E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha takon Ministrin e Jashtëm italian Franko Fratini

- Ministri i jashtëm Fratini u shpreh se Italia do të vazhdojë të mbështesë fuqimisht procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, për të patur brenda këtij viti vendimin për marrjen e statusit të vendit kandidat në BE, nga ana e Shqipërisë, si dhe vendimin për liberalizmin e vizave për shqiptarët, para verës së këtij viti.

- Kryeministri Berisha u shpreh se mori mbështetjen e plotë të Ministrit të jashtëm italian Franko Fratini, për liberalizimi i vizave.

Kryeministri Berisha mirëpriti sot në një takim, Ministrin e Jashtëm të Italisë, zotin Franko Fratini. Pas takimit, u zhvillua ceremonia e nënshkrimit të “Protokollit dypalësh të bashkëpunimit për Zhvillim midis qeverisë së Republikës italiane dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, të vlefshëm për periudhën trevjeçare 2010,2011,2012.”, e cila u nënshkrua për qeverinë shqiptare, nga Zëvendës Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, zoti Ilir meta dhe për qeverinë italiane, nga Ministri i jashtëm Franko Fratini.

Më pas, kryeministri Berisha dhe Ministri i Jashtëm italian, Franko Fratini dhanë një deklaratë për shtyp, për mediet e pranishme:

Kryeministri Berisha: Kemi përfunduar takimin me mikun e dashur, Ministrin e Jashtëm italian, Franco Frattini. Patëm kënaqësinë e madhe të konstatojmë se ritmet dhe zhvillimet, në marrëdhëniet tona në të gjitha fushat janë me të vërtetë të shkëlqyera.

Gjatë këtij takimi,pata rastin të falënderoj mikun tonë për mbështetjen e madhe, ndihmën dhe solidaritetin që ai personalisht, kryeministri Silvio Berlusconi, qeveria italiane dhe vendi mik Italia, i ka dhënë shqiptarëve gjatë këtyre viteve.

I shpreha mirënjohjen time për marrëveshjen që u firmos, prej 50 milion Eurosh, në fusha të ndryshme, në një kohë shumë të brishtë nga pikëpamja financiare. Por, kjo nuk e ka bllokuar nënshkrimin e kësaj ndihme shumë të çmuar për vendim tim.

Dua të konstatoj me kënaqësi, zhvillimet e fundit në fushën ekonomike: vitin e kaluar ne kemi nënshkruar katër miliard euro investime italiane në këtë vend, në fushën e energjetikës dhe në fusha të tjera. Italia është partneri më i madh, i shkëmbimeve ekonomike, te vendit tim.

Ndërmarrjet e mëdha italiane kanë përgatitur investime të mëdha në Shqipëri. Shqipëria, nuk është një vend i madh, por ofron potenciale të mëdha, mbi të gjitha në fushën e energjetikës .

Në këtë kontekst, dua të theksoj se në këtë fushë, kanë nisur investimet, nga ndërmarrje italiane, në më shumë se 1600 megavat për energjinë eolike, të biomasës dhe hidrike.

Diskutuam me Ministrin Fratini edhe për bashkëpunimin në fushën e energjisë nukleare. Dua të përshëndes takimin e fundit midis kryeministrit italian Silvio Berlusconit dhe Presidentit francez Nikolas Sarkozy për ridimensionimin e kësaj fushe të energjisë. Për këtë kemi vendosur të përgatisim vendin, për të përfituar në këtë fushë. Marrëdhëniet janë të shkëlqyera. Falënderova ambasadorin Saaba D’Elia, Ambasadën dhe Institutin Italian të Kulturës dhe Tregtisë së Jashtme.

Kjo pranverë italo-shqiptare është një zgjedhje e madhe, për të zhvilluar dhe intensifikuar marrëdhëniet tona në të gjitha fushat. Mbi të gjitha ato politike dhe kulturore. Në këtë kuadër, ka evenimente të mëdha kulturore, por edhe ekonomike e politike.

Gjatë takimit mora mbështetjen e plotë të mikut tim dhe mikut të gjithë shqiptarëve, ministrit Franco Frattini, për liberalizimi i vizave. E risigurova ministrin Frattini, se ky proces, është një proces i bazuar tërësisht mbi meritën sepse ky është në interesin jetësor të vendit tim. Mund të them se ky princip, ka shërbyer, në të mirën e qytetarëve shqiptarë, që sot zotërojnë kartat e identitetit, ndër më të avancuarat, në Evropë. Që sot kufijtë e tyre kontrollohen me teknologjitë më të avancuara evropiane, si vende të tjera anëtarë të BE.

Ministri Frattini ka qenë një avokat i madh, si zëvendëspresident i Komisionit Evropian, i jam shumë mirënjohës që sot është një avokat i madh, në arenën politike evropiane.

Do ta mbyll me një falënderim të madh për ju zoti ministër, për mikun tim dhe mikun e madh të gjithë shqiptarëve,Kryeministrin Silvio Berlusconi.

Faleminderit!”

Ministri Fratini: “Falënderoj përzemërsisht mikun tim personal dhe të Italisë, kryeministrin e Shqipërisë, zotin Sali Berisha për fjalët miqësore që shprehu për Italinë dhe qeverinë italiane. Ne do të vazhdojmë të mbështesim fuqimisht procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Objektivi politik, për të cilin ne duhet të punojmë së bashku, dhe për të cilin Italia do të jetë në vijën e parë, është i dyfishtë: është objektivi për të patur një vendim për marrjen e statusit të vendit kandidat të Shqipërisë në BE, brenda këtij viti, dhe gjithashtu për të patur vendimin për liberalizmin e vizave në Shqipëri, para verës së këtij viti. I konfirmova kryeministrit Berisha bindjen time, se të gjitha forcat politike shqiptare duhet të bashkëpunojnë për të mirën e Shqipërisë në Evropë. Gjithashtu i konfirmova Kryeministrit Berisha, se ndaj plotësisht me të, bindjen e thellë që asnjë forcë politike shqiptare nuk mund të mos bashkëpunojë me qeverinë shqiptare, pikërisht në këto momente, për integrimin e Shqipërisë dhe zhvillimin e saj.

Ne synojmë të zhvillojmë më tej edhe bashkëpunimin tonë dypalësh. Ishte shumë e frytshme biseda mbi perspektivën e zhvillimit të prodhimit të energjisë së rinovueshme dhe të energjisë bërthamore dhe në të njëjtën mënyrë, do të punojmë së bashku për nxitur Korridorin 8, që përbën një nga infrastrukturat më të mëdha transeuropiane dhe pikërisht për këtë qëllim do të zhvillohet së shpejti në Tiranë një takim mes ministrave përkatës.

Do të kemi edhe një bashkëpunim më të dendur në rajonin e Ballkanit dhe besojmë shumë në rolin pozitiv të Shqipërisë për sa i përket zhvillimit të mëtejshëm ekonomik dhe shoqëror të Kosovës.

Kështu falë kësaj pranvere italiane dhe shqiptare që po festojmë së bashku, po demonstrohet edhe një herë miqësia e vërtetë mes popujve tanë.”

Në përfundim të deklaratave, kryeministri Berisha I dorëzon Ministrit të Jashtëm Italian Fratini një koleksion pullash postale të realizuara nga posta shqiptare, për të festuar sezonin e madh të eventeve Italia dhe Shqipëria, dy popuj, një det, një miqësi, promovuar nga ambasada italiane.


12/04/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›