E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha priti gazetarin e shquar francez Patrick Poivre d’Arvor

Kryeministri Sali Berisha priti në zyrën e tij, në një takim të veçantë, gazetarin e shquar francez Patrick Poivre d’Arvor, i cili me ftesë të Universitetit Europian të Tiranës, ndodhet për disa ditë në Shqipëri.

Gjatë takimit Kryeministri Berisha shkëmbeu me gazetarin dhe shkrimtarin francez Patrick Poivre dÁrvor mendime dhe refleksione në lidhje me politikën franceze ndaj Ballkanit, Shqipërisë dhe shqiptarëve duke evokuar momentet dhe rolin shumë të rëndësishëm të medias franceze për çështjen shqiptare në Ballkan.

Kryeministri Berisha evokoi transformimin pozitiv dhe triumfin e politikës së të drejtave të njeriut kundrejt politikës tradicionale të Francës duke filluar nga presidenti Shirak me rastin e luftës në Kosovë dhe me administrimin e Kosovës nga administratori i parë i Kombeve të Bashkuara, Bernard Kouchner.

Kryeministri Berisha, foli për rolin e mediave perëndimore për të ndryshuar imazhin dhe fatin e çështjes shqiptare në Ballkan dhe në përgjithësi fatin e shqiptarëve në skenën europiane për të kapërcyer izolimin, prapambetjen dhe keqkuptimin rreth Shqipërisë dhe shqiptarëve në tërësi, në mediat më të rëndësishme dhe në opinionin publik perëndimor.

Gazetari Patrick Poivre d’Arvor i cili ndodhej për herë të parë në Shqipëri dhe i cili ka një karrierë ndërkombëtarisht të njohur në ndjekjet e eventeve, ngjarjeve, personaliteteve më të njohurat e botës në afro 40 vitet e fundit, evokoi fort  potencialin shumë të rëndësishëm që ka Shqipëria për të qenë shumë më e pranishme në median ndërkombëtare, në opinionin publik ndërkombëtar, dhe në tërësi në perëndim duke filluar nga turizmi i saj. 


02/05/2013

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›