Kryeministri Berisha takon Asistent/Sekretarin e Ministrisë së Jashtme të Shtetit të Katarit, z. Ali Bin Fahad
Kryeministri Berisha priti sot në një takim Asistent/Sekretarin e Ministrisë së Jashtme të Shtetit të Katarit, z. Ali Bin Fahad, i cili ndodhet në Tiranë në kuadër të festimeve për 100 vjetorin e pavarësisë së vendit.
Pasi i uroi mirëseardhjen, Kryeministri Berisha shfrytëzoi rastin për të shprehur përshëndetjet më të përzemërta për Emirin e Katarit, Lartësinë e Tij Sheikun Hamad Bin Khalifa Al-Thani, Kryeministrin e Katarit, Sheikun Hamad bin Jasim bin Jabir AL THANI dhe për gjithë qeverinë dhe popullin e Katarit. Gjithashtu, Kryeministri shprehu mirënjohjen më të thellë për mbështetjen e vazhdueshme që ky vend, mik i Shqipërisë dhe shqiptarëve, i ka dhënë vendin tonë gjatë gjithë kësaj periudhe.
Asistent/Sekretari i Ministrisë së Jashtme të Shtetit të Katarit, z. Ali Bin Fahad, e falënderoi Kryeministrin për pritjen e ngrohtë e miqësore dhe e uroi atë përzemërsisht, në emër të Emirit të Katarit, të Kryeministrit dhe të shtetit të Katarit, për 100 vjetorin e pavarësisë, duke e vlerësuar si një ngjarje madhore historike për Shqipërinë dhe kombin shqiptar. Z. Ali Bin Fahad u shpreh se ndihet thellësisht i privilegjuar që përfaqëson në këto ceremoni jubilare kombin dhe shtetin e Katarit, Emirin e Katarit, ndërsa nënvizoi se vendi dhe kombi i tij i urojnë Shqipërisë, popullit shqiptar dhe Kryeministrit Berisha, suksese të mëtejshme për modernizimin e Shqipërisë, për mirëqenien dhe begatinë e popullit shqiptar.
Në takim u ri konfirmuan marrëdhëniet e shkëlqyera miqësore politike midis të dy vendeve dhe qeverive, si dhe u shpreh vullneti i palëkundur për zgjerimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat. Në këtë kontekst, vizita e Emirit të Katarit në Tiranë, për të cilin Kryeministri shprehu mirënjohjen më të thellë, u vlerësua si një kontribut i jashtëzakonshëm në zgjerimin e këtij bashkëpunimi në shumë sektorë të rëndësishëm. Gjithashtu, Kryeministri shprehu mirënjohjen për një sërë projektesh të rëndësishme për të cilat po punohet në mënyrë të suksesshme me shtetin e Katarit. Të dy personalitetet vlerësuan si sektorë të rëndësishëm, të cilët do të përfshihen në vijim në bashkëpunimin dypalësh, sektorë si ai i prodhimit të energjisë hidrike, turizmit, sektori i minierave, bujqësisë, etj.
Në takim u ri konfirmua vullneti për intensifikimin e kontakteve politike në nivele më të larta, si një kontribut për zhvillimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes reciprok.
27/11/2012