Kryeministri Berisha takohet me përfaqësuesin e Kompanisë austriake të Energjisë EVN, zotin Guenther Ofner
Sot në mesditë, Kryeministri Berisha mirëpriti në takim Përfaqësuesin e Kompanisë austriake të Energjisë EVN, zotin Guenther Ofner.
Zoti Ofner i paraqiti Kryeministrit Berisha studimin mbi kaskadën e Devollit dhe projektin për shfrytëzimin e ujërave të tij, nëpërmjet ndërtimit të tre HEC-ve, me kapacitet 340 megavat. Ai theksoi se studimi i tyre disamujor është konkretizuar me këtë projekt-propozim, i cili kombinon efikasitetin, eficencën, përdorimin me kujdes të ambientit dhe shfrytëzimin e ujerave të këtij lumi me një zgjidhje origjinale. Vlera e projektit të prezantuar arrin 700 milionë euro. E veçanta e këtij projekti qëndron në shmangien e disa digave dhe ndërtimin e 3 tuneleve me gjatësi 50 kilometër. Kjo bën të mundur shfrytëzimin ekonomik të terrenit, duke spostuar vetëm 200 banorë dhe duke evituar përmbytjet, si dhe duke siguruar jetëgjatësi të hidrocentraleve në qindra vjet.
Drejtuesi i lartë i kësaj Kompanie, zoti Ofner, theksoi se studimi i plotë dhe projekti janë dorëzuar edhe në Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, ku sapo të përfundojnë procedurat sipas ligjit dhe nëse rezultojnë fitues, ata janë gati të fillojnë nga puna.
Kryeministri Berisha falënderoi zotin Ofner për studimin e plotë dhe të thelluar të kësaj kompanie për ujërat në Shqipëri, ndërsa vlerësoi punën e madhe e cilësore, si dhe treguesit e lartë të projektit të paraqitur. Zoti Berisha premtoi se qeveria do të bëjë të pamundurën për të asistuar në tërë procedurat administrative, për të mundësuar sa më parë rezultatin e këtij projekti.