E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjorica i shpëton përmbytjes. Lejohet “derdhja” e Matit

Situata hidrike është njësoj problematike edhe në territorin e Maqedonisë, prej nga rrjedh Drini i Zi, një nga furnizuesit kryesorë të kaskadës së Drinit. Autoritetet maqedonase kanë hapur gjatë natës së të dielës portat e hidrocentralit të Spilesë në Dibër të Madhe, duke rritur nivelin e lumit si asnjëherë tjetër dhe duke vënë seriozisht në rrezik përmbytjeje edhe fshatin Gjoricë, qendër e kësaj komune këtej kufirit. Një investim i qeverisë i para dy viteve në argjinaturën e këtij lumi ka mbrojtur Gjoricën nga përmbytja e sigurt.
Ulza dhe Shkopeti
Reshjet e dendura të shiut që kanë rënë gjatë gjithë ditës së diel, shkaktuan një tejngopje të situatës hidrike në kaskadën e lumit të Matit, ku janë ndërtuar të parat hidrocentrale në vendin tonë, ai i Ulzës dhe Shkopetit. Burime nga këto HEC-e, njoftojnë se ka pasur një shtim prurjesh uji jashtë çdo norme të lejuar. Kjo i ka detyruar administratorët e tyre që të hapin portat e shkarkimit, si në Ulzë ashtu edhe në Shkopet që funksionojnë njëri pas tjetrit. Bëhet me dije se hapja e portave ka bërë që të shkarkohet në lumë një sasi uji prej rreth 300 metër kub, që më pas bashkohet me ujërat e lumit të Fanit, duke u  bërë kështu shkak për përmbytje të tokave në zonën e Lezhës dhe Milotit.  “Hapja e portave ka qenë e pashmangshme, pasi prurjet e ujit kanë kaluar çdo limit, duke rrezikuar edhe vetë digat e këtyre HEC-eve” thonë burime nga këto HEC-e.
Përrenjtë
Ndërkohë, reshjet rrezikuan seriozisht përmbytjen e dhjetëra shtëpive në rrethin e Bulqizës. Kështu në Komunën Fushë-Bulqizë, u bë evakuimi i 3 familjeve te njerëzit e afërt të tyre, pasi u rrezikuan seriozisht nga prurjet e përrenjve. Ndërhyrja me mjete e komunës bëri që të parandalohet prishja e urës në fshatin Koçaj të kësaj komune, ndërsa pati dëmtime të lehta ura në Fushë-Bulqizë, te fisi i Marinajve. Ndërkaq, burime nga nënprefektura e këtij rrethi bëjnë me dije, se si rezultat i reshjeve të dendura të shiut vetëm në qytetin e Bulqizës u rrezikuan 3 shtëpi në lagjen “Allmete” dhe 5 shtëpi në lagjen “Gjeologu”, ku ujërat e rrëmbyeshëm që zbrisnin nga miniera e kromit, i rrezikuan seriozisht këto shtëpi. Sipas nënprefektit të rrethit të Bulqizës, Hamit Dervishi, vështirësi janë shënuar edhe në disa komuna të këtij rrethi. Në Komunën e Martaneshit është prishur rruga rurale që lidh qendrën e kësaj komune, Krastë me fshatin Peshk, ku po punohet edhe gjatë ditës së sotme për riparimin e saj. Ndërkohë që në komunat e tjera të rrethit, Ostren, Trebisht, Zerqan, Shupenzë dhe Gjoricë, ka pasur kryesisht gërryerje të tokave për shkak të vërshimit të përrenjve që zbresin vrullshëm nga lartësitë e maleve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›