“Shqipëria i rezistoi krizës sepse ekonomia jonë është e bazuar më shumë se kushdo tjetër në vlerat e lirisë së tregut”
- Shqipëria u anëtarësua në këtë organizatë 10 vjet më parë dhe vjen sot këtu me një bilanc realisht të suksesshëm. Shqipëria i rezistoi krizës sepse ekonomia jonë është e bazuar më shumë se kushdo tjetër në vlerat e lirisë së tregut
Kryeministri Berisha mori pjesë sot në Konferencën Kombëtare “Politikat Tregtare të Shqipërisë, mbështetje për zhvillimin ekonomik të vendit”, organizuar nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, me rastin e 10-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në Organizatën Botërore të Tregtisë. Në këtë takim, merrnin pjesë ministra të kabinetit qeveritar, ambasadorë të akredituar në Shqipëri, përfaqësues të OBT-së.
Në fjalën e tij përshëndetëse, kryeministri Berisha u shpreh:
Zotërinj ministra, shkëlqesi ambasadorë, të nderuar të pranishëm!
Sot ne jemi mbledhur këtu për të shqyrtuar raportin e fundit që Organizata Botërore e Tregtisë ka miratuar për Shqipërinë. Me këtë rast, në 10-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në këtë organizatë, dua të shpreh të gjithë falënderimin tim OBT-së për ndihmën dhe mbështetjen e vazhdueshme, konstante që i ka dhënë vendit tonë, në fushën më jetike, për ekonominë e tregut, për lirinë e saj, që është tregtia e lirë. Asgjë, asnjë raport, asnjë faktor nuk është me ndikimin më të fuqishëm në iniciativën e lirë të individit, në kompleksin e interesave të tij më shumë se tregu dhe liria e tij. Asgjë nuk përcakton më shumë shëndetin e një ekonomie sesa liria e tregtisë. Organizata Botërore e Tregtisë ka një mision të madh, ridemensionimin e kësaj lirie, për të cilën flitet më shumë se për çdo liri tjetër, por fatkeqësisht përballet me ritorsione të pamerituara dhe ndonjëherë edhe nga ata që duhet të jenë lider në promovimin, mbrojtjen dhe garantimin e saj. Nuk ka raport më të rëndësishëm, dëshmitar më të besueshëm për lirinë e tregut se sa standardet e tregtisë së lirë. Shqipëria u anëtarësua në këtë organizatë 10 vjet më parë dhe vjen sot këtu me një bilanc realisht të suksesshëm. Dhe kjo jo se Shqipëria kishte mundësi që kanë shumica e vendeve anëtare të kësaj organizate, të cilat në disa drejtime adaptojnë barrierat më të papranueshme, por sepse besimi te liria këtu është shumë i madh. Po të vështrosh të gjitha reformat që ne ndërmarrim, ato kanë një synim: të garantojnë lirinë e tregut, tregtinë e lirë, që pothuaj janë sinonime të njëra-tjetrës. Nuk ka një vend tjetër si ky vend, me shkallën më të ulët të ndihmës shtetërore. Kur imagjinoj fermerët e Myzeqesë të përballen me fermerët e fushave të Evropës Qendrore, që marrin për çdo lopë nga 2-5 euro subvencion, më pikon zemra për ta. Por prapë se prapë ne jemi të vendosur, nuk kemi ndihmë shtetërore, ose atë që e kemi e kemi minimale, nuk do të rrisim atë. Jo, është një garë të cilin ne jemi të vendosur ta ndjekim duke përdorur si leva e Arkimedit lirinë, zgjerimin e dimensioneve të saj. Kur ti punon, kur ti bën bilanc, je i detyruar të shohësh prapa, të shohësh cilat janë dobësitë e modelit që ndjek. E vërteta është se sot ky model faktohet çdo ditë e më shumë model suksesi, model suksesi i vërtetë. Shqipëria ka një apel: askush nuk duhet të trembet nga tregtia e lirë!
Zonja dhe zotërinj!
Në kulmin e një krize, e një piramidërie botërore, cila është situata e Shqipërisë? është i vetmi vend, që këto 4 muaj, krahasuar me 4 muajt e viti të kaluar, shënoi dyfishimin e eksporteve “Made in Albania”. çfarë do të thotë? Do të thotë se tregtia për ne, nuk është rruga e mëndafshit, është rruga e artë dhe liria e saj. Pavarësisht se nuk jemi vend i ndihmave shtetërore, as edhe i parqeve të eksportit, apo i politikave të subvencionit të eksporteve, por ne duke krijuar një mjedis sa më të mirë për tregun për investimet, duke vendosur barrën fiskale më të ulët, vendi këto 4 muaj, për herë të parë në historinë e tij, shënon dyfishimin e eksporteve. Dhe ky dyfishim vjen duke përjashtuar energjinë, e cila ka qenë e bollshme në këtë periudhë. Të gjitha marrëveshjet që ne kemi nënshkruar për tregtinë e lirë, janë kanale në të cilat ndodhin këto zhvillime. Dhe ne kemi nënshkruar me dhjetëra marrëveshje të tregtisë së lirë. Ne i zbatojmë ato. Kur ne nënshkruam marrëveshjen e tregtisë së lirë me Turqinë nuk ishin të paktë ata që u druajtën, se dihen kushtet e tregut turk. E vërteta është se ne e ratifikuam në parlament para Turqisë atë marrëveshje dhe u detyrova të loboj te miqtë e mi turq që ta ratifikoj atë marrëveshje. Marrëveshja u ratifikua, jek e jek shkoi. Përfituam, pa diskutim. Pra unë dua të shpreh nderimin e madh për këtë organizatë e cila ka vlerësuar Shqipërinë në mënyrë objektive të ndershme, sikundër dua të garantoj se ne jemi të vendosur që të zgjerojmë gjithnjë e më shumë hapësirat e tregtisë së lirë, të heqim çdo barrierë. Ne jemi ekonomi jo e madhe, por jemi ekonomi e re dinamike, entuziaste. E vërteta është se jemi ekonomi më globale se ekonomitë e tjera, se sa më i vogël të jesh, aq më global je, nuk ke zgjidhje, por nuk ke as humbje.
Ndaj edhe këtë 10-vjetor, le ta përdorim si një stacion për të përcaktuar objektiva të reja në mënyrë që të zgjerohet liria e tregut, të inkurajojmë tregtinë e lirë, të heqim çdo barrierë, me guxim. Shembulli i Shqipërisë në këtë krizë të madhe botërore dëshmon se përcaktuese për një ekonomi janë parimet mbi të cilat bazohet. E vërteta është se ne e i rezistuam krizës sepse ekonomia jonë është e bazuar më shumë se kushdo tjetër në vlerat e lirisë së tregut. çfarë faktoi kjo? E vini re ju që popujt njëri pas tjetrit votojnë Qendrën e Djathtë dhe largohen nga rruga e socialdemokracisë evropiane, e cila ka kontributin e vet. Pse ndodh kjo? Se është sistemi i taksave. Edhe taksat, krahas ndihmës shtetërore, janë një shpatë Demokleu mbi lirinë e tregut për iniciativën e lirë. Koha faktoi se rruga e lirisë është e vetmja. Shikoni çfarë ndodh sot me ”bailout”-et. Që të gjitha janë dështime, janë pilulat më të hidhura që i jepen tregut. Absolutisht të pamerituara dhe bazohen vetëm në fuqinë e prerjes së monedhës apo të drejtimi të taksave nga një sektor performant në një sektor joperformant. Unë nuk gjej asnjëherë moralitet te “bailout”-et, sepse ato synojnë majat gjigande të ndihmës shtetërore dhe të pamerituar, tërësisht të pamerituar. Por këto mbajnë gjallë krizën. Eshtë e vërtetë se ti bën “bailout” për një bankë piramidë gjigande, por nuk ndëshkon vetëm taksapaguesit e vendit tënd, por e bën krizën që të ndodhë edhe në vendet e tjera. Ndaj edhe unë i bëj thirrje OBT-së, që të ngrejë zërin e saj të fuqishëm, kundër “bailout”-eve. çfarë është flluskë duhet të falimentojë! Ky është vetë rregulli.
Faleminderit!
01/06/2010