E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha takon kryeministrin e Hungarisë, zotin Viktor Orban

Kryeministri Berisha mirëpriti sot në një takim, kryeministrin e Hungarisë, zotin Viktor Orban, i cili ndodhet në Shqipëri, me ftesë të kryeministrit Berisha për të marrë pjesë në festimet e 100 vjetorit të pavarësisë.

Kryeministri Berisha i shprehu homologut hungarez mirënjohjen më të thellë për pjesëmarrjen e tij në këtë ditë të shënuar për mbarë kombin shqiptar. Kryeministri vlerësoi miqësinë shekullore mes dy popujve, duke i cilësuar betejat  e përbashkëta të prijësve të të dy vendeve, Skënderbeut dhe Huniadit si thesare të çmuara për të dy kombet tona.

Kryeministri tha se vizita  e mikut të shquar të kombit shqiptar Viktor  Orban është një kontribut i rëndësishëm në forcimin dhe thellimin e mëtejshëm të kësaj miqësie, si dhe të bashkëpunimit në shekullin tjetër të pavarësisë dhe qindra viteve që vijnë.

Pas takimit mes tyre, të dy kryeministrat dhanë një prononcim të përbashkët për shtyp:

Kryeministri Berisha:  Është për mua një rast për ti shprehur mirënjohjen time më të thellë, kryeministrit të Hungarisë mike Viktor Orban, që erdhi direkt nga Budapesti në Tiranë për të festuar sëbashku  100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.  Dua të theksoj këtu se lidhjet midis dy kombeve dhe prijësve tanë janë shekullore. Lidhjet e Skënderbeut me Huniadin dhe betejat e tyre të përbashkëta për liri, janë një thesar i çmuar, për të dy kombet tona.

Zonja dhe zotërinj

Shqiptarët duhet ta dinë se në tokën hungareze, 100 vjet më parë u mor  vendimi ndërkombëtarë për Pavarësinë e Shqipërisë, u mor në kështjellën e Sekretarit të Shtetit Kontit  Hadik, Sekretar Shteti  i Perandorisë Austro-Hungareze, i cili organizoi  edhe takimin në kështjellën e tij me ministrin e jashtëm të perandorisë duale Bertot.  Më vonë Mbreti ynë Zogu I, pati fatin e madh të ketë ai për bashkëshorte dhe shqiptarët për mbretëreshë Geraldinë  Aponi, konteshën deshendente e njërës prej familjeve me te shquara hungareze.

Mbretëresha  jetoi pak në Shqipëri, por ka lënë në kombin shqiptarë memorien më të shkëlqyer.  E falenderova Kryeministrin, sepse zëvendës kryeministri i Hungarisë ishte këtu i pranishëm me 17 nëntor, ditën që ne i shprehem nderimin Mbretit të parë të shqiptarëve dhe Mbretëreshës së tyre të parë në kohërat moderne.  Dhe njëherë është mirënjohje e thellë.  Viktor  Orban është një mik  i shquar i kombit tonë, por kjo vizitë e bën edhe më të madhe këtë miqësi, këtë mirënjohje dhe bashkëpunimin tonë në shekullin tjetër të pavarësisë dhe qindra viteve që vijnë.

Faleminderit,  zoti Kryeministër për këtë vizitë, ke nderur çdo shqiptar.

Kryeministri hungarez Viktor Orban:   Zonja dhe zotërinj, Zoti Kryeministër,

Unë prandaj kam ardhur sot në shtëpinë tuaj, që t’ju jap urimet më të mira të shtetit hungarez.  Ne kemi marrëdhënie miqësore të shkëlqyera dhe kjo është një miqësi e thellë, shekullore. Miqësia  jonë ka nisur me vuajtje, por Hungaria edhe Shqipëria janë të njëjtë, të dy e duan pavarësinë, megjithëse e dimë që historia dhe forcat të ndryshme nuk na e bënin të mundshme këtë pavarësi.

Ndaj,  ne e dimë se çfarë kënaqësie është kur një shtet feston Pavarësinë, sidomos 100 vjeçare dhe jam shumë krenar, që munda të vija në këtë ditë të mrekullueshme. Ne  nuk mendojmë vetëm për kohën që ka ikur por edhe për të ardhmen në këto momente. Në takimin që kishim me Kryeministrin i shpreha edhe Kryeministrit tuaj se Hungaria në bashkëpunim me Shqipërinë e shikon të ardhmen dhe ne mendojmë se do të jetë një Evropë, ku edhe Shqipëria dhe Hungaria të jenë të anëtarësuar. E dimë që shteti juaj kishte pengesa para 20 vjetësh, sidomos me anën ekonomike, por e shohim se çfarë zhvillimi ka kaluar këto 20 vite. Ne e ndjekim se si zhvilloni dhe si e menaxhoni ju ekonominë, edhe në këto kohëra të krizës ekonomike.

Mendoj se e ardhmja është e shteteve që deficitin e ulin dhe rrisin ekonominë. Jam i bindur se si Hungaria dhe Shqipëria do të jenë një nga fituesit më të mëdhenj të Evropës në të ardhmen.  Ne  edhe në të ardhmen do të mbajmë marrëdhënie të mira bashkëpunimi. Urime për Pavarësinë!


28/11/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›