Kryeministri Berisha përshëndet konferencën kombëtare për turizmin
Sot paradite, Kryeministri Berisha përshëndeti konferencën kombëtare për turizmin, e organizuar nga Ministria Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në prag të çeljes së sezonit të ri turistik veror 2007. Konferenca "Për një fluks turistik të madh, për një zhvillim të ri cilësor të turizmit shqiptar", u fokusua në prioritetet në këtë fushë dhe masat e ndërmarra nga strukturat e qeverisjes qendrore dhe asaj vendore për mbarëvajtjen e sezonit të ri turistik.
Pjesëmarrës në konferencë ishin Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Ylli Pango, Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Lulzim Basha, Ministri i Brendshëm Bujar Nishani, përfaqësues pushtetit vendor, të trupit diplomatik në Tiranë, përfaqësues të biznesit, operatorëve turistikë etj..
Ministrat Pango, Basha dhe Nishani prezantuan masat për mbarëvajtjen e sezonit veror.
Kryeministri Berisha, duke theksuar rezultatet e vitit të kaluar ku turizmi shënoi rritje mbi 30 për qind dhe me mbi 600 milion euro në të ardhurat e vendit, duke u renditur sektori i dytë në kontributin e prodhimit të brendshëm të vendit, u shpreh entuziast se ky ritëm është shpresëdhënës për zhvillimin e mëtejshëm të këtij sektori edhe këtë vit. Por me gjithë këto tregues, nënvizoi Kryeministri, potenciali turistik i vendit mbetet i jashtëzakonshëm, në krahasim me atë çka është shfrytëzuar deri tani. Kryeministri u bëri thirrje operatorëve turistikë të vendit të jenë konkurrues në shërbimet që ata ofrojnë, në mënyrë që të mund të rrisin numrin e turistëve, vendas dhe të huaj.
Duke folur më tej për zhvillimin e turizmit, problematikat dhe prioritetet e qeverisë në këtë drejtim, Kryeministri Berisha bëri këto komente:
"Dëshiroj t'ju përshëndes ju dhe të gjithë operatorët turistikë të vendit dhe të uroj që ky vit të jetë viti më i mirë dhe më i mbarë për turizmin shqiptar, i cili, pavarësisht problematikës që përballet, ka dinamizmin më të lartë në Evropë.
Vitin e kaluar turizmi shënoi rritje mbi 30 për qind dhe ky ritëm është shumë shpresëdhënës. Turizmi llogaritet të ketë sjellë në të ardhurat e vendit mbi 600 milion euro, duke u rreshtuar sektori i dytë në kontributin e prodhimit të brendshëm të vendit. Shpesh herë turizmi është sektori i parë në shitje dhe, sipas disa statistikave, i pari në punësim. Por, me gjithë këto tregues të lakmueshëm, sërish potenciali turistik i vendit është i jashtëzakonshëm, në krahasim me atë çka është shfrytëzuar deri tani.
Shqipëria për disa specifika të saj, për pasuritë e mëdha historike dhe arkeologjike, bregun e panjohur, në tërësi edhe të ruajtur, alpet e saj tërësisht të panjohura dhe të pashfrytëzuara, gjetjet e mëdha dhe të pasura arkeologjike, të shtrira në të gjitha trevat e vendit, i ofron turistit ndoshta më shumë se çdo vend tjetër në një hapësirë të caktuar gjeografike dhe në një kohë të shkurtër. Ndaj interesi për vendin po rritet me shpejtësi. Turistët nga vendet perëndimore po dy-tre afishohen, por sërish, theksoj, potenciali turistik është shumë herë më i madh. Në këtë kontekst, promovimi i potencialeve të vendit është një nga detyrat kryesore të Ministrisë së Turizmit. Ka rëndësi të jashtëzakonshme të promovojmë këtë potencial dhe të bëjmë të njohur të gjitha visaret e mëdha të qyteteve, brigjeve dhe gjetjeve arkeologjike të vendit.
Natyrisht përpjekje shumë më të mëdha duhet të bëjmë për rrjetin rrugor. Në këto dy vite jemi përpjekur të përparësojmë në të gjitha projektet rrugore të zonave turistike, si dhe projektin e furnizimit me ujë të tyre. Sërish dhe në çdo rast duhet të jetë përparësi e bashkive, qarqeve dhe Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, pasi është shumë e rëndësishme të përafrojmë strukturën tonë me strukturën e vendeve të tjera.
Ministria e Turizmit duhet të ushtrojë kontroll të rreptë, me të gjithë stimujt dhe sanksionet, në klasifikimin shërbimeve hoteliere për turistët. Ne duhet të vendosim, në këtë kontekst, standardet që kanë në vendet e tyre, që të jemi reale. Natyrisht çmimi është çështje e tregut, por duhet të konsolidojmë mendimin dhe besimin se me çmime të arsyeshme fitohet shumë më tepër. Në mënyrë të veçantë, sikundër edhe vjet, dua t'u dërgoj një apel të gjithë menaxherëve, pronarëve, specifikisht të Sarandës, e cila ka një potencial të jashtëzakonshëm turistik, se, në rast se do të jenë më të vëmendshëm në çmimet me të cilat ofrojnë shërbimet, do të mund të arrijë të dyfishojë kohën e turizmit në Sarandë, do të mund ta shtrijnë turizmin në të gjitha sezonet dhe do të mund të rrisin numrin e turistëve nga mbarë bota. Nuk duhet të harrojmë se jemi në një treg botëror. Në globalizëm asgjë dhe asnjë fushë nuk është me e prekshme se turizmi. Ndaj duhet të përpiqemi të jemi sa më konkurrentë.
Turizmi kërkon që të gjithë sektorët ta kenë atë çështje të parë, që nga agjencitë turistike, me të cilat Ministria e Turizmit duhet të vendosë marrëdhënie të ngushta, tek pikat e hyrjes në kufi, transporti dhe sistemimi i tyre.
Ministria ka një strategji të turizmit kulturor dhe, në këtë kontekst, kjo strategji është realiste. Shqipëria ka mundësi të jashtëzakonshme për të ofruar realisht turizmin kulturor të nivelit më të lartë. Por për ta afruar këtë do të thotë që fokusin më të madh ta kesh në drejtim të aspektit kulturor të turizmit. Ne kemi vende arkeologjike të mahnitshme, ndër më të rëndësishmet në Mesdhe dhe më gjerë, por duhet të kemi gjithashtu punonjës të turizmit kulturor. Mendoj se është e domosdoshme që të hapet dega e arkeologjisë në universitetin e Tiranës. Duhet të kemi sa më shumë punonjës të mirëshkolluar, kompetentë dhe njohës të të gjithë vlerave të mëdha kulturore e historike të vendeve arkeologjike të Shqipërisë, të cilat janë të panumërta dhe shtrihen në të katër anët e vendit. Ne duhet të ndjekim profilin. Në rast se kemi potencial të jashtëzakonshëm turistik, ne ende nuk kemi krijuar profilin e përshtatshëm, pasi është e njohur që në këtë vend nuk ka ekzistuar një traditë turistike.
Edhe një herë duke ju përshëndetur, ju siguroj se për qeverinë turizmi mbetet përparësi madhore dhe se do të bëjmë çdo përpjekje për promovimin dhe organizimin më të mirë të tij."