Konferencë për shtyp e kryeministrit Berisha në Korçë
Duke i falenderuar ata dhe mediat në tërësi për angazhimin në raportimin e të gjithë problematikës së krijuar nga ky dimër i madh, kryeministri u shpreh:
"Së pari unë ju falenderoj ju dhe mediave në tërësi, për angazhimin tuaj të plotë në raportimin e të gjithë problematikës së krijuar nga ky dimër i madh. Unë nuk jam gazetar, por nuk mund të mos them këtu se do të kisha dashur që të paraqitej krahas vështirësive edhe vendosmëria e qytetarëve, edhe përkushtimi i qytetarëve për ta kapërcyer me sukses këtë situatë, e cila nuk ishte e zakonshme, ishte e pazakontë jo vetëm për Shqipërinë, por e pazakontë për mbarë Europën.
Në vende të zhvilluara, të fuqishme, krijoi paraliza të vërteta në trafik, por dhe fatkeqësisht, shënoi një numër të madh viktimash, çka deri sot në Shqipëri nuk pati , natyrisht në rrugë pati bllokime, por u ndihmua në kohë çdo qytetar apo qytetare, i këtij vendi kudo që u ndodh. Ka pasur një angazhim të paprecedent, sepse i paprecedentë ishte edhe situata, por mos harroni se në dhjetëra e dhjetëra raste, realisht kanë rrezikuar gjithçka për të shpëtuar jetë njerëzish. Realisht kanë bërë vepra të vërteta guximi dhe jo vetëm ata, por edhe qytetarët.
Unë ju thash ju dy të rinj u nisën në majën e Oplasit për të drejtuar antenat e një kompanie mobile, mbeten dhe janë nisur në drejtim të tyre në orë 9 të mëngjesit mbi 100 qytetarë, bashkëfshatarë të tyre, punonjës të administratës, prefekti dhe janë kthyer pas 12 orësh udhëtimi në dëborë.
E rëndësishme është që kjo situatë u dominua. Korça është e para që e dominoi dhe Korça është një nga rrethet që ka pasur reshje më të mëdha dhe më të zgjatura, ndaj dhe unë erdha para së gjithash për të përgëzuar autoritetet vendore, qytetarët e këtij rrethi, për mënyrën e përgjegjshme, në të cilën e përballuan këtë situatë, në të cilën mbarë vendin ka spikatur shkallë e lartë përgjegjësie dhe ky ka qenë operacioni më i gjerë i emergjencës civile, i marrë ndonjëherë në historinë e vendit. Operacion që ka konsistuar në hapjen e mijëra kilometra rrugë, në lëvizjen e miliona metër kub dëborë prej tyre.
Në shpërndarjen e ndihmës mjekësore në të gjithë këto zona, evakuimin e të sëmurëve dhe nënave shtatzëna sipas rasteve, por edhe ne shpërndarjen e ndihmave ushqimore në zonat, shtëpitë apo lagjet më të izoluara në të gjithë territorin. Shpresojmë dhe po punohet me intensitet të madh që kalueshmëria e rrugëve, që është arritur në Korçe në të gjitha komunat, të arrihet së shpejti në mbarë Shqipërinë. Po punohet me intensitet të madh për kalimin e rrugës Kukës-Peshkopi, ju duhet ta dini që në këtë trajektore janë rreth 11 komuna, pra është një zonë dendësisht e populluar. Po punohet për të ecur drejt Shishtavecit dhe e vërteta është se 3-4 kilometrat e fundit të kësaj rruge, që është 32 kilometra dhe një ndër më të vështirat, por kilometrat e fundit të arrihen sot. Po punohet për të ecur drejt komunave të Pukës, ndonëse trashësia e dëborës vende- vende është mbi 3 metra. Punohet në rrethin e Hasit dhe janë hapur të gjitha rrugët drejt komunave. Në Kukës ka mbetur komunat e Grykës së Drinit. Në Shkodër po punohet drejt Vermoshit, rruga është 100 kilometra, trashësia e dëborës është shumë e madhe e kombinuar me akull, por unë dua të siguroj banorët e Vermoshit se e gjithë forca e shtetit do të jetë pranë tyre në çdo situatë më të vështirë më emergjente. Izoluar janë sërish komunat e Thethit e Dukagjinit, po përpiqemi për shkak se sasia e dëborës është shumë e madhe dhe më së shumti do të përpiqemi ti ndihmojmë të hapim rrugët, por do ti ndihmojmë edhe nga ajri me furnizimet më bazë, që kanë nevojë.
Pra në tërësi është një situatë e dominuar, një situatë e cila u përballua me objektivin më madhor në sigurimin e jetëve të njerëzve, por edhe në aspektet e tjera. Situata është në ecuri përmirësimi progresiv dhe të qartë. Nuk ka pasur dhe nuk ka të zhdukur. Shqipëria ka telefoninë mobile 29% mbi mesataren e Europës dhe ky ka qenë një faktor i jashtëzakonshëm komunikimi, por unë mendoj se nuk është e drejtë të merret zhdukja e sinjalit për zhdukje familjesh. U njoftuan se janë zhdukur dy familje në një fshat ne Curraj të Epërm , ato ishin shëndoshë e mirë, dërguam helikopter, lartësia është e madhe, sepse po ta keni parasysh ato janë në ballkonin e Alpeve, por mediat thanë se ka të zhdukur, kur ata ishin shëndoshë e mirë , prandaj dhe nuk është e barabartë zhdukja e sinjalit me jete njerëzish.
Në tërësi e vërtetë është se furnizimi me energji elektrike ka pasur mungesa të pa diskutueshme në fshatra të caktuara dhe akoma ka, në rast se këtu komunikimi nuk mund të behte kaq intensiv për shkaqe tani të njohura nuk mund të thuhet se ka të zhdukur. Deri më sot nuk ka asnjë të zhdukur, deri më sot ka vetëm një viktime të faktuar, e cila është nga hipotermia. Dhe njëherë ju falenderoj për kronikat shumë të çmuara që keni bërë nga të katër anët e dëborës, nga të katër anët e vendit, ato kanë qenë shumë të dobishme.
Pyetje: Opozita ditët e fundit ka prezantuar një plan edhe në Kuvend për marrje masash duke i treguar qeverisë sesi mund të administrohet situata, ju duket e vlefshme kjo?
Kryeministri Berisha: Prapë më shkon mendja tek ajo historia e druvarit me Njazin, që i tha :-“ I shkoi si mik dhe i thotë çfarë të bëj unë se nuk rri dot pa punë? Natën e parë e priti shumë mirë, të nesërmen në mëngjes i thotë Njazi , e kam të vështirë nuk rri dot pa punë. Jo më ke ardhur mik, por ai këmbëngulte nuk rri dot pa punë. Mirë i thotë shiko çfarë mund të bësh. Doli dhe pa njërin që po priste dru, e gjeta tha po bëj “ëëë””. Kështu edhe opozita.
Që opozita të marrë informacion kjo është gjëja më normale, por që tu përdhosësh kodin e vdekjes të tjerëve, kjo është gjeja më e papranueshme. Të bërtasësh se nuk erdhi kryeministri në Parlament, kur nuk e kërkuan kjo është qesharake. E dini ju pse nuk e kërkuan kryeministrin ata! Se kryeministri ishte i gatshëm tu shkonte dhe tu raportonte pikë për pikë, por e dinin se do të përballeshin me një listë të gjerë shumë të madhe të masave të ndërmarra për përballimin e situatës në çdo skaj të vendit dhe këtë nuk donin ta dëgjonin, por donin të bënin konferenca shtypi, kjo nuk ishte normale. Është normale që opozita ti thotë kryeministrit të vish në interpelancë urgjent dhe kryeministri në përputhje me kushtetutën e vendit dhe rregulloren e Kuvendit, paraqitet para atyre deputetëve dhe shpjegon, por kjo nuk ju interesonte se do të listoheshin të gjitha përpjekjet e mëdha për menaxhimin e suksesshëm të kësaj situate. Janë parë këtu, kanë ardhur këtu? Para dy netësh një deputet i tyre fliste përçart për qeverinë, në një kohë kur dy ditë më parë e kisha dëgjuar të fliste për sportin, se kishte hall të merrte një skuadër. Pra opozita është e çakorduar në këtë rast, as programimi i vet nuk i funksionon, të vijë këtu, të vijë në shtab të kërkojë llogari të ushtrojë kontroll, nuk ka ardhur qoftë edhe një deputet prej tyre.
Pyetje: Cila është pika më e vështirë që përballet popullata dhe qeveria në ndërhyrjet e saj dhe cili është mesazhi juaj që dimra të tillë të mos na gjejnë pa përgatitur?
Kryeministri Berisha: A na gjeti pa përgatitur ky dimër? Psikologjikisht po. Materialisht jo. Pse? Do ju jap një fakt. Gjashtë vjet më parë ne kemi pasur një dimër të ashpër, jo si ky, por kemi pasur bllokime rrugësh. I gjithë vendi kishte 7 borëpastruese. Sivjet vetëm në rrethin e Kukësit kanë funksionuar mbi 30. Pse? Falë outsorciumit që ne bëmë me kompanitë e mëdha private për mirëmbajtjen e rrugëve. A ishim ne të pa përgatitur në Korçë, kur rrugët kombëtare pothuajse nuk u bllokuan për asnjë moment përveç orëve të vona? Ne mund të ishim psikologjikisht, por ne nuk ishim dhe nuk jemi materialisht.
Ju siguroj unë ju, se ky vend nuk është kurrë i papërgatitur për tu përballur me emergjenca. Dhe ne e kemi faktuar këtë. Tjetër, dëbora ishte shumë e madhe, siç e keni parë. Çfarë kërkon kjo? Padiskutim kjo kërkon fonde për mirëmbajtjen e rrugëve, në mënyrë që kompanitë të mund të kontraktojnë borëpastruese më të fuqishme të të gjitha kalibrave dhe ne këtë do ta bëjmë. Qeveria disponon të gjitha mundësitë për të përmbushur me shpejtësi çdo nevojë mjekësore, qeveria disponon mundësitë për të ndërhyrë dhe për të ndihmuar familjet në nevojë.
Qeveria nuk mund të zotohet se do të mund tu japë ndihmën e duhur për shpëtimin e bagëtive, por ky është një leksion që duhet të nxirret nga i gjithë komuniteti, çka do të thotë se rezervat ushqimore duhet të afrohen gjithnjë, sepse nuk mund të themi se në shkurt ose janar, po të marrësh veriun kullosin bagëtitë, por edhe në zonat e Korçës nuk kullotet bagëtitë, ato mbahen në trajtim. Pra në tërësi besoj se shkalla e përgatitjes së vendit ka bërë që të mos kemi viktima, ka bërë që në Korçë të mos bllokohen për asnjë moment rrugët nacionale. Ky dimër më i madh se të gjithë dimrat e tjerë fton se në drejtim të mirëmbajtjes së rrugëve fondet të rriten. Nuk është se ne nuk e dinim këtë, pro ne po ndërtojmë rrugë në të gjitha anët , sidoqoftë kjo do të bëhet.
Pyetje: Kryetarët e komunave thonë se fondi për zhbllokimin e rrugëve nuk mjafton se trashësia e dëborës është e madhe, si e komentoni?
Kryeministri Berisha: Unë ju garantoj se të gjithë kryetarët e komunave, përveç njërit e kanë quajtur të mjaftueshme këtë fond, edhe ky nuk thotë se nuk i mjafton, ai më bën një mesazh dhe më thotë se :-Unë më këtë fond nuk hap dot 60 kilometra rrugë. Jo, nuk ka 60 kilometra rrugë. Atij nuk i kërkohet të hapë rrugën kombëtare, përkundrazi rrugën kombëtare po e hapim nga dy drejtime. Vërtet komuna e tij ka një shtrirje të gjatë në rrugën kombëtare, por komunës nuk i kërkohet të hapet rruga kombëtare, komunës i kërkohet lidhja e komunës me fshatrat. Unë kam takuar kryetarët e komunave të Kukësit kam lidhje me ta dhe janë plotësisht të kënaqur, jam i bindur se me përkushtimin e tyre ata i hapin ato rrugë. Natyrisht një mobilizim duhet, besoj se jemi dakord me këtë.
Pyetje: Jemi në fundin e këtij dimri a do të ketë një bilanc të fundit të këtij dimër, sepse fermerët korçarë kanë shqetësim për telashet që ju kanë dalë për prodhimet e tyre bujqësore që u janë prishur?
Kryeministri Berisha: E fillojmë me grurin. Në fushën e Korçës, por jo vetëm të Korçës se më mirë se çdo kush tjetër fermerët e dinë se për grurin bora është shëndet. Për prodhimet e tyre. Korça përballet me një rritje shumë të madhe të prodhimit dhe kjo është një gjë jashtëzakonisht pozitive, duhet të dinë një gjë, që bujqësia me përpjekjet me teknologjinë është sektori që mund të dhjetëfishojë prodhimin.
Kjo është llogaritur dhe e njohur. Në Korçë na ndodhi njëherë me mollën dhe nuk na ndodh më. Pse? Sepse janë shumëfishuar kapacitetet e ftohjes dhe së fundi edhe një fabrikë lëngjesh. Së fundmi nga një mbiprodhim i paparë patatesh, jashtëzakonisht pozitive si prodhim, por çfarë na ka ndodhur? Kjo kërkon me urgjence që ne të investojmë këtu, të ngremë sa më shpejt fabrikën e përpunimit të patates, impiantet e ftohjes dhe Ministria e Bujqësisë ka marrë porosi të prerë që të financojë kreditorin dhe ngritjen e këtyre linjave.
Vijmë tek Kosova. Cilido që do të shikojë kompjuterin aty do të gjeje se nga Shqipëria në Kosovë shkojnë eksportohen 180 milion euro prodhime dhe janë importuar 20 milion euro. Ky është bilanci. Tani me këtë situate ato që përfitojnë totalisht në këtë shkëmbim është ultësira bregdetare, sepse ultësia është 3 javë deri në 1 muaj para Kosovës në prodhime.
Korça në të njëjtat kushte prodhimi, pra prodhime të vonshme. Ajo që ne duhet të bëjmë me shpejtësi, jo të prishim kompjuterin, por duhet të ndërtojmë këtu fabrikat e përpunimit të patateve, të mbjellin të prodhojnë sa më shumë dhe në tu krijojmë mundësi përpunimi.
Sesi përshtatet fermeri me tregun, kjo është çështje tij, jo e qeverisë, e shet më lirë apo me shtrenjtë, ai do të mësojë vetvetiu të gjeje rregullin e shitjes, por të garantoj që Shqipëria eksporton 8-9 herë më shumë në Kosovë sesa importon prej saj dhe ata që përfitojnë janë zonat e ultësirës. E gjithë ultësira nga Konispoli deri në Bunë eksportoi sasira kolosale të prodhimit nga të gjitha llojet. Kosova prodhon më shumë patate, atëherë ne duhet të përpunojmë pataten e Korçës, ne nuk mund të themi mos mbillni patate, jo, mbillni dhe prodhoni sa më shumë patate. Ishte problem qepa në Miras, për arsye se përpunimi i saj është me delikat dhe tregu më i vështirë.
Pyetje: A keni një koment për opozitën e cila ka deklaruar se qeveria dështoi në përballimin e situatës ?
Kryeministri Berisha: Deklarata e opozitës i përgënjeshtron sot më mirë se çdo gjë tjetër situata aktuale në Shqipëri. Por mund të them se opozita u kujtua se kishte rënë borë në Shqipëri, një javë pasi kryeministri kishte ngritur me urdhër Komitetin e Emergjencës, një javë më pas. Merrni kronikat e lajmeve të televizionit tuaj dhe fjalimin që ju çoi si i ati i tij shpirtëror që tha se : “Nuk po ma lexoni mirë, por do ta lexoj vetë tani”.
18/02/2012