E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha takohet me drejtues të kompanisë kineze ZTE, ndër më të mëdhatë në fushën e telekomunikacionit

Gjatë qëndrimit në Pekin, Kryeministri Berisha u takua me drejtues të kompaninë ZTE, një ndër kompanitë më të mëdha kineze në fushën e telekomunikacionit, me një xhiro prej 10 miliard dollarë në vit. ZTE operon në fushën e teknologjisë së informacionit, në telefoninë celulare etj..

Richard Guo, Zëvendëspresident i kompanisë dhe John Lee, Drejtor i Përgjithshëm për Ballkanin u shprehën të kënaqur për këtë takim dhe i shprehën Kryeministrit interesin shumë të madh për tregun shqiptar. Ata e informuan Kryeministrin Berisha se tashmë kanë në Shqipëri një përfaqësi të tyre dhe së shpejti do të zgjeronin në mënyrë të ndjeshme aktivitetin e tyre.

Kryeministri Berisha e konsideroi një lajm të gëzuar faktin që një kompani e fuqishme si ZTE shfaq interes dhe planifikon të zgjerojë investimet në Shqipëri. Qeveria shqiptare, - tha Kryeministri – do të ofrojë çdo lehtësim për kompanitë prestigjioze kineze për të hapur linja prodhimi në Shqipëri dhe për të eksportuar më pas në një treg më të gjerë, siç është tregu evropian.

Kryeministri Berisha theksoi se Shqipëria ofron shumë për investitorët dhe për ta bërë sa më atraktive klimën e biznesit në vend, qeveria shqiptare ka ndërmarrë një sërë nismash si “Shqipëria një euro”, vendosja e taksës së sheshtë 10 për qind, ndër më të ulëtat në Europë, digjitalizimi i procedurave etj.. Shqipëria, - tha Kryeministri - ofron gjithashtu edhe një treg pune nga më të leverdishmit dhe të mirëtrajnuar.

Kryeministri vlerësoi gjithashtu vendosmërinë e kompanisë ZTE për t’u zgjeruar dhe shtrirë aktivitetin e saj në Shqipëri. Nga ana e tyre, drejtuesit e kompanisë u interesuan veçanërisht për strategjitë e qeverisë shqiptare në fushën e teknologjisë së informacionit. Lidhur me këtë, Kryeministri Berisha theksoi se qeveria shqiptare po bën të gjitha përpjekjet për ta çuar Shqipërinë në moshën digjitale. Në këtë drejtim, Kryeministri u bëri me dije disa nga nismat e qeverisë si ngritja e laboratorëve të informatikës dhe shtrirja e internetit në çdo shkollë, digjitalizimi i të gjitha procedurave, duke theksuar veçanërisht rëndësinë e aplikimit të procedurave ‘on line’ edhe në sistemin bankar. Shqipëria, - u shpreh Kryeministri – ka një ligj të mirë për tregun elektronik dhe tashmë duhet vullnet i mirë dhe trajnim i specialistëve për implementimin e tij.

Drejtuesit e ZTE falënderuan Kryeministrin Berisha për mbështetjen e dhënë, duke u shprehur të gatshëm për shtrirjen e aktivitetit të tyre në Shqipëri.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›