E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha përshëndet vizitën e Presidentit Bush më 10 qershor në Shqipëri

Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave, Kryeministri Berisha përshëndeti vizitën e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës George W Bush më 10 qershor në Shqipëri. Në përshëndetjen e tij, Kryeministri u shpreh:

"10 qershori shënon një ditë të madhe, ditë të bekuar dhe të shumëpritur nga mbarë kombi shqiptar, shënon vizitën e Presidentit George W Bush në Tiranë, vizitë e parë e një Presidenti të SHBA në Shqipëri. Në emër të Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë përshëndes përzemërsisht këtë vizitë historike të Presidentit të Shteteve të Bashkuara si ngjarjen më kulmore në marrëdhëniet e shkëlqyera miqësore midis kombit shqiptar dhe kombit të madh amerikan, midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, superfuqisë të parë e të vetme të botës. Kjo ngjarje shënon gjithashtu vizitën më madhore në tërë historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare të shtetit shqiptar. Shqiptarët ndjehen gjithnjë thellësisht mirënjohës dhe krenarë me mbështetjen dhe ndihmën e çmuar dhe të gjithanshme, që kombi i madh amerikan dhe qeveria e SHBA-vë u ka dhënë dhe u jep atyre në përpjekjet për liri, dinjitet, zhvillim dhe integrim.

Që nga shpallja e pavarësisë së vendit deri në ditët e sotme, në momentet më kritike të lirisë kombëtare të shqiptarëve, por edhe të lirive të tyre individuale, Shtetet e Bashkuara me qëndrimin e tyre kanë luajtur një rol shpëtimtar për të drejtat dhe liritë e tyre. Fill pas pavarësisë, planet raciste, me të cilat synohej një fragmentim i mëtejshëm i trojeve shqiptare dhe de facto, në mos dhe de jure, asgjësimi nëpërmjet një ndarjeje të re të shtetit shqiptar të sapo mëvehtësuar, ishte burri i madh i kombit amerikan, Presidenti Wilson që, me qëndrimin e tij, me refuzimin për të firmosur këtë marrëveshje të kobshme dhe shpërbërëse për shqiptarët, nuk lejoi copëtimin e mëtejshëm të trojeve shqiptare.

Qeveria e SHBA-ve, e kryesuar nga Presidenti George Bush luajti një rol përcaktues në shembjen e murit të Berlinit kudo, përfshirë dhe rënien e tij në Tiranë. Ishin institucionet dhe qeveria e SHBA-ve që, pas këtij akti, ata që ju dhanë forcave demokratike të sapo krijuara në Shqipëri mbështetjen më të fuqishme, për të përmbysur me votën e lirë diktaturën më të shpërfytyruar që kishte Evropa e pas luftës.

Në këto 15 vite qeveria dhe institucionet amerikane kanë dhënë një ndihmë dhe kontribut thelbësor në zhvillimin dhe konsolidimin e vlerave të demokracisë. Taksapaguesit dhe Qeveria amerikane kanë ndihmuar popullin shqiptar me qindra e qindra miliona dollarë ndihmë teknike, financiare, ekonomike, arsimore, ushtarake dhe në të gjitha fushat e tjera.

Pas fillimit të konfliktit në Ballkan nga Sadami i Ballkanit, Sllobodan Millosheviç, ishte Presidenti George Bush, ai, që në fund të dhjetorit, në krishtlindjet e vitit '92, do t'i vendoste linjën e kuqe Millosheviçit për Kosovën. Linjë, e cila nënkuptonte qartë se ai do të përballej me fuqinë ushtarake amerikane, në rast se do të zbriste me ushtritë e tij në Kosovë.

Në vitin '99, kur Miloshevici shkeli këtë vijë dhe nisi zbatimin e planit të eksterminimit, të deportimit, të spastrimit të qytetarëve shqiptarë nga trojet e tyre mijëravjeçare në Kosovë, një burrë tjetër i madh i kombit amerikan, Presidenti Klinton, udhëhoqi aleancën e Atlantikut të Veriut në betejën e parë të madhe të kësaj Aleance jashtë territorit të vendeve anëtare, për të mbrojtur liritë e të drejtat e qytetarëve shqiptarë në Kosovë.

SHBA-të kanë qenë mbështetëse të aspiratave të kombeve për liri dhe pavarësi. Ndaj dhe ëndrra e shqiptarëve të Kosovës, për shtetin e tyre të lirë, demokratik dhe të pavarur, gjen në administratën e Presidentit George W Bush mirëkuptimin e saj.

Në këtë kontekst, vizita e Presidentit Bush është dëshmi dhe vlerësim që Presidenti i vendit më të fuqishëm të planetit u bën ndjenjave më miqësore, dashurisë dhe mirënjohjes së thellë që shqiptarët ushqejnë ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kombit të madh amerikan, qeverisë së SHBA-ve dhe Presidentit Bush.

Kjo vizitë është dëshmi dhe fryt i një bashkëpunimi të shkëlqyer dhe luajal 15 vjeçar të qeverisë shqiptare me qeverinë e SHBA-ve në të gjitha fushat. Shqipëria dhe shqiptarët janë ndjerë dhe ndjehen të privilegjuar dhe krenarë nga ky bashkëpunim, kanë qëndruar dhe do të qëndrojnë krah për krah me SHBA-të kudo që ato të jenë.

Kjo vizitë është vlerësim i pamohueshëm i reformave të gjithanshme, të ndërmarra nga qeveria jonë, që Presidenti Bush dhe qeveria e SHBA-ve i kanë bërë dhe i bëjnë, mbështetjes së madhe ndaj këtyre reformave të cilat kanë një qëllim madhor, vendosjen dhe konsolidimin e shtetit ligjor në Shqipëri, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, konsolidimit të standardeve, kritereve dhe normave që e bëjnë Shqipërinë të përshtatshme për t'u integruar në Aleancën e Atlantikut të Veriut dhe Bashkimin Evropian.

Vizita nuk është vetëm vlerësim për ne, por edhe inkurajim shumë i madh që të vazhdojmë në këtë kurs reformash, të vazhdojmë përpjekjen tonë për të vendosur dhe konsoliduar shtetin ligjor si kushtin e të gjitha kushteve për suksesin e reformave, si kushtin e të gjitha kushteve për zhvillimin e një shoqërie të lirë dhe ekonomisë së tregut dhe suksesin e reformave në Shqipëri.

Këshilli i Ministrave, duke i uruar mirëseardhjen në Shqipëri burrit të madh të kombit amerikan, Presidenti George Bush, shpreh bindjen e thellë se shqiptarët e të gjitha moshave, e të gjitha bindjeve politike, e të gjitha besimeve fetare, që me padurim kanë pritur këtë vizitë, do të dinë t'i shprehin ndjenjat e tyre miqësore dhe mikpritjen e tyre më të ngrohtë Presidentit të Shteteve të Bashkuara, mikut të tyre më të shquar, do ta shndërrojnë 10 qershorin në festën më të madhe të marrëdhënieve midis dy vendeve dhe kombeve tona."

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›