Rama, por shikoni mirësitë se ky burrë i hekurt po na çon drejt Europës.
Kryeministri Berisha: Së pari, ju shpreh mirënjohjen time për kontributin që keni dhënë që në themelimin e PD-së në Korçë dhe jam shumë mirënjohës ndaj jush e cilitdo tjetër, për të gjitha kontributet. Çdo zgjedhje është shumë e rëndësishme, por këto zgjedhje kanë rëndësi vendimtare, sepse ky mekanizëm ndryshimi që ka funksionuar këto vitet e fundit po e çon Shqipërinë drejt atij horizonti që kemi ëndërruar të gjithë ne dhe ai horizont është Shqipëria e zhvilluar.
Doktoresha më dha një lajm jashtëzakonisht të gëzueshëm që na bën krenarë, lajmin që Korça ka vdekshmërinë foshnjore zero. Të jesh vend i zhvilluar do të thotë të kesh tregues të atyre vendeve, do të thotë të kesh nivelin e jetesës së atyre vendeve, të gëzosh ato të mira e mirësi që gëzojnë qytetarët e tyre, të udhëtosh në rrugë si njeri i qytetëruar, të shkollohesh në shkolla të mira, të shërbehesh në spitale moderne, të kesh mirëqenie e punë, do të thotë që vlerat, burimet e mëdha që ka vendi yt të shndërrohen në mirësi për qytetarët tuaj, do të thotë të ecësh për në Europë, drejt integrimit në Bashkimin Europin.
Të shohim veten, pavarësisht problematikave të shumta që kemi, falë karakterit tonë të fortë, falë shpirtit tonë të sakrificës, në 21 vite, prodhimi ynë i brendshëm është rritur 11 herë. Asnjë vend tjetër në botë nuk e ka bërë këtë në 21 vite. Ky prodhim është shndërruar në qindra e mijëra banesa dhe ka bërë që 340 mijë familje shqiptare të kenë më shumë se një banesë. Klasë e mesme, të kthehemi bashkë 21 vite më parë. Unë isha pedagog në universitet, ndryshe sigurisht, por prapë 98 përqind e shqiptarëve jetonin në apartamente shtetërore, ndërsa sot 340 mijë familje kanë më shumë se një banesë të tyren. Me këtë dua të them se është krijuar një klasë e mesme dhe nuk ka fitore më të madhe për një komb se të forcojë klasën e mesme. Klasa e mesme e një kombi është gjeneratori i të mirave të tij, i stabilitetit, i paqes, qytetërimit, i të gjitha mirësive. Gjatë këtyre katër viteve të fundit, ju keni parë përpjekje absurde, të kthejmë ’97, të bëjmë këtë. Unë bashkëpunëtorëve të mi u thosha: janë qesharakë, se një vend me klasë të mesme nuk gabon. Një komb me klasë të mesme ka një raport shumë më të saktë me të vërtetën, sesa një komb pa klasë të mesme. Një komb me klasë të mesme nuk manipulohet, sepse ai ka vetëdijen për ato që ka krijuar dhe ka vetëdijen për ato që do të krijojë mbi bazën e kësaj. Këtë e kemi arritur, kemi arritur edhe një seri treguesish të vendeve të zhvilluara. Ne nuk e kemi zero vdekshmërinë foshnjore në Shqipëri, por e kemi të njëjtë me të vendeve të zhvilluara, një shifrore dhe e kemi pasur dy e tre shifrore në jetën e karrierës sime mjekësore. Ne kemi një nga nivelet më të ulëta të vdekshmërisë amtare falë mençurisë e kujdesit të shoqërisë, por edhe të grave për veten e tyre. Sot, ne kemi jetëgjatësi më të lartë se 9 vende anëtare të BE-së.
U ndala tek këto tregues, se këto janë dëshmi e një ritmi shumë të shpejtë ndryshimi. Mirëpo çfarë ndodh me anën tjetër. Ana tjetër ka vetëm mohim, vetëm bllokim. Tek vizitoja sot Fakultetin e Shkencave, laboratorët modernë, ndërtesa nga më të bukurat dhe mjedisi përreth po i tillë, më kujtoheshin fjalët se universitetet janë piramida. Por nuk mund të shprehen në këtë mënyrë. Ato kanë dobësi pa diskutim, por fjala e parë që i thashë rektorit ishte: ftoi deputetët e opozitës ta vizitojnë këtë universitet dhe të shohin këtu laboratorë ultra moderne, të shohin studiues, të cilët janë të përqendruar për studimet më të mëdha. Pra, kemi të bëjmë me një alternativë mohimi, alternativë që mohimin e bllokimin e ka gjënë më të parë. Javën e kaluar votuam në parlament kredinë 100 milionë euro për rrugën Qafë Plloçë-Qukës. Deputetët e Korçës ikën. Por si ka mundësi që deputetët e Korçës marrin përsipër të votojnë kundër rrugës që i shkurton në mënyrë shumë të ndjeshme distancën, Korçës. Këto zgjedhje janë shumë të rëndësishme që të kapim më shpejt atë horizont që e meritojmë, horizontin e vendit të zhvilluar. Potencialet tona janë të jashtëzakonshme. Ky vend është me pasuri përrallore, të gjithanshme. T’i kthejmë ato pasuri në vlera për qytetarët tanë, të rrisim më tej rrogat, pensionet, punësimin, të bëjmë që qytetarët të marrin rroga më të mira. Alternativa e bllokimit, alternativa e mohimit të çon kurrkund, të çon në pasiguri, të çon në paqartësi. Ndaj këto zgjedhje janë vërtetë të një rëndësie të jashtëzakonshme dhe ne do t’i fitojmë këto zgjedhje jo për këto që kemi bërë, por për ato që do bëjmë katër vitet që vijnë.
Zoti Kryeministër, shumë faleminderit për pjesëmarrjen e këtë bisedim të ngrohtë.
Kryeministri Berisha: Edhe unë ju falenderoj me shumë mirënjohje. Ishte kënaqësi e madhe dhe përulem me nderim të madh para jush, mbështetjes e kontributit tuaj.
01/05/2013