E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha flet për projektligjin për dëmshpërblimin e ish të dënuarve politikë të regjimit komunist

Duke folur në fillim të mbledhjes së Këshillit të Ministrave, Kryeministri Berisha veçoi nga rendi i ditës projektligjin për dëmshpërblimin e ish të dënuarve politikë të regjimit komunist. Lidhur me këtë projektligj, Kryeministri bëri këto komente:

"Ky ligj vjen pas konsultimeve të gjera me grupet, shoqatat e të përndjekurve politikë. Ky ligj vjen si një detyrim madhor, por edhe i vonuar, i mbarë shoqërisë shqiptare ndaj atyre që u martirizuan për së gjalli për fjalën e lirë, për besimin tek Zoti, për vokacionin perëndimor të kombit shqiptar. Shqipëria dhe shqiptarët përjetuan kaluarin më të egër të regjimit komunist totalitar. Shqipëria gjatë diktaturës u mbush me burgje, nga më të tmerrshmet në të gjithë hapësirën ish komuniste, me kampe përqendrimi që nuk kursenin as fëmijët, të sëmurët, gratë shtatzëna. Shqipëria ishte vend i ekzekutimeve pa gjyqe ose me gjyqe false.

Unë ftoj qytetarët shqiptarë të mos harrojnë për asnjë moment se vepër e këtyre të përndjekurve e të burgosurve politikë janë miliarda e miliarda vlera të krijuara në shoqërinë shqiptare. Lagje të tëra të kryeqytetit të Shqipërisë, por edhe të qyteteve të tjera të vendit, janë ndërtuar prej tyre në rrethimet me telat me gjemba. Janë qindra e mijëra hektarë këneta të thara me muskujt e tyre, janë miliona ton minerale të nxjerra nga galeritë më të thella të vendit, nga të cilat ata përfitonin vetëm 400 gram bukë dhe supën me karota, mplakjen dhe vdekjen e parakohshme e të sigurt. Askush nuk ka detyrim më madhor sesa shoqëria shqiptare ndaj kësaj shtrese. Unë jam i bindur se shpirti i shoqërisë nuk mund të prehet dhe të jetë i qetë, nuk mund të ketë drejtësi sociale të vërtetë dhe as paqe sociale pa dëmshpërblyer viktimat e një sistemi barbar, nuk mund konsolidohet liria aq e çmuar për të gjithë në rast se nuk dëmshpërblen ish të përndjekurit e regjimit.

Dëmshpërblimi, dua të theksoj, sërish është simbolik, sepse janë mijëra e mijëra prej tyre që u ekzekutuan në lule të rinisë dhe kjo vetëm e vetëm sepse mendonin ndryshe, vetëm e vetëm sepse ishin shkolluar në perëndim, vetëm e vetëm se mund të kishin një lidhje familjare që regjimi i konsideronte të rrezikshme. Nuk mund të dëmshpërblesh me asgjë shekuj e mijëvjeçarë rinie të marrë, të ndrydhur në qelitë apo brenda telave me gjemba. Me asgjë nuk mund të rikthesh lumin e vuajtjeve dhe lotëve njerëzor. Por shoqëria e shteti duhet që në mënyrën më serioze e të marrin vendimet që i takojnë.

Ky proces vetëm sa nis dhe me këtë ligj bëhet jo vetëm një detyrim madhor moral, por edhe një detyrim madhor ligjor për të ecur drejt kompletimit të këtij procesi, i cili, dua të theksoj, se është realisht i kushtueshëm. Por të mos harrojmë se me asgjë nuk mund të dëmshpërblesh mijëra jetë të marra vetëm për fjalën e lirë. Shekuj e mijëvjeçarë vite burgjesh, gulagësh, kampesh përqendrimi, pune çnjerëzore që u ushtrua ndaj së paku ¼ të popullatës shqiptare."

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›