E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha merr pjesë në pritjen e Presidentit kinez për liderët botërorë, të ftuar në hapjen e Lojërave Olimpike “Pekin 2008”

-       Kryeministri Berisha zhvilloi gjatë pritjes takime dhe bisedoi me personalitete të nivelit të lartë.

Kryeministri i Shqipërisë, Prof Dr. Sali Berisha, së bashku me bashkëshorten Zonjën Liri Berisha, ishin të ftuar në pritjen madhështore dhe drekën, të organizuar nga Presidenti i Republikës Popullore të Kinës Hu Jintao për 101 kryetarë shtetesh dhe qeverish nga mbarë bota, të ftuar për të marrë pjesë në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike “Pekin 2008”.

Pas ceremonisë së takimit me Presidentin e Republikës Popullore të Kinës dhe bashkëshorten e tij, Kryeministri Berisha zhvilloi gjatë pritjes takime dhe bisedoi me një sërë personalitesh të nivelit të lartë.

Kështu, Kryeministri Berisha dhe Zonja Liri Berisha u takuan dhe u përshëndetën shumë përzemërsisht me Presidentin e Shteteve të bashkuara të Amerikës George W Bush dhe Zonjën Laura Bush, të cilin e falënderoi për mbështetjen e tij të jashtëzakonshme për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Presidenti Bush u interesua gjallërisht për Shqipërinë, ndërkohë që në një gjest miqësor paraqiti si mik Kryeministrin Berisha tek Presidenti i Brazilit Lula dhe Presidentja e Filipineve Gloria Arroyo.

Gjatë pritjes, Kryeministri takoi mikun e vjetër e të çmuar të  tij dhe për mbarë shqiptarët, George Herbert Bush, Presidentin e 41-të të SHBA-ve. Pasi u përshëndetën me shumë ngrohtësi, George Herbert Bush e përgëzoi dhe vlerësoi Kryeministrin Berisha për të gjithë ndryshimet e mëdha që po përjeton Shqipëria, si dhe i përcolli zotit Berisha falënderimet për ndjenjat miqësore dhe dashurinë që shqiptarët  i dëshmuan Presidentit George W  Bush në vizitën e tij në Tiranë. Kryeministri Berisha shfrytëzoi këtë rast për të ftuar George Herbert Bush të vizitojë Shqipërinë, ftesë që Presidenti Bush e pranoi me kënaqësi.

Në pritje, Kryeministri Berisha u takua dhe u përshëndet me përzemërsi me Presidentin francez Nicolas  Sarkozy, të cilit Kryeministri Berisha i ripërsëriti ftesën për të vizituar Shqipërinë. Presidenti Sarcozy e siguroi Kryeministrin Berisha se ai e ka  premtuar këtë dhe do ta mbajë premtimin për një vizitë në Shqipëri në kohën e parë të mundshme.

Kryeministri Berisha takoi dhe bisedoi përzemërsisht me Presidentin e Brazilit Lula, ku gjatë bisedës u diskutua për marrëdhëniet mes dy vendeve dhe mundësinë e zgjerimit të tyre. Kryeministri Berisha e ftoi Presidentin brazilian Lula për të vizituar Shqipërinë, ftesë të cilën ai e pranoi dhe siguroi se do ta vizitojë me kënaqësi vendin tonë. Gjithashtu, nga ana e tij, Presidenti Lula e ftoi Kryeministrin shqiptar të vizitojë Brazilin, ftesë e cila u pranua me kënaqësi.

Kryeministri Berisha u takua dhe bisedoi me Kryeministrin e Japonisë Fukuda dhe zonjën Fukuda. Kryeministri Berisha edhe një herë i shprehu Kryeministrit Fukuda mirënjohjen më të thellë për pritjen miqësore dhe mbështetjen që ai i rezervoi gjatë vizitës së tij në Tokio dhe përkrahjen ekonomike për zhvillimin dhe modernizimin e vendit, si mbështetja, me një kredi prej 110 milion dollarë, të projektit të ujërave dhe kanalizimeve të Tiranës, si dhe në tërësi për mbështetjen e projekteve të ndryshme në shëndetësi, zhvillimin rural, në arsim etj.. Kryeministri Fukuda u shpreh se do të ndjekë me interes ecurinë e projekteve në kuadër të ndihmës për Shqipërinë

Kryeministri Berisha e ftoi Kryeministrin Fukuda të vizitojë vendin tonë, ftesë që ai e pranoi me kënaqësi.

Kryeministri Berisha u takua me gjithashtu Presidentin izraelit Shimon Peres, me të cilin diskutoi për marrëdhëniet bilaterale dhe intensifikimin e tyre, si dhe për një vizitë të ardhshme të Presidentit Peres në Shqipëri.

Gjatë pritjes, Kryeministri Berisha u takua dhe zhvilloi biseda të përzemërta me Presidentin e Afganistanit Hamit Karzai, me atë të Kroacisë Stipe Mesic, të Serbisë Boris Tadic, të Malit të Zi Filip Vujanovic, Presidentin e Bosnjës Haris Silajxhic, Presidentin e Azerbajxhanit Ilham Aliyev, Kryeministrin e Holandës Jan Peter Balkenende, Kryeministrin e Australisë Kevin Rudd dhe shkëmbeu me ta mendime për marrëdhëniet dypalëshe dhe zhvillimet rajonale e më gjerë.

Një takim mjaft të përzemërt Kryeministri zhvilloi me Kryeministrin e Pakistanit Yousaf Raza Gilani, me të cilin diskutoi për problemet rajonale dhe ato të zhvillimit të të dy vendeve dhe bashkëpunimit midis tyre.

Kryeministri Berisha takoi edhe Kryeministrat e Angolës, Xhibutit, Madagaskarit etj..

Kryeministri u takua edhe me personalitete të vendit mikpritës, si me Nënkryetarin e Asamblesë Popullore të Kinës, me Kryetarin e bashkisë së Pekinit, të cilin e ftoi të vizitojë Tiranën, ftesë të cilën ai e pranoi me kënaqësi, si dhe me personalitete të tjera.

Në të gjitha këto takime të përzemërta u diskutua për marrëdhëniet bilaterale, zhvillimet në Kosovë e në rajon etj..

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›