E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministri Pollo: “Revolucioni i TIK duhet të ndiqet nga një sërë masash sigurie për të dhënat personale”

Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale organizoi sot në hotel “Tirana International” një konferencë me rastin e Ditës Evropiane të Mbrojtjes së të Dhënave Personale.
I pranishëm në këtë konferencë, Ministri i Shtetit  Z. Genc Pollo u shpreh se:
“Sot jetojmë në një botë, e cila përsoset në sajë të zhvillimeve teknologjike, të cilat ndryshe nga fushat e tjera po avacojnë me ritme eksponenciale dhe  revolucionarizojnë  shoqërinë njerëzore. Në dallim nga gjithë revolucionet e ndodhura në historinë e njerëzimit, për të cilat u deshën shekuj dhe gjenerata për të transformuar mënyrën e jetesës, revolucioni i Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK) është unik për nga shpejtësia e ndryshimit. Këtë ndryshim po e përjeton dhe shoqëria shqiptare si dhe ekonomia e saj. Mjafton të përmend që sektori i komunikimeve elektronike ishte ai që shënoi rritjen më të madhe këtë vit. Portabiliteti i numrit të celularit, përdorimi i standartit 3G, ( gjenerata e tretë) licensat e ëIMAX etj, që synojme t’i realizojmë këtë vit,  do të nxisin më shumë zhvillimin teknologjik, profesionalizimin e burimeve njerëzore, rritjen ekonomike dhe me të rëndësishmen, transformimin e e mënyrës së jetesës duke rritur oportunitetet e personit .”
Ligji nr. 9887, datë 10.03.2008 “Për Mbrojtjen e të Dhënave Personale” shtjellon ndër të tjera mbrojtjen e privatësisë së personit, duke përfshirë këtu  të dhënat personale të individit, të cilat kanë të bëjnë me çdo të dhënë dhe informacion që lidhet me; personin, jetën e tij private, të drejtat, pronën, mjedisin që lidhet me pronën, banesën dhe pjesët e saj, veprimtarinë dhe interesat vetjake, çështjet e brendshme familjare, të dhënat sensitive, origjinën racore ose etnike, mendimet politike, anëtarësimin në sindikata, besimin fetar ose filozofik, dënimin penal si dhe të dhëna për shëndetin dhe jetën seksuale, tiparet biologjike unike, të drejtën e votës, të dhëna biometrike, karakteristikat gjenetike, etj.
E drejta për respektimin e jetës private dhe familjare përbën dhe sot një nga sfidat e shteteve të lira e demokratike, veçanërisht të demokracive të reja. Garantimi i kësaj të drejte themelore është një reflektim ndaj përvojës negative të regjimeve totalitare e diktatoriale, tendenca e të cilave ka qenë ndërhyrja ekstreme edhe në çështjet apo vendimet intime personale apo familjare. Me miratimin e këtij ligji dhe vendosjen e Autoritetit Mbikëqyrës për Mbikëqyrjen dhe Monitorimin e Mbrojtjes së të Dhënave Personale, Republika e Shqipërisë, rreshtohet në krah të shteteve të zhvilluara të Evropës, të cilat përmbushin standardet e mbrojtjes së të dhënave personale.
Komisionerja për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Zonja Flora çabej-Pogaçe ka organizuar një sërë aktivitetesh për të kremtuar  Ditën Evropiane për Mbrojtjen e te Dhënave Personale:Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale organizon gjatë gjithë javës që paraprin Ditën e Mbrojtjes së të Dhënave Personale një sërë aktivitetesh me qëllim sensibilizimin e individëve në lidhje me njohjen e ligjit si dhe zbatimin e rregullave për mbrojtjen e të dhënave personale; Aktivitetet përfshijnë takime sensibilizuese gjatë datave 25 dhe 26 janar në fakultete, qëndra tregtare dhe mjedise të tjera të hapura për publikun. Me datë 27 Janar Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale në bashkëpunim me  “Sos Fshati i Fëmijëve Shqipëri” do të organizojnë një aktivitet të zgjeruar me prezantimin e punimeve të fëmijëve në pikturë dhe ese me temën e njohjes së të drejtës së privatësisë dhe mbrojtjes nga përdorimi i rrjeteve sociale.
Për më tepër informacion organizimi i aktiviteteve do të pasqyrohet më tej edhe në faqen zyrtare të Internetit të Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale www.kmdp.al
 28/01/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›