Kryeparlamentari Bebiç u shpreh i impresionuar dhe tha se ndiente admirim nga suksesi i reformave dhe progresi i Shqipërisë në këto katër vite
Kryeministri Berisha gjatë vizitës zyrtare në Kroaci u prit në një takim nga Kryetari i Parlamentit Kroacisë Luka Bebiç.
Kryetari i Parlamentit të Kroacisë i uroi mirëseardhjen Kryeministrit Berisha në parlamentin kroat duke u shprehur se ndihej i kënaqur që ky parlament, më i vjetri në rajon, i cili ka kurorëzuar mbretër që në shekullin e X, pret Kryeministrin e një vendi që na lidh një miqësi kaq e hershme. Kjo miqësi, vijoi Kryeministri Berisha tregohet edhe nga marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe.
Kryetari i Parlamentit të Kroacisë u shpreh i impresionuar dhe tha se ndiente admirim nga suksesi i reformave dhe progresi i Shqipërisë në këto katër vite, të cilin ai e kishte konstatuar gjatë vizitës së tij të fundit në Tiranë.
Z. Bebiç shprehu kënaqësinë që projekti i përbashkët i Kroacisë dhe Shqipërisë, integrimi në NATO po përmbyllet me sukses. Gjithashtu biseda u ndal dhe në projektet e përbashkëta të bashkëpunimit mes dy vendeve në fusha të ndryshme, ku z. Bebiç u shpreh se ishte një gjë e mirë bashkimi i ideve për projektet energjetike në të dyja vendet, veçanërisht në dy projektet madhore që ishte energjia nukleare dhe autostrada Transadriatike.
Kryetari i Parlamentit të Kroacisë vuri theksin në një pasuri të madhe që lidh të dyja vendet që është Deti Adriatik, pasuri për të cilën të dyja vendet duhet të bëjnë përpjekjet maksimale për të ruajtur resurset e tij.
Z. Bebiç theksoi se Kroacia ka bërë hapa përpara me projektin e autostradës transadriatike.
Edhe kreu i Parlamentit të Kroacisë shprehu gatishmërinë e Kroacisë për të ndarë me Shqipërinë eksperiencën e aplikimit për statusin e vendit kandidat për në BE, kjo si në nivelin qeveritar ashtu edhe në nivelin parlamentar.
Nga ana e tij Kryeministri Berisha falenderoi z. Bebiç për mikpritjen dhe u shpreh se ndihej i nderuar që ndodhej i ftuar në parlamentin e Kroacisë, një vend mik në shekuj, i cili ka dhënë një ndihmesë të shquar shqiptarëve në projektet e tyre për liri dhe dinjitet.
Aktualisht dy vendet tona, theksoi Kryeministri, dy vendet kanë marrëdhënie të shkëlqyera, të cilat po kulmojnë me integrimin në NATO. Ky akt e bën të ardhmen e të dy vendeve tona në liri më të sigurtë.
Kryeministri Berisha u shpreh se e shihte me interes integrimin e Kroacisë në BE, jo vetëm për vetë Kroacinë, por për të gjithë rajonin. Kroacia theksoi Kryeministri, i plotëson kushtet për të qenë vend anëtar i BE-së, duke qenë unë dëshmitar i sakrificave që kombi juaj ka bërë për liri dhe zhvillim.
Kryeministri shtoi se projektin e anëtarësimin për në BE e konsideronte mjaft të rëndësishëm edhe për të gjitha vendet e tjera të rajonit, të cilat po përpiqen dhe dëshirojnë të jenë pjesë e familjes europiane.
Kryeministri falenderoi Kryetarin e Parlamentit të Kroacisë për gatishmërinë për të ofruar eksperiencën e Kroacisë për aplikimin për statusin e kandidatit në BE si dhe u shpreh se Shqipëria mirëpret projektet për mbrojtjen e Adriatikut si një pasuri e përbashkët e të dyja vendeve.
Në përfundim të takimit Kryeministri Berisha u shpreh se vizita në Kroaci ishte një vizitë shumë e suksesshme sepse në të u diskutua gjerësisht mbi heqjen e vizave, mbi projektet e përbashkëta për energjinë, u nënshkruan disa marrëveshje mjaft të rëndësishme të cilat do t`i çojnë në një nivel edhe më të lartë marrëdhëniet midis dy vendeve. Kryeministri u shpreh se Shqipëria mirëpret kompanitë kroate që të investojnë në Shqipëri.
10/02/2009