E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha dhe kryeministri i Kosovës Thaçi inaugurojnë ambasadën e re të Republikës së Kosovës në Tiranë

Në ditën e 4 vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, Kryeministri Berisha dhe Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi kanë prerë shiritin e inaugurimit duke çelur kështu zyrtarisht ambasadën e  Kosovës në Tiranë, e cila është vendosur në qendër të kryeqytetit.

Në fjalën e mbajtur me këtë rast Kryeministri Berisha, e ka cilësuar çeljen e ambasadës së re të Kosovës në Tiranë si një moment shumë të rëndësishëm në marrëdhëniet vëllazërore midis dy vendeve.

Kryeministri  Berisha tha se, “Ambasada e Republikës së Kosovës në Tiranë, sikundër ambasada e Republikës së Shqipërisë në Prishtinë kanë mision të dyfishtë, forcimin e pozitës ndërkombëtare të dy vendeve tona, bashkëpunimit rajonal dhe ndërkombëtarë, por kanë misionin tjetër kombëtar të kapërcimit me vendosmëri të të gjitha pasojave të krijuara gjatë një periudhe të gjatë ndarjesh kufizimesh bllokimesh të pamerituara”.

Në emër të shqiptarëve, Kryeministri Berisha i  përcolli kryeministrit Thaçi përshëndetjet më vëllazërore për qytetarët e Kosovës në këtë ditë të madhe dhe shprehu vendosmërinë se me punë  të përbashkët dy qeveritë do të realizojnë projektet më të mira për shqiptarët.
 

Nga ana e tij, Kryeministri Thaçi e ka vlerësuar si një moment jashtëzakonisht të gëzuar hapjen e ambasadës duke falënderuar qeverinë shqiptarë dhe Kryeministrin Berisha për këtë dhuratë të  bërë në ditën më historike për popullin e Kosovës dhe të të gjithë shqiptarëve.

Kryeministri Thaçi theksoi se hapja e kësaj ambasade do të afrojë më tepër Prishtinën me Tiranën si dhe do të jetë urë lidhëse e forcimit dhe fuqizimit të punës së institucioneve të Kosovës dhe Shqipërisë. “Ne, - tha kryeministri Thaçi, - jemi një komb, dy shtete dhe si dy shtete do jemi në NATO dhe BE, do të lëvizim  edhe me fuqishëm në drejtim të zhvillimit dhe përparimit”.

Gjithashtu kryeministri i Kosovës Thaçi i ka përcjelle kryeministrit Berisha angazhimin e qeverisë së Kosovës se së shpejti në Kosovë, në qendër të Prishtinës, do të ndërtohet  ambasada e Shqipërisë.

 

Në fjalën e tij Kryeministri Berisha  tha:

 

“I nderuar zoti Kryeministër,

Është një nder i madh dhe kënaqësi e veçantë që inauguruam këtu së bashku hapjen e selisë së re të ambasadës së Kosovës.  Moment  ky shumë i rëndësishëm në marrëdhëniet vëllazërore midis dy vendeve tona.

Ambasada e Republikës së Kosovës në Tiranë,  sikundër ambasada e Republikës së Shqipërisë në Prishtinë kanë mision të dyfishtë.  Kanë mision forcimin e pozitës ndërkombëtare të dy vendeve tona , bashkëpunimit  rajonal dhe ndërkombëtarë, por kanë misionin tjetër kombëtarë  të kapërcimit me vendosmëri të të gjitha pasojave të krijuara gjatë një periudhe të gjatë ndarjesh kufizimesh bllokimesh të pamerituara.

Unë jam i bindur se në udhëzimet e qeverisë së Kosovës kjo ambasadë së bashku me ambasadën e Shqipërisë në Prishtinë do të luajë një rol shumë të rëndësishëm në të ardhmen e përbashkët, që meriton kombi shqiptarë dhe që meritojnë dy vendet tona.

Prania e kryeministrit Thaçi në këtë ditë të bekuar për të gjithë shqiptarët ditën e Pavarësisë së Kosovës,  e cila bën çdo shqiptarë të ndieje kënaqësinë e dy pavarësive, ka edhe kjo simbolin e vet më të shkëlqyer dhe më të madh.

Zoti Kryeministër  shfrytëzoj rastin t’ju përcjell  përshëndetjet më vëllazërore qytetarëve të Kosovës në këtë ditë të madhe, ditë të bekuar për mbarë kombin shqiptarë,  qeverisë së Kosovës dhe të shpreh vendosmërinë time se me punë të përbashkët  ne do të realizojmë projektet  më të mira për shqiptarët”.

***

Në fjalën e tij kryeministri Thaçi u shpreh:

“Është një moment jashtëzakonisht i gëzuar për të gjithë ne. Sot bëjmë hapjen e ambasadës së Republikës së Kosovës në Tiranë,  falenderoj qeverinë shqiptare personalisht Kryeministrin Berisha, për këtë mundësi , për këtë dhuratë të bukur, këtë donacion, në ditën e Pavarësisë së Kosovës, në ditën më historike për  popullit e Kosovës dhe të shqiptarëve.

Kjo është dhurata më e çmuar për popullin e Kosovës, kjo ambasadë do të afrojë edhe më tepër Prishtinën  me  Tiranën.  Kjo ambasadë do të jetë urë lidhëse  dhe forcim dhe fuqizim i punës së institucioneve të Kosovës dhe Shqipërisë.

Ne jemi një komb, dy shtete dhe si dy shtete, do jemi në NATO  dhe BE, do të lëvizim  edhe më fuqishëm në drejtim të zhvillimit dhe përparimit.  Sot po shënojmë një datë të jashtëzakonshme, po shënojmë një progres të jashtëzakonshëm, po ndodh ajo që ka munguar në Tiranë për Kosovën.

Dhe një herë në emër të qeverisë së Kosovës, në emër të qytetarëve të Kosovës e falenderoj qeverinë e Shqipërisë e personalisht Kryeministrin Berisha,  për këtë dhuratë në rastin e Pavarësisë së Kosovës.

Dëshiroj të sjell edhe mesazhin e dhe përkushtimin e qeverisë së Kosovës, se jemi në fazën finale për përcaktimin e truallit në qendër të Prishtinës, për ndërtimin e një ambasade te bukur dhe moderne në Prishtinë, ambasadës së Shqipërisë.

Faleminderit zoti Kryeministër!”

17/02/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›