Kryeministri Berisha do të bëj analizën e plotë ketë vit

100 ditë më parë, kabineti “Berisha 2” mori votëbesimin dhe miratoi në Parlament programin e tij politik për katër vitet që vijnë. Pas kalimit të vetëm 100 ditëve nga rruga e gjatë që qeveria ka për të bërë, Kryeministri Berisha i ka konsideruar si të suksesshme tre muajt e saj të parë. Këto dy ditë, Kryeministri pritet të bëjë edhe analizën e punës së qeverisë së tij në këto 100 ditë, të cilat konsiderohen si starti i rrugës së gjatë dhe si një tregues për suksesin apo jo të objektivave që kabineti i ka bërë publike. Në bilancin e 100 ditëve të para, ajo që do të spikasë si arritje është edhe marrja e vendimit nga ana e Komisionit Europian për nisjen e procedurave të statusit kandidat të Shqipërisë dhe dorëzimi i pyetësorit pak ditë më parë. Por duket se Kryeministri do të ketë vështirësi për sa i përket faktit që shqiptarët ende nuk kanë arritur të përfitojnë liberalizimin e vizave, në kundërshtim me vendet e rajonit, të cilat tashmë lëvizin lirshëm në vendet e Bashkimit Europian.
Statusi
Në mesin e muajit nëntor, ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Europian i hapën rrugën Shqipërisë drejt fillimit të procedurave për marrjen e statusit kandidat në Bashkimin Europian. Ky vendim u shoqërua me entuziazëm në radhët e mazhorancës, përfaqësuesit e së cilës e konsideruan vendimin e ministrave të Jashtëm të BE-së si historik. Hapja e procedurave për statusin kandidat të BE-së pritet të jetë edhe pika e fortë e raportit që Kryeministri Berisha po përgatit në kuadër të 100 ditëve të para të qeverisë që ai drejton. Po kështu, një arritje nga ana e mazhorancës konsiderohet edhe marrja e pyetësorit të Komisionit Europian nga ana e Shqipërisë brenda këtij viti. Berisha e ka quajtur marrjen e pyetësorit si një sfidë që Shqipëria i ka të gjitha gjasat ta përballojë me sukses. Sipas Kryeministrit, administrata do të jetë në gjendje ta dorëzojë këtë pyetësor në tre muajt e parë të vitit të ardhshëm, për të arritur kështu një rekord për sa i përket kohës së një vendi për t’iu përgjigjur pyetjeve të Komisionit Europian. Nga ana tjetër, ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, ka theksuar se përveç shpejtësisë me të cilën administrata do të procedojë për sa i përket pyetësorit, Shqipëria i ka të gjitha gjasat për të përfituar statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian brenda një viti.
Vizat
Ndonëse Kryeministri e ka shpallur si prioritet kryesor lëvizjen e lirë të shqiptarëve në vendet e Bashkimit Europian, qeveria nuk mund të konsiderohet se ka përmbushur në tre muajt e saj të parë ëndrrën e shqiptarëve për të lëvizur pa viza në Europë. Vështirësia dhe përgjegjësia e qeverisë duket se rritet në këtë pikë, nisur edhe nga fakti se vetëm pak ditë më parë, Bashkimi Europian vendosi të heqë vizat për të gjitha vendet e rajonit tonë, duke lënë jashtë Shqipërinë edhe Bosnjë-Hercegovinën. Por, ndonëse lëvizja e lirë nuk arriti të miratohej gjatë 100 ditëve të para të qeverisë, përfaqësuesit më të lartë të mazhorancës kanë siguruar se shqiptarët do të arrijnë të lëvizin pa viza në Europë në mesin e vitit të ardhshëm. Sipas Kryeministrit Berisha, qeveria ka bërë hapa përpara për sa i përket sigurisë, mjeteve të identifikimit të qytetarëve shqiptarë dhe luftës kundër krimit të organizuar e korrupsionit. Në këtë kuadër, Kryeministri ka theksuar se qeveria po merr të gjitha masat për të luftuar edhe financat e krimit të organizuar, për t’i dhënë kështu njëherë e mirë fund aktivitetit të tyre kriminal. Sipas Berishës, lufta ndaj kapitalit të mafies është prioritet kryesor për qeverinë që ai drejton.