E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Vlora dhe Prishtina do të jenë epiqendrat e pavarësisë së shqiptarëve

Kryeministri Berisha mori pjesë sot në ceremonitë e organizuara në qytetin Vlorës, me rastin e 95 vjetorit të Ditës së Pavarësisë, ku ishin të pranishëm Presidenti i Republikës Zoti Bamir Topi, Kryetarja e Kuvendit Zonja Jozefina Topalli, kryetari i Partisë Socialiste Zoti Edi Rama, personalitetet të Kosovës, përfaqësues të Trupit Diplomatik në Tiranë, etj.

Fillimisht Kryeministri mori pjesë në ceremoninë e ngritjes së Flamurit nga Presidenti i Republikës dhe më pas vendosi një kurorë në varrin e Ismail Qemal Bej Vlorës. Më pas, Kryeministri i shoqëruar nga personalitete të tjerë bëri homazhe dhe vendosi një kurorë me lule në Varrezat e Dëshmorëve.

Kryeministri Berisha i uroi të gjithë shqiptarëve Ditën e Pavarësisë duke e cilësuar si ditën e përjetësisë së një kombi.

“Dita e Pavarësisë është dita e përjetësisë së një kombi. Nuk ka ditë më të rëndësishme dhe më jetike për qytetarët sesa ditëlindja e kombit të tyre, e cila festohet në Ditën e Pavarësisë. Ndaj, unë përshëndes sot të gjithë shqiptarët, kudo që ata ndodhen. Pavarësia e shqiptarëve në Shqipëri u shndërrua në shpresë dhe përkushtim për të gjithë shqiptarët, që ata të fitojnë të drejtat dhe liritë e tyre, dhe Kosova pavarësinë”, u shpreh Kryeministri Berisha në mesazhin e Tij.

Në vazhdim, Kryeministri shprehu mirënjohjen për kontributin e Ismail Qemal Bej Vlorës dhe patriotëve të tjerë, themelues të shtetin të pavarur shqiptar.

“Përkulem me nderim të madh para veprës së Ismail Qemalit dhe burrave të shquar të kombit që themeluan, këtu në Vlorë, pavarësinë e Shqipërisë, shpallën shtetin e pavarur shqiptar”, u shpreh Kryeministri Berisha.

Kryeministri, duke vlerësuar kontributin e të gjithë atyre që luftuan për çlirimin e vendit, i uroi shqiptarëve dhe ditën e çlirimit, si një ditë të dytë të madhe për kombin.

“Sot, ne përulemi edhe para atyre qindra dhe mijëra djem e vajzave, burrave e grave, që në një pushtim të vendit në më pak se tre dekada pas shpalljes së pavarësisë, morën malin, rrokën armët, luftuan në kushtet më të vështira dhe renditën Shqipërinë në anën e drejtë të historisë, koalicionit të madh antinazist. Çliruan vendin në ditën e Flamurit, ditën e pavarësisë së tyre”, tha Kryeministri.

Kryeministri Berisha, në përgjigje të interesit të mediave, i uroi qytetarëve të Kosovës që të kenë sa më shpejtë pavarësinë e vendit të tyre, duke shprehur besimin se ky proçes do të finalizohet sëshpejti.

“Kam bindjen se pavarësia e Kosovës është një proçes që do të finalizohet së shpejti. Në në këtë mënyrë, Vlora dhe Prishtina do të jenë epiqendrat e pavarësisë së shqiptarëve. Ndaj, i uroj qytetarëve të Kosovës të kenë sa më shpejtë pavarësinë e vendit të tyre”, u shpreh Kryeministri Berisha.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›