E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha inauguron rikonstruksionin e unazës së qytetit të Fushë Krujës, investim me vlerë 162 milionë lekë

Kryeministri Berisha ishte i pranishëm sot në inaugurimin e rikonstruksionit të unazës së qytetit të Fushë Krujës. 

Unaza, me gjatësi 2.84 kilometër dhe e pajisur me të gjithë elementët e nevojshëm të infrastrukturës, është një investim me vlerë 162 milionë lekë, financim i qeverisë shqiptare, BERZH dhe BEI. Nga rikonstruksioni i saj përfitojnë 40.000 banorë dhe stabilizohet qarkullimi i automjeteve nga zona e sipërme e Fushë-Krujës, bashkisë Krujë dhe komunës Cudhi drejt superstradës Fushë Krujë – Milot. Ndërtimi i unazës së Fushë-Krujës shkurton kohën e udhëtimit në vetëm 5 minuta, duke kursyer mjaftueshëm kohë për të gjithë mjetet e transportit. Për të rritur funksionalitetin dhe efiçiencën e këtij segmenti rrugor, pritet edhe ndërtimi i nyjës lidhëse midis unazës dhe superstradës Fushë-Krujë – Milot.

Në këtë ceremoni përshëndetën edhe qytetarë të Fushë Krujës, të cilët shprehën mirënjohje ndaj qeverisë dhe Kryeministrit Berisha për vëmendjen dhe përkushtimin e treguar ndaj këtij qyteti.

Zonja Dhurata Kalaja, duke i uruar mirëseardhjen Kryeministrit Berisha, i shprehu falënderim dhe mirënjohje për këtë investim, i cili përmirëson ndjeshëm trafikun dhe ul nivelin e ndotjes në qytet. Gjithashtu, ajo solli në vëmendje se si ka qenë qyteti i Fushë Krujës në vitet para demokracisë, një qytet me pak ndërtime dhe pak investime, edhe qytetin e Fushës Krujës sot, një qytet i madh, me më shumë banorë, më shumë ndërtime dhe me më shumë investime. “Unë, - vijoi ajo, - u bëj thirrje të gjithë bashkëqytetarëve të mi, rinisë së Fushë Krujës, të gjithë brezave që kam rritur dhe edukuar deri më sot, që më 23 qershor  votën t’ia japim Partisë Demokratike, për të ecur dhe vazhduar më tutje, që Fushë Krujën ta bëjmë një qytet evropian dhe Shqipërinë evropiane”.

Ilir Lepi ishte një ri nga Fushë Kruja, i cili shprehu mirënjohje ndaj Partisë Demokratike dhe Kryeministrit Berisha për mbështetjen dhe përkushtimin që kanë treguar ndaj këtij qyteti. “Falë këtij përkushtimi, - tha ai, - Fushë Kruja ka ndryshuar, nuk është më ai qyteti i përmbytur, qyteti me rrugë të pashtruara, qyteti i errët, sepse të gjithë e dimë që infrastruktura është lokomotiva e zhvillimit ekonomik dhe shoqëror. Ndaj, zoti Kryeministër ka bërë të mundur që lokomotiva e qytetit tonë të ecë me ritme të larta dhe këtë e tregon lulëzimi i bizneseve gjithnjë e më tepër në qytetin tonë”. Në emër të të gjithë të rinjve të Fushë Krujës, Iliri falënderoi qeverinë për projektet që ka arritur të realizojë në ndërtimin dhe rikonstruktimin e shumë shkollave, pajisjen e tyre me kompjuter, hapjen e shkollave profesionale, mundësinë e punësimit dhe mundësinë e arsimimit brenda dhe jashtë vendit. “Për të mirën e brezit tim, për të mirën e qytetit tim, për të mirën e të gjithë Shqipërisë, - u shpreh ai, - ne duhet të votojmë Partinë Demokratike dhe Kryeministrin Berisha”.

Kryeministri Berisha përshëndeti banorët dhe u shpreh se kjo unazë, në projektin Fushë Kruja - hyrja e bukur e Tiranës, plotëson një infrastrukturë të shkëlqyer për qytetin, modernizon trafikun në këtë qytet, parandalon ndotjen e qytetit dhe krijon një mjedis më të shëndetshëm për qytetarët e Fushë Krujës. Me tej, kryeministri Berisha u shpreh se investimet në këtë qytet do të vazhdojnë dhe se Partia Demokratike më 23 qershor e kërkon votën e qytetarëve shqiptarë jo për ato që ka realizuar gjatë tetë viteve qeverisje, por për projektet e tjera të mëdha që do të realizojë gjatë katër viteve që vijnë.

“23 qershori po vjen, çdo shqiptar do të përdorë votën e tij për projektin evropian; do të përdorë votën e tij për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian; do të përdorë votën e tij për statusin e kandidat për vend anëtar në Bashkimin Evropian”, tha Kryeministri.

Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:

Ju shpreh përshëndetjet më vëllazërore, më të përzemërta dhe kënaqësinë time të madhe që inaugurojmë sot së bashku një unazë, e cila është jetike për qytetin e Fushë Krujës; një unazë e cila në projektin tonë Fushë Kruja - hyrja e bukur e Tiranës plotëson një infrastrukturë të shkëlqyer për qytetin, modernizon trafikun në këtë qytet, parandalon ndotjen e qytetit dhe krijon një mjedis më të shëndetshëm për qytetarët e Fushë Krujës. Ky investim, prej 162 milionë lekë, u shtohet investimeve të tjera të mëdha që janë realizuar në Fushë Krujë dhe Krujë, në të katër anët e këtij territori, nga kufiri me Ishmin deri në kufi me Matin, rrugët e rrethit janë ndërtuar apo janë në rindërtim. Fushë Kruja dhe Kruja janë dy qytete që këto vite kanë njohur infrastrukturën moderne dhe të merituar. Në rrugët e tyre është investuar mbi 30 milionë dollarë, në autostradën Fushë Krujë – Milot, në autostradën Fushë Krujë – Vorë, në rrugën Fushë Krujë – Krujë – Sarisalltik, në rrugën Fushë Krujë – Bubq edhe në një seri rrugësh të tjera dhe tani po shkohet me një rrugë të standardeve më të mira drejt Qafë Shtamës, një nga zonat më të bukura turistike të Shqipërisë dhe do lidheni me Matin.

Ne do të bëjmë gjithçka gjatë katër viteve që vijnë në këtë rreth dhe në këtë qytet të asfaltohet çdo kilometër rrugë që ka mbetur pa u asfaltuar. Këto kanë qenë vitet e investimeve më të mëdha në historinë e rrethit të Krujës, kanë qenë vite në të cilat janë rindërtuar rrugë, shkolla, kanalizime më shumë se asnjëherë në historinë e këtyre rretheve.

Zonja dhe zotërinj,

Partia Demokratike shkon drejt zgjedhjeve si një parti e premtimeve të mbajtura. Ne shkojmë drejt zgjedhjeve të sigurt në fitore, jo për ato që kemi realizuar, por për ato që do të realizojmë. Gjatë kësaj qeverisje, ne ia dolëm të anëtarësojmë Shqipërinë në NATO; ia dolëm të heqim vizat për shqiptarët dhe ata të lëvizin të lirë; ia dolëm të meritojmë statusin e vendit kandidat. Komisioni Evropian tetorin që kaloi rekomandoi Shqipërinë për vend anëtar të Bashkimit Evropian, me kusht që të votohen tre ligje. Ligjet u bllokuan nga personi, i cili ka vetëm interesa personale. Me bllokimin e ligjeve Shqipëria nuk mori statusin; me bllokimin e ligjeve Shqipëria humbi disa qindra-milionë euro investime; me bllokimin e ligjeve emigrantët shqiptarë mbetën pa marrë të drejtën e pensionit që u takon; me bllokimin e ligjeve dhe të statusit kandidat të rejat edhe të rinjtë shqiptarë nuk kanë mundësi të aplikojnë me fee-të më të favorshme në universitetet e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.

Por 23 qershori po vjen, çdo shqiptar do të përdorë votën e tij për projektin evropian; do të përdorë votën e tij për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian; do të përdorë votën e tij për statusin e kandidat për vend anëtar në Bashkimin Evropian.

Çdo shqiptar është i ftuar më 23 qershor të votojë për punësimin. Alternativa jonë është alternativa e punësimit të të rinjve shqiptarë, të qytetarëve shqiptarë.

Gjatë këtyre viteve, në rast se në vende të tjera u dyfishua papunësia, në Shqipëri ajo pësoi një ulje të lehtë. Natyrisht, pasojat e krizës së vendeve përreth kanë pasur efekte, por, siç pohojnë të gjitha institucionet botërore, ekonomia shqiptare i rezistoi krizës. Ekonomia shqiptare realizoi një rritje të lehtë të punësimit, por ndërkohë dhjetëra mijëra vende pune u mbrojtën nga shkatërrimi dhe nuk ndodhi ajo që ka ndodhur në vende të tjera. E them këtë, sepse në kohë stuhie, në kohë të vështira, reformat tona u faktuan histori suksesi.

Ne nuk e kërkojmë votën për ato që kemi arritur, por e kërkojmë votën për gjithçka do të bëjmë katër vitet që vijnë. E kërkojmë votën, sepse katër vitet që vijnë ne do të garantojmë 250 mijë vende pune. Ne e kërkojmë votën, sepse në rast se katër vitet e shkuara ia dolëm të thithim 4 miliardë dollarë investime, në katër vitet që vijnë kemi të garantuara së paku 6 miliardë dollarë investime. Ne e kërkojmë votën, sepse katër vitet që vijnë janë vitet e projekteve historike, projekteve të shekullit për Shqipërinë, projekti i kaskadës së Devollit, projekti i gazsjellësit trans-Adriatik, projekti i ndërtimit të dhjetëra e dhjetëra hidrocentraleve të tjera. Ne kërkojmë votën, sepse në rast se gjatë këtyre viteve kemi mbi dyfishuar rrogat dhe pensionet, ju garantojmë se do t’i rrisim ato gjithnjë e më shumë. Ne kërkojmë votën, sepse unë jam këtu për të garantuar të rinjtë e Fushë Krujës dhe të mbarë Shqipërisë se në rast se sollëm Shqipërinë në moxhën dixhitale, Shqipëria e katër viteve që vijnë do të jetë Shqipëria e 4G, do të jetë Shqipëria e teknologjisë më të lartë, do të jetë Shqipëria e çmimeve më të ulëta dhe e shërbimeve më moderne. Ne kërkojmë votën, sepse katër vitet që vijnë, me votën tuaj, ne duam të rrisim cilësinë e arsimit, ta përshtatim atë me tregun, të zhvillojmë dimensionin profesional të tij, të bëjmë që Shqipëria të ecë e sigurt dhe të zhvillohet në rrugën e dijes. Ne kërkojmë votën tuaj, sepse për ne ‘Shqipëria vend i zhvilluar’ është objektivi më madhor, për ne “Shqipëria evropiane” është projekti ynë më madhor.

Së bashku, përpara për Shqipërinë vend e zhvilluar; përpara për punësimin e shqiptarëve; përpara për mirëqenien e tyre; përpara për integrimin e Shqipërisë në Evropë.

Rroftë Fushë Kruja,

rroftë Shqipëria!”


02/05/2013

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›