E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha pret Ministrin e Komunikimeve, Punës dhe Çështjeve Sociale të Shtetit te Kuvajtit, z. Salem Al Thaina

Kryeministri Berisha priti sot në një takim Ministrin e Komunikimeve, Punës dhe Çështjeve Sociale të Shtetit te Kuvajtit, z. Salem Al Thaina, i cili ndodhet në Tiranë si përfaqësues i qeverisë dhe shtetit të Kuvajtit në ceremonitë festive të 100 të pavarësisë së vendit.

Kryeministri Berisha, pasi i shprehu mirëseardhjen z. Salem Al Thaina, shfrytëzoi rastin për t’i përcjellë përshëndetjet më të ngrohta Madhërisë së Tij Emirit të Kuvajtit Sheikh Sabah Al-Ahmed Al-Jaber Al-Sabah. Gjithashtu, Kryeministri shprehu mirënjohjen më të thellë për ndihmë dhe mbështetjen e madhe që Madhëria e tij, Emiri i Kuvajtit dhe qeveria kuvajtiane, i kanë dhënë Shqipërisë gjatë kësaj periudhe, në shumë fusha.

Ministri i Komunikimeve, Punës dhe Çështjeve Sociale të Shtetit te Kuvajtit, z. Salem Al Thaina, e falënderoi Kryeministrin Berisha për pritjen dhe i shprehu privilegjin dhe kënaqësinë që ndjente që përfaqësonte në këtë jubile historik të kombit shqiptar, qeverinë dhe shtetin e Kuvajtit. Ai i përcolli Kryeministrit Berisha, në emër të Madhërisë së tij, Emirit të Kuvajtit, të qeverisë dhe të gjithë qytetarëve të vendit të tij, urimet më të mira për zhvillimin dhe modernizimin e mëtejshëm të Shqipërisë, për suksese të mëtejshme të qeverisë Berisha dhe begatinë e popullit shqiptar.

Në takim u ri konfirmuan marrëdhëniet e shkëlqyera politike dhe të gjithanshme, si dhe u shpreh vullneti i përbashkët për të zgjeruar bashkëpunimin e frytshëm, përmes projekteve të rëndësishme në fusha me interes reciprok.

Ministri kuvajtjan, i cili ka pasur rastin edhe më parë të vizitojë Shqipërinë, u shpreh tërësisht i impresionuar me transformimet e rëndësishme dhe zhvillimet cilësore që Shqipëria ka shënuar nën drejtimin dhe në sajë të reformave të qeverisë Berisha, gjatë kësaj periudhe.

Kryeministri Berisha, duke e falënderuar për vlerësimet miqësore,  theksoi se ndihma gjeneroze e shtetit të Kuvajtit ndaj Shqipërisë ka një kontribut të rëndësishëm në këto arritje dhe shprehu edhe njëherë mirënjohjen ndaj qeverisë dhe kombit mik kuvajtjan. Kryeministri vlerësoi gjithashtu investimet e huaja direkte nga investitorë prestigjiozë kuvajtianë, si investime ndër më të suksesshme gjatë gjithë kësaj periudhe në Shqipëri, duke përmendur këtu nga investimet në infrastrukturë, autostrada të mëdha e deri në ndihmën për shtresat në nevojë, fëmijët me autizëm, etj.

Të dy bashkëbiseduesit ri konfirmuan vullnetin e përbashkët për shkëmbimin e kontakteve politike në nivele më të larta, si një kontribut për nxitjen e bashkëpunimit në të gjitha fushat.


27/11/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›