Kryeministri Berisha viziton familjen e njërit prej nënshkruesve të aktit të Pavarësisë
Kryeministri Berisha, në vazhdim të aktiviteteve që po zhvillohen me rastin e Ditës së Pavarësisë, vizitoi familjen e Burim Kokoshit, nipit të Qazim Kokoshit një prej firmëtarëve të akt-shpalljes së pavarësisë.
Kryeministri Berisha vlerësoi kontributin që kjo familje ka dhënë si në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë ashtu dhe në përpjekjet e mëdha për pluralizëm.
“Në këtë ditë ne nderojmë Qazimin që së bashku me shumë burra e gra, në mbështetje të Ismail Qemalit, shpallën pavarësinë në një kohë shumë të vështirë. Në një kohë me pikëpyetje të mëdha për fatet e shqiptarëve. Ata i’a dolën të ngrenë flamurin duke i bërë kështu një shërbim të madh kombit shqiptar”, tha Kryeministri Berisha, ndërsa shtoi se sot të gjithë ata që kanë luftuar për këtë ditë, nderohen nga të gjithë shqiptarët dhe gjithë Shqipëria.
Qazim Kokoshi ka ndërruar jetë në vitin 1945, në burg, ndërsa vuante dënimin nga regjimi komunist.