Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave, Kryeministri Berisha bëri një përmbledhje të punës dhe të arritjeve të qeverisë për vitin 2006. Kryeministri u ndal veçanërisht tek re
Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave, Kryeministri Berisha bëri një përmbledhje të punës dhe të arritjeve të qeverisë për vitin 2006. Kryeministri u ndal veçanërisht tek reformat e ndërrmara në të gjitha fushat, duke vlerësuar rëndësinë e tyre, në përmirësimin e jetës në vend.
Duke analizuar kuadrin ligjor, të miratuar gjatë këtij viti, Kryeministri u shpreh se këto ligje dhe vendime u vendosën në bazën e reformave, për të cilat vendi kishte nevojë emergjente. Si rolin më të rëndësishëm të reformave, Kryeministri veçoi atë mundësimit të nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me BE-në, mesazhin e Samitit të Rigës për Shqipërinë, etj
"Kjo është mbledhja e fundit e këtij viti, vit në të cilin ky kabinet ka miratuar qindra ligje, vendime, marrëveshje që kanë përbërë bazën e reformave më të thella, të reformave, për të cilat vendi kishte uri të madhe, e refomave që bënë të mundur nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asoccimit të Shqipërisë me BE, refomave që bënë të mundur mesazhin e Rigës për Shqipërinë dhe shqiptarët, reformave të cilat i dhanë një përgjigje me tolerancë zero, krimit të organizuar dhe trafiqeve kriminale, reformave të cilat bënë të mundur që në një vit të angazhuar në luftën kundër korrupsionit të shpëtohen nga labirinthet e kontrabandës, evazionit fiskal, por dhe shpërdorimit të buroktracisë, jo më pak se gjysëm miliardi euro, reforma të cilat vendosën standarte të reja në shpërndarjen e të ardhurave. Asnjëherë ky shtet nuk ka qenë më social se sot. Nesër do të jetë edhe më social. E kam shumë të qartë se edhe këtu në kabinet përkrahësve të Hajekut nuk u pëlqen ky term, por unë duhet tu them atyre se unë nuk do të resht së përdoruri atë derisa Shqipëri të dalë nga problemi i kafshatës. Pastaj vërtet vlera e tij nuk i humbet kurrë, transformohet në disa funksione të tjera sociale të shtetit."
Kryeministri Berisha nënvizoi si një arritje të rëndësishme të qeverisë rritjen e pensioneve në qytet dhe në fshat si dhe rritjen ndjeshëm të pagave të administratës.
"Në këtë aspekt ne ia dolëm që punonjësit e kësaj administrate të kenë rritjen më të madhe, përveç atyre me rroga të larta, që kanë patur 10 vitet e fundit. Ne ia dolëm të vendosim një kufi minimal për pensionin në qytet duke bërë të mundur një rritje sipas kategorive nga 10 % deri në 40 % të pensioneve të atyre që merrnin nën 100 mijë lekë (të vjetra). Ia dolëm të ndahemi nga ato shpërblime qesharake, në fshat, për pension, dhe të vendosdim një pension prej 50 mijë lekë (të vjetra) minimumi, skemë nga e cila përfituan mbi 390 mijë pensionistë."
Kryeministri u ndal gjithashtu në një sërë projektesh me rëndësi madhore për vendin, të cilat janë realizuar ose janë në realizim e sipër.
"U ndala tek disa probleme që janë edhe më të ndjeshme për njerëzit, por janë dhe një seri projektesh të mëdha si rruga Durrës-Morinë, projekti më i madh publik rrugor në historinë e vendit, autostradë e standarteve më të mira bashkëkohore. Ia dolëm të zbatojmë një seri projektesh të tjera, si autostradën Lushnje-Fier, qytetet pothuajse në trase janë bashkuar. Ia dolëm të trefishojmë financimin e kreditit për projektet publike, një seri projektesh të tjera janë tenderuar. Është tenderuar dhe shpallur fituesi për segmentin Milot-Rrëshen. Është tenderuar dhe do të shpallet fituesi për rrugën Fier-Vlorë. Është në proces rruga Korçë-Qafë Pllloçë, për të vazhduar pastaj se me by-pass-in e Fierit, kthesën e Kamzës dhe një seri projektesh të tjera."
Duke folur për arritjet e qeverisë në fushën e biznesit, Kryeministri theksoi se në sajë të zbatimit të një pakete masash u synua që Shqipëria të bëhet vendi më tërheqës për investimet e huaja.
"Në një vit reforma rregullatore e biznesit ka bërë hapa shumë të rëndësishme. Jo vetëm Shqipëria u ngjit në vendin e parë për uljen e taksave si përqindje, por dhe një seri masash të tjera, përfshi këtu nismën Shqipëria 1 euro", të cilat vendosën që Shqipëria të bëhet një vend atraktiv, vendi më atraktiv për investimet e huaja. Përpjekje serioze janë bërë në të gjitha fushat. Do te vecoja disa ligje fondamentale për vendin. Ligji i ri i prokurimeve publike,është ligji i ndërtuar mbi bazën e direktivës së BE. Ligji i ri i partnetritetit publik, privat, mbi bazën e standarteve më të mira të kohës. Ligji i ri i kthimit dhe kompesimit të pronave, ne respektim të plotë të parimeve të pronësisë. Ligji i legalizimeve dhe reforma e legalizimit,një nga proceset më të rendësishme të refomës së pronësisë dhe vendosjes së shtetit ligjor, të luftës kundër informalitetit. Gjithashtu përpjekje shumë serioze u bënë në fushën e mjedisit, për te ecur drejt standarteve të tij."
Për sa i përket masave të marra në ndihmë të fermerëvve, Kryeministri tha se është adoptuar një qëndrim i ri ndaj tyre dhe janë bërë përpjekje konkrete për të modernizuar tregun si dhe për te realizuar një seri shërbimesh.
"Ka patur një qëndrim të ri ndaj fermerëve shqiptarë. Së pari viti u përqëndrua në emergjencën e tyre, për ti mbrojtur ata nga përmbytjet, por edhe disa mekanizma të tjera u kanë krijuar atyre mundësi më të mëdha për tegun e brendëshëm. Ne bëmë përpjekje të verteta për të modernizuar tregun e tyre, për të krijuar qendrat e grumbullimit në disa nga qytetet, u krijua një sistem zinxhir shërbimesh. U realizua subvencioni i naftës, sipas një skeme e cila funksionoi shumë mirë për agrobiznesin dhe prodhimin e përqëndruar."
Gjithashtu Kryeministri u ndal në progresin e bërë në fushën e drejtësisë, mbrojtjes, kulturës e shëndetsisë.
"Qëndrimi i ri është vendosur ndaj institucioneve të vuajtjes së dënimit. Këto institucione po ecin drejt standarteve. Fakti që këtë vit Ministrisë së Drejtësisë i është akorduar përqindja më e madhe e investimit dëshmon për vullnetin tonë që ata që vuajnë dënimin gëzojnë ato standarte të drejtash që u takojnë.
Mbrojtja ka bërë një progres shumë të madh me reformat në Forcat e Armatosura dhe afrimin e standarteve me NATO-n. Qeveria ka marrë vendimet përkatëse për të garantuar të gjithë mbështetjen financiare të reformave për të rritur buxhetin në vitin 2008, në 2 për qind të GDP-së, sipas kërkesave të NATO-s. Sërish dua të thekoj se ne do të bëjmë cdo përpjekje që të meritojmë ftesën.
Suksesi i këtyre reformave ka qenë përcaktues, por dua të theksoj se përpjekje serioze janë bërë për reformimin e sistemit shëndetsor. Natyrisht reformat në këtë sistem kerkojnë durim, por së pari u nxorr nga kolapsi, skema financiare e përballimit.
Ky vit shënon një ridimensionim të ri të funksionimit finaciar të shërbimit parësor dhe funksionimit në tërësi. Kultura e turizmit u karakterizua nga një shtim prej 32 përqind të numrit të turistëve që përbën një bum për Shqipërinë .
Kultura ishte viti i Kadaresë, kombi e nderoi me të gjithë respektin që meriton, si gjeni i letrave shqiptare, në 70 vjetorin e tij.
Dua te theksoj se përpjekjet tona nuk do të mund të kishin patur arritjet aktuale pa funksionimin, kontributin e shkëlqyer të Ministrisë së Brendëshme, e cila ia doli,të përmbushë misionin e saj në luftën kundër krimit të organizuar, kundër trafiqeve, si dhe tu shërbejë qytetarëve në të gjitha aspektet, ndaj dhe për të gjitha këto, Ministri i kësaj Ministrie iu dorëzua qytetarëve të Tiranës, si suksesi më i mirë i kësaj qeverie.
Shërbimi diplomatik i vendit, ka përmbushur me dinjitet misionin e tij, ka bërë avokatinë e reformave dhe ka mbrojtur interesin kombëtar. Ka promovuar dhe mbrojtur qëndrimet e qeverisë dhe jo vetëm të qeverisë, por edhe të vendit në tërësi, në lidhje me Kosovën, me rajonin, si dhe ka ndërrmarrë një numër të konsiderueshëm marrëveshjesh të cilat kanë zgjeruar dhe konsoliduar infrastrukturën ligjore të bashkëpunimit të Shqipërisë me BE, me NATO, vendet anëtare të BE, SHBA-në dhe vende të tjera mike.
Gazetarët që janë këtu, besoj se duhet të thonë me vete, këtu vetëm sukseset po përmenden. Por mos harroni se është festë, dhe në festa vetëm ato përmenden, por të jeni të sigurtë se nuk pengohemi për të njohur defektet, gabimet, të metat dhe mbi këtë bazë ti korigjojmë dhe të ecim para.
Brenda datës 15 janar unë kërkoj nga ju dhe stafet tuaja, planin e punës, për vitin 2007.
Në përfundim të fjalës së tij, Kryeministri Berisha rezervoi një përshëndetje dhe një falenderim të veçantë për të gjithë punonjësit e administratës, për punën e tyre dhe ekspertizën e rëndësishme në trajtimin e problemeve, si dhe gazetarët, për seriozitetin dhe profesionalizmin e tyre në pasqyrimin e mbledhjeve të këshillit të Ministrave.
"Duhet të shpreh një mirënjohje të thellë për të gjithë punonjësit e administratës, punën e tyre shumë të çmuar, ekspertizën e tyre tejet të rëndësishme, pa të cilën të gjitha ato që përmenda do kishin qenë të pamundura. Ju zotërinj ministra për përkushimin që keni dëshmuar ndaj misionit tuaj dhe do ta mbyll duke falenderuar këta gazetarë, që i kemi këtu, të cilët i kanë përcjellë mbledhjet e qeverisë me një profesionalizëm dhe seriozitet të merituar."