Kryeministri Berisha përuron në Tiranë, shtatoren e heroit legjendar Adem Jashari
Kryeministri Berisha së bashku me Rifat Jasharin, anëtar i familjes Jashari, kryeministrin e Kosovës z. Hashim Thaçi dhe kryetarin e Bashkisë së Tiranës z. Lulzim Basha, zbuluan sot pasdite shtatoren e heroit legjendar Adem Jashari. Shtatorja, e realizuar nga skulptori Muntaz Dhrami, u vendos në sheshin në hyrje të bllokut të ambasadave, në rrugën e “Durrësit”, në Tiranë.
Të pranishëm në këtë ceremoni, krahas autoriteteve të larta të vendit, ishin dhe Presidentja e Kosovës znj. Atifete Jahjaga, kryetari i Kuvendit të Kosovës z. Jakup Krasniqi, ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës z. Agim Çeku, kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim të Maqedonisë, z. Ali Ahmeti, etj.
Pas përurimit të shtatores, Kryeministri Berisha dhe personalitetet e tjera të pranishme në këtë ceremoni vendosën në të buqeta me lule.
Kryeministri Berisha vlerësoi lart figurën dhe kontributin e heroit legjendar Adem Jashari, si dhe u shpreh se mirënjohja dhe detyrimi ndaj veprës së tij, sot e përjetë, do të njohë vetëm rritje të rëndësishme.
Duke u shprehur se çdo shqiptar, në të gjitha trojet, ndihet krenar për heroin e luftës së Kosovës, Adem Jasharin, Kryeministri Berisha theksoi se do të bëjmë gjithçka për të bërë realitet ëndrrën e bashkimit kombëtar, si ëndrra më e bukur, si ëndrra e vërtetë evropiane e këtij kombi.
Në fjalën e tij, në këtë ceremoni, Kryeministri Berisha u shpreh:
“E nderuara Presidente e Republikës së Kosovës, znj. Ahtifete Jahjaga,
Zoti Kryeministër i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi,
Zoti kryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti,
I dashur kryetar i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha,
I dashur Rifat Jashari, vëlla i heroit legjendar Adem Jashari,
Të dashur qytetarë e qytetare të Tiranës, qytetare dhe qytetarë shqiptarë kudo që jeni sot, në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni, Mal të Zi e diasporë, që gjendeni të bashkuar më shumë se kurrë, në këtë moment solemn, për t’u përulur me nderimin më të thellë para burrit që shndërroi Prekazin, Drenicën, në Krujën e dytë të shqiptarëve, komandantit legjendar Adem Jashari.
Mirënjohja dhe detyrimi ynë ndaj veprës së tij, sot e përjetë, do të njohë vetëm rritje të rëndësishme. Adem Jashari, i derdhur sot në këtë shtatore madhështore nga skulptori i shquar Muntaz Dhrami, ka një fole të përjetshme në zemrën e të gjithë shqiptarëve. Ai do të prehet aty për sa kohë do të jetojë flamuri i tyre legjendar, sepse ai, pas Skënderbeut, është flamurmbajtësi më dinjitoz, më trim, më burrëror i këtij flamuri. Ai u faktoi shqiptarëve dhe botës se heroizmi i këtij kombi nuk ka kufij, se sakrifica e tij për liri dhe dinjitet kombëtar nuk njeh kufij, se është i gatshëm për çdo çmim, për lirinë dhe dinjitetin e tij, të kombit, të vendit të tij.
Sot ne jemi këtu nga të gjitha trojet etnike shqiptare, kemi vendosur lule dhe ndjehemi krenar me ju, komandant, por sot jemi këtu edhe për t’u zotuar solemnisht se të frymëzuar nga vepra jote, nga legjenda jote dhe qindra e mijëra heronjve e martirëve të këtij kombi, do të bëjmë gjithçka që të shndërrojmë përfundimisht në realitet idealin e shenjtë për të cilin t’i bëre sakrificën më sublime, për të cilën shqiptarët gjatë një shekulli ranë për t’u bërë të pavdekshëm në altarin e kombit tonë, për të bërë realitet ëndrrën e bashkimit kombëtar, si ëndrra më e bukur, si ëndrra e vërtetë evropiane e këtij kombi.
Ndaj, duke të shprehur edhe një herë mirënjohjen më të thellë, le të punojmë ne të gjithë krenarë me heroizmin tënd, të frymëzuar nga trimëria e jashtëzakonshme jotja, të ushqyer nga vizioni dhe ideali yt për një komb shqiptar të bashkuar në të gjitha trojet e tij etnike. Së bashku me bashkëluftëtarët e tu sonte ti nisesh për në Vlorë, nga Vlora kthehesh në të gjitha qytetet, fshatrat, luginat, malet e kombit tënd, për të mbetur përjetë i pavdekshëm, siç je.
Faleminderit!”
27/11/2012