KE akordon grantin 13 milionë euro ndihmë makrofinanciare për Shqipërinë
Sot paradite, Kryeministri Sali Berisha dhe Përfaqësuesi i Delegacionit të KE-së në Shqipëri, zoti Hubert Petit, në prani edhe të drejtuesve të institucioneve qendrore te vendit, prezantuan grantin prej 13 milionë euro, në kuadër të ndihmës makro-financiare të Komuniteteve Europiane për Shqipërinë.
Në fjalën e tyre, zoti Berisha dhe zoti Petit bënë këto komente:
Zoti Hubert Petit: "Jam shumë i kënaqur që, sot, ju njoftoj sëbashku me kryemistrin Berisha dhënien e një granti prej 13 milion euro ndihmë që Komisioni Evropian i ka disbursuar Shqipërisë. Ky është kësti i dytë dhe i fundit i një ndihme makrofinanciare prej 25 milion euro ndihmë të BE-së që i jepet Shqipërisë në mbështetje të reformave dhe stabilizimit ekonomik në Shqipërisë.
Kjo ndihmë është miratuar nga Këshilli i Ministrave të BE-së në prill 2004 dhe jepet në kontekstin e programit të stabilizimit, të mbështetur dhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar. Qëllimi i kësaj ndihme është të lehtësojë detyrimet e jashtme financiare të Shqipërisë, të forcojë pozitën e saj të bilancit të pagesave dhe të mbështesë procesin e reformave për një sistem ekonomik të orientuar drejt tregut të lirë.
Kjo kërkon përpjekje të vazhdueshme nga ana e autoriteteve shqiptare për të krijuar institucione të forta dhe moderne, si dhe vazhdimësi në politikat makroekonomike që sigurojnë stabilitet ekonomik.
Disbursimi i transhit të fundit të kësaj ndihme u bë i mundur pas plotësimit të një sërë parakushtesh ku përfshihet dhe ecuria e mbarë në programin e stabilizimit ekonomik të mbështetur nga FMN-ja dhe përparimi i bërë në fushat kryesore si manaxhimi i financave publike, administrata publike, sektori financiar, përmirësimi i klimës për biznesin dhe zhvillimi i sektorit privat.
Bordi ekzekutiv i Fondit Monetar Ndërkombëtar bëri një vlerësim pozitiv të performancës trevjeçare të Shqipërisë sipas marrëveshjes për reduktimin e varfërisë dhe rritjes ekonomike dhe marrëveshjes për lehtësi për financimet e zgjeruara, ndërsa Komisioni Evropian vlerësoi pozitivisht përpjekjet e bëra nga Shqipëria veçanërisht gjatë muajve të fundit në fushat e mësipërme.
Kjo ngjarje vjen vetëm disa javë pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim Aosciimit me BE-në dhe tregon se marrëveshja është vetëm fillimi i një faze të re dhe më të vështirë. Siç theksoi dhe presidenti Barroso gjatë vizitës së tij në Tiranë për Shqipërinë nuk është koha për t'i pakësuar përpjekjet e saj. Puna e vërtetë fillon pas nënshkrimit të marrëveshjes. Shqipëria duhet të japë prova për zbatimin e marrëveshjes që do e afrojnë atë edhe më tej me BE-në. Kjo tregon gjithashtu se përpjekjet e bëra nuk shkojnë dëm, por ato vlerësohen.
Sidoqoftë përfitoj nga ky rast për të thënë se procesi i integrimit evropian kërkon përpjekje të përbashkëta nga të gjitha forcat politike shqiptare. Përpjekjet e suksesshme në fushën e reformës ekonomike duhet të kryehen në një mjedis politik më të shëndetshëm, i cili favorizon përparimin. Ngjarjet e fundit në parlamentin shqiptar, fatkeqësisht, treguan mungesën e pjekurisë politike.
Një qendrim më konstruktiv dhe ndarje përgjegjësish janë elementet thelbësorë në këtë kontekst. Gjithashtu është shumë e rëndësishme të shtohen përpjekjet për të arritur konsensus për reformat nëpërmjet dialogut mes të gjitha forcave dhe faktorëve politikë të shoqërisë shqiptare dhe të shmanget klima politike konfliktuale e panevojshme.
Zoti kryeministër , përfitoj nga rasti t'ju përgëzoj juve dhe qeverinë tuaj për realizimet kryesore në fushat e reformave dhe stabilizimit ekonomik, që çuan në disbursimin e ndihmës makrofinanciare të BE-së. Faleminderit".
Kryeministri Berisha: "Sot, jemi mbledhur këtu për t'i bërë me dije publikut shqiptar hapin më të fundit në bashkëpunimin e ngushtë dhe të shkëlqyer të Shqipërisë me Bashkimin Europian në kuadër të Procesit të Stabilizim Asociimit.
Në përkrahje te reformave ekonomike dhe stabilizuese në Shqipëri, Komisioni Evropian i akordoi Shqipërisë javën që shkoi, më 31 korrik 2006, një ndihmë financiare grant prej 13 milion euro. Kjo dhuratë është paketa e dyte e asistencës makrofinanciare prej 25 milion euro që Këshilli i Ministrave të Bashkimit Evropian ka miratuar për Shqipërinë. Paketa e pare prej 3 milon euro në formën e grantit dhe 9 milion euro në formën e kredisë është disbursuar respektivisht në nëntor të vitit 2005 dhe në mars të këtij viti.
Synimi i kësaj asistence është të forcojë stabilitetin makroekonomik dhe politik në Shqipëri, duke i hapur kështu rrugë thellimit të mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Shqipërisë. Ky synim përputhet plotësisht edhe me qëllimin kryesor të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.
Por kjo asistencë ka një rëndësi të madhe edhe për simbolikën e saj. Ajo është konfirmim i suksesit të reformave që kemi ndërmarrë për përmirësimin e menaxhimit të financave publike, për reformimin e administratës publike, për konsolidimin e financave, si dhe për promovimin e një klime favorizuese për bizneset dhe zhvillimin e sektorit privat. Kjo asistencë vjen si rrjedhojë e vlerësimit pozitiv të garancive e institucioneve financiare, procedurave administrative, si dhe mekanizmave të kontrollit në Shqipëri.
Ky vlerësim pozitiv, si dhe vlerësimi i 24 korrikut 2006 i Fondit Monetar Ndërkombëtar se politikat ekonomike, makrofinanciare dhe ato fiskale në Shqipëri po shkojnë në drejtimin e duhur, janë ato që hapën dritën jeshile për dhënien e kësaj ndihme.
Me këtë rast, dëshiroj të shpreh edhe një herë mirënjohjen e thellë të qeverisë shqiptare kundrejt Komisionit Evropian, Bashkimit Evropian dhe vendeve të tij anëtare për këtë ndihmë bujare, si edhe për investimin kolosal që kanë bërë gjatë gjithë këtyre viteve në Shqipëri.
Sikundër dëshiroj të siguroj Komisionin Evropian, Bashkimin Evropian dhe vendet anëtare se qeveria shqiptare është e vendosur të ndërmarrë çdo reforme për të implementuar me sukses dhe për të shndërruar në realitet kontratën e firmosur nga kjo qeveri me Bashkimin Evropian, Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit në mënyrë që vendi të përgatitet gjithnjë e më shumë për integrimin e tij të plotë në familjen evropiane së cilës i përket.
Dua gjithashtu të siguroj Komisionin Evropian, Bashkimin Evropian dhe vendet anëtare se qeveria, maxhoranca që unë kryesoj është e vendosur, e hapur në frymën e bashkëpunimit dhe tolerancës të përfshijë në këtë proces të gjithë faktorët e rëndësishëm politikë të vendit, ta konsiderojë këtë proces si një proces të përbashkët të shoqërisë shqiptare dhe forcave politike, në mënyrë që të ecë më i sigurtë. Në këtë kontekst, dëshiroj të theksoj se të gjitha reformat politike që ndërmerr dhe do të ndërmarrë qeveria nuk do të kenë synim tjetër përveç standarteve, realizimit dhe plotësimit të standarteve politike dhe të tjera që kërkohen nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit.
Edhe një herë dua t'ju garantoj se integrimi i Shqipërisë në BE dhe NATO mbetet objekti më madhor kombëtar i qeverisë që unë kryesor dhe i shoqërisë shqiptare në tërësi. Faleminderit për këtë dhuratë të çmuar që iu bë shqiptarëve nga Komisioni Evropian".
Më pas, zoti Berisha dhe zoti Petit iu përgjigjën interesimit të mediave:
Pyetje: Zoti Petit, kemi një përpjekje këto ditë të mazhorancës për t'u ulur në tryezën e bashkëpunimit me opozitën dhe një refuzim për dialog nga ana e opozitës, e cila e ka bërë të qartë tashmë se gjuha e vetme e bashkëpunimit me mazhorancën është ajo e protestave dhe bllokimit të institucioneve. Si e vlerësoni këtë situatë dhe çfarë do t'u rekomandoni të dy palëve?
Zoti Petit: Doja të nënvizoja se Komisioni Europian mbështet atë që presidenca e Bashkimit Europian ka theksuar kohët e fundit se, ne jemi të shqetësuar për përkeqësimin e situatës politike në vend. Ne jemi shokuar për ngjarjet e fundit në parlament dhe i bëjmë thirrje qeverisë dhe opozitës të marrin përsipër përgjegjësitë e tyre thelbësore politike për të ardhmen e Shqipërisë dhe të qytetarëve të saj.
Pyetje: Zoti Kryeministër, dje LSI ka dhënë disa mesazhe ndryshe nga PS, për t'u ulur në tryzën e bashkëpunimit, duke propozuar ndryshime në Kodin Zgjedhor, por dhe në përbërjen e KQZ-së. A do të jeni të hapur për t'u ulur në tryezë si mazhorancë?
Kryeministri Berisha: Partia Demokratike dhe qeveria mbeten tërësisht të hapura për dialog me opozitën në përgjithësi dhe me forca politike të saj në veçanti. Ne jemi të gatshëm të ndryshojmë Kodin Zgjedhor në të gjitha ato nene të cilat janë të kërkuara nga ODIHR dhe OSBE. Edhe një herë ftoj sinqerisht opozitën të angazhohet me të gjithë potencialin e saj për lista korrekte zgjedhësish, duke marrë përsipër shmangien e dublikimeve në lista. Unë e siguroj opozitën se do të ketë gjithë mbështetjen financiare dhe logjistike të qeverisë për të përmbusur këtë detyrim. Listën e zgjedhësve ne e konsiderojmë një proces totalisht të hapur .
Lidhur me bordet e mediave, ne kemi bërë ofertën tonë. Ata le të sjellin në parlament ligjin për "par condicio", sipas të cilit mazhoranca dhe opozita të kenë të njëjtën kohë në media. Për të gjitha modalitetet e funsionimit të këtyre bordeve le t'i drejtohemi Këshillit të Europës dhe Bashkimit Europian. Shqipëria ka një kontratë me këto institucione dhe le të marrim rekomandimet e tyre më të mira për një funksionalitet ligjor bashkohor të këtyre institucioneve shumë të rëndësishme për vendin tonë.
Pyetje: Opozita pretendon se ju si mazhorancë, në mënyrë të paligjshme, keni marrë një anëtar të KQZ-së. Atëherë si do të marrë zgjidhje ky pretendim?. E dyta, përsa i përket listave të zgjedhjeve, ju mendoni se është detyrim i opozitës që të ndërmarrë verifikimin e listave? Përse nuk bëhet e mundur që zgjedhësve në rregjistrin e përkohshëm t'u jepet një afat për t'u rregjistruar në rregjistrin e përhershëm?
Kryeministri Berisha: Lidhur me anëtarin e KQZ-së, në të gjithë historikun e këtij komisioni dhe pikërisht në kohën kur këta zotërinj kanë qene kryeministra, raporti në KQZ ka qenë 6 me 1 dhe në variantin më të mirë ka qenë 5 me 2. Në vitin 2004 u vendos ballanca 4 me 3 në favor të qeverisë. Përsa kohë të funksionojë kjo formulë drejtimi qeveria nuk mund të pranojë të bjerë në pakicë, sepse nuk mund të përmbushë përgjegjësitë e saj për zgjedhje. Opozita ka 3 anëtarë dhe bllokon cdo vendim për rezultatin, por me 4 anëtarë ajo kërkon të bllokojë të gjithë procesin e detyrimeve të qeverisë në zgjedhje. Ne nuk mund ta lemë vendin pa zgjedhje.
Le t'i rikthehemi ligjit. Formulimi i nenit, në gërmë, është i zbatuar siç u zbatua në parlament dhe në KLD për zonjën Subashi. Eshtë identik. Në atë periudhë, në të cilën komisioni u bë 5 me 2, nuk kishte mëdyshje që moralisht anëtari i komisionit i takonte opozitës, por ai iu dha qeverisë. Kështu që, përsa i përket anëtarit të KQZ-së, me këtë kompozim dhe me këtë vendimarrje është jashtë çdo lloj koncepti që qeveria mund të dorëzojë prishjen e zgjedhjeve.
Përsa i përket çështjes së verifikimit të listave, opozita është shumicë në qeverisjen vendore. Listat janë atribut i qeverisjes vendore. Qeveria ka financat për to dhe është e gatshme t'ia vërë ato në dispozicion. Në rast se opozita mendon se është një vëllim shumë i madh pune në të gjithë vendin, le të kontrollojë vetëm bashkitë dhe komunat tona dhe ne të kontrollojmë bashkitë dhe komunat e tyre. Kjo është zgjidhja.
Pyetje: Nëse opozita nuk pranon të ulet për të bërë ndryshimet e duhura në Kodin Zgjedhor, a do të shkojmë në zgjedhje me Kodin aktual?
Kryeministri Berisha: Ata që lexojnë rekomandimet e OSBE/ODIHR-it do të gjejnë në to rekomandime se impakti i tyre kryesor është për zgjedhjet e përgjithshme. Në këtë kontekst, do të shkohet në zgjedhje dhe ky kuadër ligjor, në prani të vullnetit të qartë, mundëson zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ne garantojmë komunitetin ndërkombëtarë dhe të gjithë qytetarët shqiptarë se jemi tërësisht të përcaktuar për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Opozita deri tani rezulton se vendimin e ka marrë me kohë për të mos marrë pjesë në zgjedhje, për arsye të rivalitetit mes Nanos e Ramës e të tjerëve. Por këto nuk janë çështje të qeverisë.
Pyetje: Zoti Petit, kemi një opozitë që edhe pas deklaratave të Ambasadorit Annen, thotë se nuk duhet të ulet në tryezë me mazhorancën me kushtet që ajo vendos. A keni një parashikim se çfarë do të ndodhë në shtator kur sërish ky lloj parlamenti mund të përsëris të njëjtat skena që ju kanë shokuar ju?
Zoti Petit: Bashkimi Europian, po përfshij këtu edhe atë që Ambasadori Annen përsëriti disa ditë më parë, ju bën thirrje të dyja palëve të fillojnë një dialog politik dhe të gjejnë rrugët për të zhbllokuar gjendjen aktuale. Në një sistem demokratik europian, bojkoti dhe obstruksioni nuk janë mjete politike të pranueshme. Kjo është arsyeja përse ne i bëjmë thirrje qeverisë dhe opozitës të fillojnë punën dhe të përgatisin zgjedhje të lira dhe të ndershme, duke vënë në përdorim institucionet demokratike të vendit.