E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha denoncon prirjen antiglobaliste të një grupi të vogël eksponentësh majtistë në vend

Edi Rama, antiglobalist sipas doktrinës marksiste, i vënë kryekëput në shërbim të mafies  

Kryeministri Sali Berisha denoncoi dje gjatë mbledhjes së KRRTRSH-së, qëndrimet antiglobaliste të eksponentëve të majtë në vend, të cilët nuk mbrojnë interesa të majta, por mbrojnë kryekëput interesa të mafies. Kreu i qeverisë iu referua pozicionit të kryesocialistit Edi Rama, i cili me qëndrimet e tij kundër zhvillimit të vendit, fsheh qëllime mafioze. 

“Kriteret e mbrojtjes dhe zhvillimit të mjedisit dhe jo antiglobalizmi do të jenë përcaktuese për të gjitha vendimmarrjet e ardhshme. Edhe njëherë dua të denoncoj me forcën më të madhe antiglobalizmin si një transfigurim i doktrinës së vjetër marksiste-leniniste, e cila, fatkeqësisht, në Shqipëri është ngulitur dhe mishëruar në një grup të vogël eksponentësh të së majtës shqiptare, të cilët nuk mbrojnë aspak interesa të majta, por mbrojnë kryekëput interesa të mafies. Ky është realiteti, ndaj nuk kam ndërmend të përfill dhe as të dëgjoj antiglobalizmin e tyre, sepse ai, në vetvete, është një armik i mjedisit. Ju e keni të qartë se për kë është fjala, u shpreh kryeministri, duke theksuar se Edi Rama, të nesërmen e mbledhjes së javës së kaluar të KRRTRSH-së, doli dhe në mënyrën më të papërgjegjshme u deklaroi shqiptarëve se TEC-e me qymyr nuk ndërtohen më kurrkund në Evropë, ndonëse ato janë në rikthim të fuqishëm. TEC-e, po ndërtohen tre të tillë në Itali, tre në Gjermani dhe për ironi të fatit, ditën që ai deklaronte se këto TEC-e nuk ndërtohen më askund në Evropë, nga Banka Botërore u vendos të ndërtohet një nga TEC-et më të mëdhenj në rajonin e Kosovës. Unë e përshëndes këtë vendim. TEC-e të tillë po ndërtohen në Çeki dhe në Holandë, në vendet ku kryefjala e të gjitha politikave është mbrojtja e mjedisit. Kjo është dhe arsyeja se përse unë nuk dëgjoj zërin e antiglobalistëve, sepse e bazojnë tërësisht në mashtrim. Sa serioze është t’u dalësh dhe t’u deklarosh qytetarëve të tu se në Evropë nuk ndërtohen më TEC-e me qymyr, kur janë në ndërtim e sipër me dhjetëra të tillë? Cila është përgjegjësia ndaj zhvillimit të vendit? Ky është vetëm antiglobalizëm”, nënvizoi kreu i qeverisë Berisha. 

Shefi i ekzekutivit theksoi se e bëri këtë ekspoze sepse është i bindur që nesër me fabrikat e çimentos do të lidhet edhe njohja apo mosnjohja e zgjedhjeve. 

“Kështu e bëri edhe më mbledhjen e mëparshme, ku doli dhe tha se me këto termocentrale nuk i njoh zgjedhjet”, tha kryeministri.

Zonat turistike, kriter bazë, zhvillimi i integruar i tyre dhe me standarde unike

Kryeministri Berisha u shpreh dje në mbledhjen e KRRTRSH, se një vëmendje e veçantë do të fokusohet tek zhvillimi dhe integrimi i zonave turistike.

Sipas kryeministrit, për zhvillimin e zonave turistike duhet të respektohen me përpikëri disa standarde unike, për të parandaluar dëmtimet e rënda urbanistike. 

“Në mbledhjen e kaluar u miratuan rreth katër zona në Gjirin e Lalzit për zhvillim turistik. Së pari, duhet të jetë kusht themelor që ato të zhvillohen në lartësinë dhe mënyrën e shfrytëzimit të përcaktuar për atë zonë që është jo më e lartë se 3 kate dhe në përqindjen e përcaktuar. Së dyti, që është po kaq e rëndësishme, do të jetë vetëm zhvillim i integruar i tyre edhe sikur të jetë tërësisht pronë e një individi. Çdo gjë që vjen këtu dhe që miratohet nga Sekretaria Teknike dhe KRRTRSH-ja do mund të zhvillohet më tej veçse si një investim dhe një zhvillim i integruar. Duhet të zhvillojmë këtë sens në interesin më të mirë të çdo pronari, të çdo individi dhe vendit në tërësi. Ne kemi një shans unik në mbarë Evropën, pasi kemi një vijë bregdetare të paprekur në pothuajse 93-94 për qind të gjatësisë së saj”, tha kryeministri. 

Berisha citoi se do të ishte e pafalshme të ripërsëritej Durrësi, që ka qenë një ndër plazhet më të bukura të Evropës dhe tani është katandisur në një situatë shumë të rëndë nga ana urbanistike. 

“Nuk mund të them se nuk është dëmtuar edhe Golemi, ndonëse jo në atë shkallë, por pjesa tek Shkëmbi i Kavajës ka dëmtime të thella. Kjo histori nuk do të përsëritet më. Parcelat që miratohen këtu për zhvillim do të zhvillohen në tërësi dhe jo ndryshe. Është pasuri individuale, por turizmi është një problem kombëtar i rëndësisë kryesore. Ndaj, sekretaria teknike nuk do të pranojë asnjë ndryshim mbi planin e përcaktuar, asnjë shfrytëzim jashtë shfrytëzimit të integruar të zonës dhe do të përcaktojë qartë standardet e ndërtimit. Është një shans unik që kemi dhe le t’i zhvillojmë këto zona në standardet më të shkëlqyera. Ne e kemi këtë mundësi dhe nuk duhet të udhëhiqemi nga babëzia, por nga parashikimi i qartë i rëndësisë së madhe që ka një zhvillim i harmonishëm, jashtë betonizimit, të prirë nga fitimi i madh dhe dëmtimi i parikthyeshëm i mjedisit”, theksoi kryeministri. 

Kriteri themelor i investimeve, mbrojtja dhe zhvillimi i mjedisit

Kryeministri Berisha gjykon se pikënisje kryesore për realizimin e këtyre investimeve të miratuara në mbledhjen e KRRTRSH-së, është mbrojtja e mjedisit. Kreu i qeverisë u shpreh se do të përcaktohen shumë qartë teknologjitë që do të përdoren si dhe të gjithë faktorët më të cilët industria e çimentos ndikon në mjedis. 

“Ka një kriter themelor, që është mbrojtja dhe zhvillimi i mjedisit. Meqenëse grupe dhe organizata të shoqërisë civile që merren me problemet e mjedisit kanë shprehur shqetësime për potencialin e mundshëm ndotës të kësaj industrie, ne do t’i miratojmë këto sheshe, por kushti për ndërtimin e tyre dhe për kapacitetet e tyre do të përcaktohet nga rezultati i studimit të efektit kumulativ  të saj, e cila shtrihet nga Fushë Kruja në Bushat. Dihet që kodrat bazike të Shqipërisë përbëjnë një material të klasit të parë dhe gurët e tyre gëlqerorë përbëjnë një material të cilësisë të parë për çimento, por do të qartësojmë se cili është efekti kumulativ i tyre në hapësirën e këtij territori”, u shpreh kryeministri, duke theksuar se studimi, duhet të jetë transparent dhe duhet të jetë objekt i një diskutimi të hapur me grupet e interesit, duke përmendur si një shembull pozitiv në këtë drejtim rastin e TEC-it në Vlorë, ku u nënshkruan një marrëveshje me përfaqësuesit e tyre. “Ky TEC prodhon ndotje sa 500 vetura ‘Mercedez Benz’. Pra, ndotja e tij është dy herë më e ulët, sesa ajo që parashikohet në standardet evropiane. Unë jam i bindur se është vepruar drejt dhe po kështu do të veprohet edhe me industrinë e çimentos, një industri jetike për vendin tonë”, deklaroi Berisha.

Gjithashtu, në mbledhjen e djeshme, KRRTRSH-ja miratoi edhe një seri detyrash projektimi për planin e përgjithshëm rregullues të disa qyteteve të vendit dhe disa studime urbanistike për zonat turistike.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›