E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha drejton mbledhjen e Komitetin ndërinstitucional për masat kundër krimit të organizuar, trafiqeve dhe terrorizmit

është pikërisht produkti i reformave, rezultati dhe suksesi i tyre, ajo që ka shërbyer si bazë për vendimin e Këshillit të komisionerëve të Komisionit Europian.

Këtë vendim duhet ta marrim si një përgjegjësi të re dhe më të madhe për ne, për të ngritur në një nivel të ri luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe trafiqeve.

Kryeministri Berisha drejtoi sot në mesditë Komitetin ndërinstitucional për masat kundër krimit të organizuar, trafiqeve dhe terrorizmit. Anëtarët e Komitetit u përqendrua në diskutimin dhe vlerësimet rreth zbatimit të Planit të Veprimit në drejtim të luftës kundër krimit të organizuar, pastrimit të parave, luftës kundër trafiqeve dhe kultivimit të bimëve narkotike.

Në hapje të mbledhjes, Kryeministri Berisha i shprehu anëtarëve të Komitetit, drejtues të institucioneve dhe agjencive të ndryshme në vend, falënderimet për punën dhe përkushtimin, në arritjen e vendimit historik të Komisionit Europian për heqjen e vizave për Shqipërinë.

“Vendimi i KE, - tha Kryeministri - për heqjen e vizave përbën vlerësimin më maksimal të kësaj pune, të reformave dhe të rezultatit të reformave, pasi njëra anë është të ndërmarrësh reforma, por problemi është produkti i tyre. Dhe është pikërisht produkti i këtyre reformave, rezultati dhe suksesi i tyre, ajo që ka shërbyer si bazë për këtë vendim të Këshillit të komisionerëve të Komisionit Europian”.

Kryeministri theksoi se ky vendim përbën edhe një përgjegjësi të re, më të madhe për të ngritur në një nivel të ri luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe trafiqeve. Në këtë kontekst, Kryeministri u ndal në disa nga orientimet kryesore, konsolidimi i luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, përmirësimi dhe kompletimi i të gjithë kuadrit ligjor në luftën kundër krimit ekonomik, pastrimit të parave, shkatërrimit të bazës ekonomike të krimit, forcimi i luftës kundër kultivimit të bimëve narkotike, si dhe përcaktimi i objektivave të reja kundër trafiqeve, sidomos të fëmijëve dhe vajzave. Kryeministri kërkoi vendosjen e një bashkëpunimi më të ngushtë midis Agjencisë së Luftës kundër Pastrimit të Parave dhe Prokurorisë së Përgjithshme.

Më gjerë, në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Së pari, dëshiroj t’ju falënderoj shumë përzemërsisht juve, drejtuesit e agjencive dhe institucioneve që merreni kryesisht, me luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve, korrupsionit e terrorizmit, të falënderoj të gjithë bashkëpunëtorët tuaj në Tiranë dhe rrethe, të cilët me përkushtimin dhe seriozitetin e tyre të madh bënë të mundur një vendim historik nga Komisioni Europian për Shqipërinë dhe shqiptarët, heqjen e vizave. Pa punën, përkushtimin tuaj e të bashkëpunëtorëve tuaj, pa profesionalizmin e tyre, kjo arritje historike e Shqipërisë dhe shqiptarëve do të kishte qenë e pamundur. Vendimi i Komisionit Europian për heqjen e vizave përbën vlerësimin më maksimal të kësaj pune, të reformave dhe të rezultatit të reformave, pasi njëra anë është të ndërmarrësh reforma, por problemi është produkti i tyre. Dhe është pikërisht produkti i këtyre reformave, rezultati dhe suksesi i tyre, ajo që ka shërbyer si bazë për këtë vendim të Këshillit të komisionerëve të Komisionit Europian.

Por, nga ana tjetër, këtë vendim, duhet ta marrim si një përgjegjësi të re dhe më të madhe për ne, për të ngritur në një nivel të ri luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe trafiqeve. Duhet të jemi realistë, nuk ka ndonjë trafikant që të ketë vuajtur për marrjen e një vize, por tani, lëvizja e lirë, pa viza përbën gjithashtu për ta mundësi më të mëdha të ushtrimit të veprimtarisë së tyre kriminale, por përbën edhe një përgjegjësi shumë më të madhe për ne, në mënyrë që të konsolidojmë fuqishëm luftën kundër krimit të organizuar. Nuk ka dyshim se krimi i organizuar dhe korrupsioni mbeten në mënyrë konstante dy armiqtë më të egër të qytetarëve të lirë shqiptarë, i kërcënojnë, rrënojnë, bllokojnë, pengojnë. Ndaj ftesa dhe kërkesa ime është që ta marrim këtë vendim si një nxitje dhe inkurajim shumë më të madh për ne, për të përcaktuar objektiva shumë më ambiciozë në luftën kundër krimit të organizuar. Ne duhet të jemi të vetëdijshëm se kjo luftë është iluzion, në rast se nuk i shkatërrojmë atij bazën ekonomike. Le ta dënojmë atë me dënimet më të ashpra në gjykata, por, në rast se nuk i kemi shkatërruar bazën ligjore, ai vazhdon të fuqizojë pushtetin e tij dhe vazhdon të zgjerojë pasuritë e tij, vazhdon të udhëheqë me eficencë të madhe klanin e tij.

Ne duhet të shqyrtojmë një nga një të gjitha proceset dhe hallkat e kësaj lufte. Ne që miratuam një nga ligjet më të mira në Europë për konfiskimin e aseteve, le të vazhdojmë punën për përmirësimin apo kompletimin e të gjithë kuadrit ligjor, të trajtimit të tyre, të luftës kundër pastrimit të parave. Ne kemi kërkuar që Agjencia të shqyrtojë ligjin, të sjellin gjithçka në përputhje me këtë nivel të ri të luftës kundër krimit të organizuar. Marrëveshja është arritur midis Prokurorisë së Përgjithshme, Ministrisë së Brendshme dhe asaj të Drejtësisë, mbi bazën e Memorandumit ekzistues, për të hartuar ligjin e ri për Policinë Gjyqësore, i cili rrit në një shkallë të caktuar, më të madhe përgjegjësinë e kësaj policie, por natyrisht, nuk mund t’i japë atributet që Kushtetuta i ka dhënë një institucioni tjetër. Unë mendoj se marrëveshja që është arritur mbi bazën e Memorandumit përbën një bazë shumë solide, sepse ka edhe një praktikë të deritanishme, faktikisht, pozitive në tërësinë e saj. Në ligjin e ri që do të hartoni ju duhet të shihni bashkërisht, se si të parandaloni defektet e këtij bashkëpunimi, si ta bëni më transparent e më të përgjegjshëm këtë bashkëpunim, se si të trajnoni më mirë trupën e policisë për hetim, si ta bëjmë më të përgjegjshëm prokurorin ndaj procesit hetimit, por nga ana tjetër, nuk shoh absolutisht asnjë lloj problematike që ai proces udhëhiqet nga prokurori. Ka edhe modele të tjera, por ky është një ndër modelet jo unike në Shqipëri, edhe në vende të tjera, ndaj ta konsolidojmë këtë model dhe të sjellim pa vonesë ligjin në parlament.

Gjithashtu, është jashtëzakonisht e rëndësishme që të përcaktojmë objektiva të reja kundër trafiqeve, sidomos të fëmijëve dhe vajzave. Lëvizja e lirë në një mënyrë e bën realisht më të mundshëm. Ne i bllokuam skafet dhe bëmë mirë, sërish të bllokuara do të mbeten, pasi nuk kemi pse të kemi keqardhje për industrinë e mafias, por ne do të përcaktojmë disa rregulla shumë serioze, të cilat i ka bota e do t’i kemi edhe ne, për lëvizjen e fëmijëve. Duhet me shpejtësi të studiohet i gjithë legjislacioni, kushtet në të cilat një fëmijë kalon në pikat tona kufitare.

Një bashkëpunim më i ngushtë është i domosdoshëm midis Agjencisë së Luftës kundër Pastrimit të Parave dhe Prokurorisë së Përgjithshme. Janë jo një, por një seri rastesh, të cilat Agjencia i ka nisur në prokurori për këtë vepër dhe prokuroria ka dhënë përgjigje negative. Nuk mund të them se ku qëndron e vërteta, por ajo që them është që secili rast, një për një, duhet të analizohet bashkërisht, siç funksion edhe Task Force e luftës kundër korrupsionit. Por duhet të ndalemi në mënyrë të veçantë tek krimi, sepse në rast se në krimin tjetër ekonomik, në luftën kundër korrupsionit, tani është konsoliduar një traditë penalizmi e padiskutueshme, në çështjen e pastrimin e parave kjo traditë është rudimentare. Kjo përparësohet dhe duhet të uleni së bashku me Prokurorinë e Përgjithshme. Procesi i larjes së parasë për ju është i qartë. Prokuroria e Përgjithshme ka rregullat e veta. Ky proces nuk është i komplikuar, por akoma nuk ka marrë përgjigjen e duhur institucionale nga ne dhe besoj se për këtë jemi dakord.

është bërë një punë e madhe për luftën kundër kanabisit. Unë përgëzoj forcat e rendit, deputetët, të cilët kanë bërë një punë komunitare shumë të dobishme në disa komuna të vendit si në Lazarat dhe në komuna të tjera. Ajo çfarë unë kërkoj dhe çfarë duhet të bëjmë, është se duhet të përcaktojmë programe të veçanta për të ndihmuar këto komunitete. Nga një anë, përdorim tolerancë zero ndaj mbjelljes së kanabisit, por nga ana tjetër, ne investojmë fuqishëm në këto komuna e zona, në mënyrë që edhe të valorizojmë pasuritë e tyre, edhe të lehtësojmë jetën e tyre. Ligji që penalizion pushtetarët vendorë për mbjelljen e bimëve narkotike duhet të zbatohet me seriozitetin më të madh. Ata janë zotët e territorit të tyre. Në ligj, në Kushtetutë, ata janë përgjegjës për administrimin e territorit të komunës së tyre. Ata nuk mund të thonë se nuk e dimë se po na mbillet kanabis. Po të kenë vullnet, le të kërkojnë edhe ndihmë nga policia, në rast se komuna është e hapur, që të kërkojnë. Por kryetari i komunës nuk mundet të mos mbajnë përgjegjësi, në përputhje me ligjin e votuar në parlament, për atë që ndodh në territorin e tij, mbjelljen e bimëve narkotike. E vërtetë, ka një reduktim të madh, por duhet të shkojmë drejt harrimit të këtij fenomeni.

Edhe një herë, para se të kalojmë në një analizë më të hollësishme, ju falënderoj për këtë arritje shumë të madhe, për këtë arritje historike dhe të bëjmë çdo përpjekje, të qëndrojmë në krye të përgjegjësive e detyrimeve tona, që rrjedhin nga ky vendim i madh. Faleminderit.


01/06/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›