Kryeministri Berisha dhe Kryeministri Sanader: Të lobojmë së bashku për projektin madhor të gazsjellesit Trans Adriatik

- Nënshkruhen 4 marrëveshje të rëndësishme në fushën ekonomike dhe diplomatike mes Shqipërisë dhe Kroacisë
Kryeministri Berisha, i cili po zhvillon sot një vizitë zyrtare në Kroaci, u prit në një takim të veçantë nga Kryeministri i Kroacisë Ivo Sanader.
Pas takimit mes tyre, të dy Kryeministrat dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp, në të cilën vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera miqësore mes dy vendeve, në të gjitha fushat. Kryeministri i Kroacisë Sanader përshëndeti me përzemërsi dhe i uroi mirëseardhjen Kryeministri Berisha në këtë vizitë të tij.
Të dy personalitetet vlerësuan përpjekjet e mëdha të përbashkëta të Shqipërisë dhe Kroacisë, për t’u bërë pjesë e NATO-s, duke theksuar se tashmë integrimi i plotë në NATO nuk është një ëndërr, por një realitet i afërt i të dy kombeve.
Kryeministri Berisha tha se të dy vendet sot kanë një rrugëtim të përbashkët drejt këtij projekti madhor, me një rëndësi historike. Ky proces, theksoi Kryeministri Berisha, vjen si rezultat i mbështetjes së madhe të SHBA – ve, por edhe si fryt i një bashkëpunimi të ngushtë midis dy kombeve dhe qeverive Në këtë aspekt, Kryeministri vuri në dukje bashkëpunimin në kuadër të Kartës së Adriatikut A3, si një mekanizëm shumë i rëndësishëm që frymëzoi të dy vendet për të ndërmarrë reformat më të thella që nevojiteshin për të bërë të mundur përmbushjen e standardeve.
Edhe Kryeministri Sanader shprehu besimin se në muajt e ardhshëm do të ratifikohen plotësisht protokollet për anëtarësim në NATO dhe të dy vendet do të shkojnë në samitin e ardhshëm të NATO-s si vende me të drejta të plota. Zoti Sanader vlerësoi se anëtarësimi ka një rëndësi të jashtëzakonshme, jo vetëm në aspektin ushtarak, por dhe në aspektin politik, si dhe për vijimësinë e proceseve të integrimit në BE.
Duke u ndalur në proceset e integrimit në Bashkimin Europian, Kryeministri Berisha tha se Kroacia është në prag të Marrëveshjes së anëtarësimit në BE, pasi ajo i ka plotësuar me kohë të gjitha standardet e kërkuara, ndërsa nënvizoi se anëtarësimi i Kroacisë është një ngjarje e madhe dhe shumë e rëndësishme jo vetëm për Kroacinë, por edhe për Shqipërinë dhe të gjitha vendet e rajonit që aspirojnë të hyjnë në BE.
Shqipëria, theksoi Kryeministri Berisha, po bën përpjekje të mëdha për të përmbushur detyrimet e saj dhe për të përmbushur standardet dhe qeveria shqiptare do të paraqesë kërkesën për statusin e kandidatit brenda Presidencës çeke të BE-së.
Të dy personalitetet theksuan se kishin rënë dakord që të punojnë së bashku për të arritur liberalizimin e plotë të vizave mes dy vendeve, brenda vitit 2009, duke shprehur angazhimin e plotë për arritjen e një marrëveshjeje për heqjen e vizave midis Shqipërisë dhe Kroacisë.
Në takim u diskutua edhe për çështje të rëndësishme të bashkëpunimit ekonomik dhe u ra dakord që të dy vendet të bashkëpunojnë për shtrirjen e gazsjellesit Trans Adriatik në të gjithë rajonin, nëpërmjet Malit të Zi, deri në Kroaci.
“Sot ne firmosëm marrëveshje shumë të rëndësishme, por dua të theksoj se bisedimet tona ishin edhe më të frytshme për thellimin e bashkëpunimit ekonomik. Përcaktuam linja të reja të bashkëpunimit në arsim, lëvizjen e lirë dhe turizmin. Por dua të veçoj bisedimet që patëm për çështjen e energjisë. E informova Kryeministrin Sanader mbi ecurinë e bisedimeve të mia për gazsjellësin e TAP dhe për rezultatet qartësisht pozitive të tyre. Edhe gjatë vizitës sime në SHBA kërkova ndihmën e Sekretares së Shtetit Hillary Clinton dhe ajo shfaqi interes për këtë projekt. Me Kryeministrin Sanader vendosëm të lobojmë së bashku për këtë projekt madhor”, u shpreh Kryeministri Berisha gjatë konferencës për shtyp. Në këtë drejtim, Kryeministri Berisha bëri të ditur se nesër, në Tiranë, do të mblidhet Bordi i Konsorciumit të TAP, ku Kryeministri do t’i informojë ata për bisedimet e bëra dhe për gatishmërinë e Kryeministrit Sanader, për të bëshkëpunuar në këtë drejtim. Ky projekt, theksoi ai, është më efiçenti në aspektin ekonomik dhe më i shkurtri nga projektet e gazsjellësve, nga Deti Kaspik në perëndim.
Gjithashtu, Kryeministri Berisha dhe Kryeministri Sanader theksuan se kishin diskutuar edhe për gjetjen e mundësive të bashkëpunimit në projektin e energjisë nukleare.
Kryeministri Berisha u shpreh se bashkë me Kryeministrin Sanader vendosëm të punojmë së bashku edhe me vende të tjera të rajonit, si Mali i Zi, Bosnje – Hercegovina, Maqedonia, për të ndërtuar një central të përbashkët nuklear. Kroacia, nënvizoi Kryeministri Berisha, ka një model shumë të mirë atë të Kreckos me Slloveninë dhe nga të gjitha bisedimet e sotme jam më optimist se kurrë për të ardhmen e këtij projekti”.
Gjithashtu, Kryeministri Berisha, gjatë konferencës për shtyp, falënderoi kombin kroat dhe qeverinë kroate për mbështetjen që i kanë dhënë aspiratave të shqiptarëve të Kosovës për liri dhe dinjitet.
Pas takimit mes të dy Kryeministrave, u nënshkruan 4 marrëveshje dypalëshe;
1 - Protokolli shtesë mbi amendimin e marrëveshjes për inkurajimin e mbrojtjes reciproke të investimeve, nënshkruar nga Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës Genc Ruli dhe nga z. Damir Polancec, Zëvendëskryeministër dhe ministër i Ekonomisë së Kroacisë
2 - Marrëveshja midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kroacisë mbi amendimin e marrëveshjes së marrëdhënieve dypalëshe ekonomike, nenshkruar nga Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës Genc Ruli dhe Zëvendëskryeministri dhe ministër i Ekonomisë së Kroacisë, z. Damir Polancec.
3 - Marrëveshja për punësimin e anëtarëve të familjes së anëtarëve të Trupit Diplomatik dhe posteve konsullore, e nënshkruar nga z. Ferit Hoxha Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme shqiptare dhe Sekretari i Përgjithshëm e MInistrisë së Punëve të Jashtme të Kroacisë znj.Bianka Matkoviç
4 - Protokolli midis Ministrisë së Brendshme të Republikës së Kroacisë dhe ministrisë së Brendshme të Republikës së Shqipërisë mbi riatdhesimin e personave me qëndrim të paligjshëm, nënshkruar nga Ivica Buconjic, Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme kroate dhe z. Pëllumb Qazimi, Ambasadori i Shqipërisë në Kroaci.
10/02/2009