Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin diskuton për Bordin e Komisionerëve të ERE-s
Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, në mbledhjen e datës 28 janar 2009, shqyrtoi kërkesën Për riemërim në detyrën e kryetarit të Bordit të Komisionerëve të ERE-s dhe kërkesën Për plotësim të vendit të paplotësuar për anëtar të Bordit të Komisionerëve të ERE-s.
Në mbledhje ishin të pranishëm kryetari aktual i Bordit të Komisionerëve të ERE-s, Bujar Nepravishta dhe inxhinieri Shkëlqim Bozgo.
Bazuar në Ligjin nr. 9072, dt. 22.5.2003 Për sektorin e energjisë elektrike të ndryshuar, zotit Bujar Nepravishta kryetar i Bordit të Komisionerëve të ERE-s, i mbaron mandati më 30 janar 2009.
Ai u shpreh se po rikandidon për këtë post, bazuar në rezultatet e mira të arritura gjatë mandatit të tij të parë, të rikonfirmuara edhe nga rezolutat e Kuvendit të Shqipërisë të miratuara nga seanca plenare, si dhe për të pasur një vijueshmëri në plotësimin e detyrave që i cakton ligji.
Gjatë diskutimeve, deputetët e vlerësuan punën e zotit Nepravishta dhe u shprehën dakord me miratimin e kësaj kantidature me shumicë votash. Deputeti Ndriçim Hysa votoi kundër dhe shprehu mendimin se në Komision duhet të kishte ardhur dhe një tjetër kantidaturë alternative.
Gjatë diskutimeve për kantidaturën e dytë, deputetët u shprehën dakord dhe e miratuan me shumicë votash. Deputeti Ndriçim Hysa votoi kundër.
(Për më shumë informacion kontaktoni me zyrën e komisionit në numrin: + 355 4 22 78 293).