E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zhvillohet mbledhja e Task Forcës kundër korrupsionit

Sot, u zhvillua mbledhja e Task Forcës kundër korrupsionit, në të cilën u diskutuan arritjet konkrete dhe masat e mëtejshme të qeverisë në luftën kundër korrupsionit.

Në fjalën e tij, ndër të tjera Kryeministri Sali Berisha u shpreh:

"Ky takim i Task-Forcës kundër korrupsionit është thirrur për të filluar një fazë të re në luftën kundër korrupsionit. Gjatë kësaj periudhe, e përqëndruar në tërësi në rivendosjen e shtetit ligjor, në hartimin e akteve ligjore dhe nënligjore serioze me të cilat administrata doli jashtë konfliktit të interesit, në mundësimin e pjesëmarrjes së gjërë të publikut në luftën kundër këtij kanceri dhe në përpjekjet përë të bërë prokurimet më transparente, u arritën rezultatet e para shumë të rëndësishme.

Rezultati më konkret ishte buxheti suplementar. Ky buxhet në çdo qindarkë të tij u bë i mundur nga lufta kundër evazionit fiskal dhe kontrabandës. Ky buxhet shënon kthesën e vërtetë serioze në shkëputjen nga sistemi i korrupsionit.

Rezultat tjetër madhor i luftës kundër korrupsionit është shkurtimi me rreth 40 përqind i shpenzimeve operative në administratë, shpenzime të cilat përbënin një total prej mbi 45 milionë eurosh dhe që shkonin të gjitha për bileta të klasit të parë, djeta e fundjava brenda dhe jashtë vendit, telefonata dhe shpërdorime e abuzime të tjera, kilometrazhe 300-400 km në ditë, etj.

Arritje tjetër madhore e luftës kundër korrupsionit ka qenë zvogëlimi i kostos së prokurimeve publike. Për shkak të hapjes së procedurave të transparencës, prokurimet publike të administratës qendrore, të ministrive të linjës dhe institucioneve të ndërvarura janë realizuar në tërësinë e tyre së paku me një kosto 25 përqind më të ulët.

Këto janë rezultatet më evidente.Çdo gjë në këtë betejë matet me qindarka dhe jo me fjalë, matet me antiryshfetet, matet me një performancë financiare më të mirë.

Këto rezultate përbëjnë vetëm një stacion në betejën tonë në luftën kundër korrupsionit. Ne tashmë shpallim etapën e dytë të instalimit të procedurave të reja, procedura që përjashtojnë korrupsionin. Shembulli që ndoqëm me maturën shtetërore, e cila para së gjithash kishte vullnetin politik, ku nëpërmjet procedurës ia dolëm të përjashtojmë korrupsionin, duhet të ndiqet edhe në sektorë të tjerë. Duhet të ndiqet çdo procedurë për të përjashtuar korrupsionin dhe toleranca në këtë drejtim do të jetë zero, sepse kjo do të jetë çështje e vullnetit tuaj politik.

Ne duam të luftojmë korrupsionin në ndërtim. Për këtë ka vetëm një rrugë kryesore që Ministria e Punëve Publike dhe Ministria e Brendshme të imponojnë me detyrim dhe sanksione përfundimin sa më shpejtë të planeve të përgjithshme rregullatore urbanistike të qyteteve dhe komunave. Vetëm në këtë mënyrë do të shkatërrohet "moduli Rama", që është moduli i megakorrupsionit në këtë fushë. Ky modul i shpikur prej tij i tipit "vidh e puno, puno e vidh" nuk mund të ndodhë më. Është e vërtetë që po ecim me plane të pjesshme, por këto plane urbanistike janë absolutisht të tipit "vidh e puno". Nëse do kalohet në plane të përgjithshme, nuk do të mund të vidhet më, sepse lejet fitohen automatikisht dhe nuk do të ketë më nevojë për të paguar asnjë qindarkë për të marrë këto leje. Prandaj le të përcaktojmë edhe këtë si përparësi absolute, qoftë edhe me sanksione buxhetore shumë të rrepta. Le të përdoren taksat për të mos vjedhur më qytetarët. Ky është morali i kësaj nisme. Le të shpenzojmë për planet urbanistike të përgjithshme në mënyrë që qytetarët të mos grabiten më nga ryshfeti.

Zotërinj të tatimeve, në mënyrë emergjente duhet të përcaktoni procedurat, të shpëtoni biznesmenët nga arbitrariteti i taksambledhësve të korruptuar. Kjo është përparësi absolute. Po ashtu, është tepër urgjente shorti në gjykata, pasi ashtu siç dëshmojnë kontrollet, shorti hidhet në Vlorë dhe fiton ai që bën pushimet në "cote d'azur". Po kështu KESH-i, Telekomi, hipoteka, zyrat e lëshimit të pasaportave.

Do ketë dy parime themelore për procedurat: antikorrupsioni dhe shërbesat, por jo tarifat. Ju përcaktoni parimet kryesore se si t'i shërbeni më mirë qytetarit në mënyrë jokorruptive.

Është bërë progres i madh në lëvrimin e pasaportave. Kjo është për t'u përgëzuar. Por edhe kjo procedurë duhet të rishqyrtohet në mënyrë që të mos jetë e mundur të futet asnjë qindrakë në xhepa.

Sigurisht personaliteti dhe integriteti i personave ka rëndësinë e vet në luftën kundër korrupsionit, por kjo luftë duhet të bazohet para së gjithash në procedura antikorruptive. Nuk duhet të përdorim justifikime se kështu funksionon në një vend e kështu funksionon në një vend tjetër. Jo, pasi këto vende nuk janë të dënuara nga korrupsioni ashtu si ne.

Privatizimi i shërbimeve të bëhet me shpejtësinë më të madhe kudo ku është e mundur. Ministra e Punëve Publike, Ministria e Brendshme dhe ministritë e tjera duhet që me shpejtësi të madhe të procedojnë në privatizimin e shërbimeve. Shteti vetëm ruan mbikqyrjen në këto shërbime dhe bëhet gardian i ligjit. Përse duhet ta bëjë shteti kolaudimin e automjetit? Vetëm që t'i zhvasë para qytetarit gjatë kolaudimit? Ndaj duhet privatizim dhe me shpejtësi. Përparësia është e dyfishtë në këto privatizime.Çdo vend privatizon për të rritur efiçencën, kurse ne privatizojmë për efiçencën dhe antikorrupsionin. Pra kemi dy motive themelore: antikorrupsioni i pari dhe efiçenca e dyta.

Prej dy muajsh Zëvendëskryeministri, në krye të një grupi pune, po merret me shqyrtimin e procedurave në mënyrë që të mundësohet thjeshtimi i tyre dhe ulja e kosots së tyre për qytetarin. Ndaj, zoti Zëvendëskryeministër duhet të paraqitni projektet e të gjithë platformës tuaj antikorrupsion në këto procedura. Kjo ka rëndësi edhe për Ministrinë e Arsimit, pasi këto procedura duhet të shtrihen në të gjitha provimet e universiteteve. Ato duhet të shtrihen në të gjitha garat që bëhen. Departamenti i Administratës Publike duhet detyrimisht të aplikojë procedurën më të qartë në rekrutimin e punonjësve të administratës.

Shqyrtoni çdo procedurë. Një qytetar më njofton se shefi i qarkullimit nuk lejon automjetin e tij, ndërsa të tjerëve u merr 500 euro. Unë nuk mund të them se ka marrë ndonjë qindarkë ky shef qarkullimi, por mund të them se shefat ndërtojnë pallate dhe në këto 15 vjet janë bërë të kamur. Ky është një realitet i hidhur. Ndaj duhet të përcaktohen procedurat se si as shefi i qarkullimit, as ministri e askush tjetër të mos mund të marrë dot asnjë qindarkë. Sepse askush nga qytetarët nuk ka dëshirë të japë para nga xhepi. Dhënia e rryshfetit nuk mund të ekzistojë si dëshirë njerëzore as në Shqipëri sikurse në asnjë vend të botës.

Nuk ekziston më asnjë pengesë për t'i mundësuar këto procedura të reja. Duhet të uleni me ekipe, me stafe dhe me vëmendje të shqyrtohen dhe rishqyrtohen, të vlerësohen dhe rivlerësohen procedurat, që le t'i quajmë, antirryshfet".

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›