Kryeministri Berisha shpreh ngushëllimet për ndarjen nga jeta të ish Presidentit të Rusisë Boris Jelsin
Kryeministri Berisha zhvilloi sot një vizitë ngushëllimi në Ambasadën e Rusisë në Tiranë, në nder të ish Presidentit të Rusisë Boris Jelsin, i cili u nda nga jeta disa ditë më parë.
Kryeministri Berisha i shprehu Ambasadorit rus ngushëllimet e tij për këtë humbje të madhe, jo vetëm për Rusinë por për mbarë Europën, ndërsa vlerësoi kontributin e ish presidentit Jelsin në rrugën e zhvillimit të demokracisë në Rusi, por dhe në ndryshimet e mëdha në kontinent.
"Me vdekjen e Presidentit Jelsin, kombi rus dhe Rusia humbën një burrë të madh shteti, por edhe mbarë Europa humbi një statist, i cili me kurajën dhe vizionin e tij, dha një kontribut të madh në ndryshimet epokale që ky kontinent pësoi, pas rënies së Murit të Berlinit dhe perdes së hekurt. Boris Jelsin ia doli të vendosë Rusinë në rrugën e zhvillimit të demokracisë dhe ekonomisë së tregut", u shpreh Kryeministri Berisha.