E Diel, 1 Nëntor 2026

Përshëndetja e Kryeministrit Berisha në pritjen e organizuar me rastin e 4 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës

-  17 shkurti i vitit 2008, shënon fundin e përpjekjeve të shqiptarëve për mbijetesë dhe ekzistence dhe fillimin e një epoke, në të cilën ata, njëlloj si kombet  e tjera të lira vendosin të ndërtojnë të ardhmen e tyre.

“I dashur zoti Kryeministër i Republikës së Kosovës Hashim Thaçi,

Të nderuar ministra të qeverisë shqiptare dhe të qeverisë së Kosovës,

Deputetë, zyrtarë,  Shkëlqesi  Ambasadorë,

Zonja dhe zotërinj,

Sot për çdo shqiptarë është një ditë e madhe mirënjohjeje, është ditë në të cilën ne shqiptarët përkulemi me nderimin më të madh, ndaj atyre qindra dhe mijërave burrave dhe grave, që për një shekull  flijuan jetën, rininë e tyre, për  liri dhe dinjitet kombëtarë,  për Kosovën e lirë.

Sot, është një ditë mirënjohje e madhe ndaj miqve tanë, në SHBA dhe në Europë, të cilët në një moment kritik për shqiptarët e Kosovës, angazhuan në kuadrin e Aleancës së Atlantikut të Veriut, fuqinë e tyre ajrore për të mbrojtur liritë, të drejtat e shqiptarëve, për  ti mbrojtur ata nga operacionet më makabre të kohës, që synonin shfarosjen e tyre.

Sot, është një ditë  e madh e mirënjohje për të gjithë shqiptarët, të cilët ditën që në momente kritike të reagojnë si kombi i vetëm.  Sot, është një ditë krenarie për çdo shqiptarë, sepse kjo shënon fundin e një sage të papërshkruar, vuajtjesh, padrejtësish dhe sakrificash.

17 shkurti i vitit 2008, shënon fundin e përpjekjeve të shqiptarëve për mbijetesë dhe ekzistence dhe fillimin e një epoke, në të cilën ata, njëlloj si kombet  e tjera të lira vendosin të ndërtojnë të ardhmen e tyre.  Ja sepse kjo ditë, është një nga ditët më të çmuara për shqiptarët në Kosovë, në Shqipëri dhe kudo që ndodhen.

Kjo ditë bëri të mundur, që shqiptarët  të nisin projektet e tyre të reja për integrimin  në NATO, integrimin në Bashkimin Europian, bëri të mundur që ky komb, të nisë një kapitull të ri miqësie dhe bashkëpunimi me kombet e  tjera të rajonit, të nisë një kapitull bashkëpunimi, ndaj dhe unë dua tu përcjellë përshëndetjet më të zjarrta qytetarëve të Kosovës, të cilët me sakrificën e tyre me qëndresën e tyre, jo vetëm bënë të pavarur Kosovën, por bënë të lirë çdo shqiptarë.

Liria e një kombi  është një dhe e pandarë.  Lavdi Zotit, sot jemi të lirë. Sot, ne punojmë së bashku, për një të ardhme më të shkëlqyer  që meritojmë, në BE dhe në NATO.

Ndaj dhe dua të përshëndes  gjithashtu, autoritetet e Kosovës, qeverinë e Kosovës, e cila këto vite në një hark kohor të shkurtër ka realizuar në Kosovë, ka shënuar arritje shumë të mëdha në ndërtimin e vlerave të demokracisë, në ndërtimin e Kosovës.

Në një hark kohor të shkurtër, qeveria e Kosovës dhe Kosova janë shndërruar në një faktor të rëndësishëm paqeje dhe stabiliteti në Rajon.

Marrëdhëniet e shqiptarëve me kombet fqinje  nuk kanë qenë kurrë më të mira sesa sot dhe këtu një meritë te veçantë kanë autoritetet  e Kosovës.

Dua ti përgëzoj ato për dialogun në të cilin janë angazhuar në procesin e Brukselit me vendosmërinë më të madhe për të hapur një kapitull të ri midis Republikës së Kosovës dhe Serbisë, por edhe midis shqiptarëve dhe serbëve në gadishullin e Ballkanit. Edhe  një herë dua t’ju uroj ju zoti Kryeministër, qeverinë tuaj dhe të gjithë qytetarët e Kosovës në të këtë ditë të bekuar për të gjithë shqiptarët.

Gëzuar!”



17/02/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›