E Diel, 1 Nëntor 2026

Mosrealizimi i standardeve, Shqipëria mbetet në monitorimin e KE-së

Zbardhet rezoluta për standardet e të drejtave të njeriut të vendeve në vëzhgim. Probleme me reformën në Gjyqësor, Prokurori, Polici dhe me diskriminimin

Albert Gjoka

Shqipëria vazhdon të jetë në listën e shteteve anëtare të Këshillit të Europës, që mbetet në fazën e mbajtjes në monitorim për shkak të mospërmbushjes së standardeve në fushën e të drejtave të njeriut. Në prag të mbajtjes së Asamblesë Parlamentare të KE-së, që do të zhvillohet më 28 shtator deri më 1 tetor të këtij viti, është publikuar rezoluta nga Komiteti Monitorues, ku nxirren në pah një sërë problemesh në reformat në Gjyqësor, në Prokurori, dhuna e policisë ndaj qytetarëve, diskriminimi i shtresave të pambrojtur etj. Ekspertët e Strasburgut konstatojnë diskriminime kundër grave, homoseksualëve dhe komunitetit rom, si dhe problemet që kanë të bëjnë me minoritetet. “Kuvendi u kërkon të gjitha shteteve që aktualisht janë në monitorim, apo të përfshirë në dialogun postmonitorues, për të rritur bashkëpunimin e tyre me Komitetin e Monitorimit të KE-së dhe për të zbatuar të gjitha rekomandimet e përfshira në rezolutat e miratuara nga Asambleja Parlamentare, si dhe ato të lëshuara nga komisioneri për të Drejtat e Njeriut dhe të institucioneve të tjera të KE-së dhe organet e monitorimit”, - thotë rezoluta.
Institucionet
Vendi ynë listohet mes tre shteteve anëtare të Këshillit të Europës ku konstatohen probleme në kuadrin ligjor dhe funksionimin e institucionit të Prokurorisë së Përgjithshme. “Reforma e zyrës së prokurorit të Përgjithshëm është një angazhim i rëndësishëm në shumë vende në monitorim, të tilla si Shqipëria, Rusia dhe Ukraina”, - thotë rezoluta. Përsa i përket, veçanërisht çështjes së funksioneve ekstra-penale që ushtrohen nga prokurorët në disa vende, Asambleja nënvizon rëndësinë për të siguruar që këto funksione të respektojnë parimin e ndarjes së pushteteve dhe rolin e gjykatave në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, dhe se ato janë kryer në emër të shoqërisë dhe interesit publik për të siguruar zbatimin e ligjit, duke respektuar të drejtat dhe liritë themelore”. Këto parime duhet të çojnë në reformën e mëtejshme të detyrës së prokurorit të Përgjithshëm, me synimin për të zëvendësuar kompetencat ligjore të saj me mjete të mbikëqyrjes efektive ligjore, dhënien e të drejtave të njeriut viktimave, duke u ofruar akses të drejtpërdrejtë në një gjykatë. Një tjetër çështje e konstatuar nga Komiteti Monitorues ka të bëjë me funksionimin e Gjyqësorit, ku konstatohen shkelje të të drejtave për një gjykim brenda afateve kohore; mosekzekutim të vendimeve gjyqësore, ose vonesa të paarsyeshme në procedurat që përbëjnë probleme të tilla në shumë vende në monitorimin.
Të drejtat e njeriut
Rezoluta nxjerr në pah shqetësimet e konstatuara rëndom për përdorim të tepruar të dhunës dhe keqtrajtime nga policia. Akte të tilla “vazhdojnë të jenë çështje shqetësuese në shumicën e vendeve në shqyrtim (Shqipëria, Armenia, Azerbajxhani, Bosnjë dhe Hercegovina, Bullgaria, Gjeorgjia, Moldavia, Rusia, ‘ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë’, Turqia dhe Ukraina)”, - thonë ekspertët. Sipas tyre, “dështimi për të hetuar dhe ndjekur penalisht dyshimet për keqtrajtim të policisë vazhdon të nxisë një klimë mosndëshkimi”.
Rezoluta thotë se “diskriminimi dhe dhuna kundër grave janë probleme të vazhdueshme në shumë vende nën monitorimin ose procedura postmonitoruese. “Masat legjislative të marra nga autoritetet shqiptare për të luftuar këto fenomene janë të mirëpritura, por ka ende për të provuar efektivitetin e tyre në praktikë”, - thotë dokumenti.
Një tjetër standard i ulët i të drejtave të njeriut është ai në lidhje me diskriminimin dhe dhunën e ushtruar ndaj lesbikeve, homoseksualëve, biseksualëve dhe transvestitëve. Asambleja thotë se është në pritje të miratimit të ligjit nga Parlamenti shqiptar.
Rezoluta kërkon nga Shqipëria më tepër angazhim për zbatimin e Kartës Europiane për Gjuhët Rajonale ose Minoritare. Së fundi, ngrihet shqetësimi për problemet me të cilat ballafaqohet komuniteti rom, duke përfshirë mungesën e dokumenteve të identitetit personal, normat e ulëta të regjistrimit në shkollë dhe pengesa në trajtimin ose diskriminimin në punësim, arsim dhe strehim. Në Shqipëri ka qenë një grup monitorues që ka marrë pjesë në përpilimin e rezolutës. Më 24 qershor të këtij viti, strukturat për monitorimin e detyrave të vendeve anëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut diskutuan raportin e ekspertëve. Dokumenti do të paraqitet në sesionin e vjeshtës të Asamblesë Parlamentare që do të zhvillohet pas tri ditësh.

Biberaj: “Shqipëria të hiqet nga lista e vendeve në monitorim”

Në mbledhjen e Komitetit të Monitorimit të KE-së, e mbajtur në Kiev të Ukrainës, ish-zv.presidenti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, deputeti i Partisë Demokratike, Aleksandër Biberaj, hodhi idenë se Shqipëria tashmë plotëson kushtet dhe mund të kalojë në fazën post-monitorim. Biberaj e ka argumentuar një kërkesë të tillë me faktet se ka një ecuri pozitive të reformave në Shqipëri dhe po përshpejtohet integrimi i vendit. Duke folur për Progres-raportin e Monitorimit të Asamblesë Parlamentare të KE-së lidhur me funksionimin e institucioneve demokratike në Europë, zoti Biberaj është përqendruar në progresin e bërë dhe ecurinë e reformave në Shqipëri. Më tej, deputeti Biberaj është përqendruar tek ecuria pozitive e reformës zgjedhore. Gjithsesi, përfaqësuesja e Asamblesë Parlamentare të KE-së në Misionin Ndërkombëtar të Vëzhgimit të Zgjedhjeve, Korien Jonker, pohoi një ditë pas zgjedhjeve se Shqipëria pritet të mbahet në monitorim për shkak të mosrealizimit të të gjitha angazhimeve si vend anëtar i kësaj organizate.

VENDET NË MONITORIM

Shqipëria
Armenia
Azerbajxhani
Bosnja dhe Hercegovina
Gjeorgjia
Moldavia
Monakoja
Mali i Zi
Federata Ruse
Serbia
Ukraina

VENDET POST-MONITORIM
Bullgaria
Turqia
Maqedonia

PROKURORIA

Reforma e zyrës së prokurorit të Përgjithshëm është një angazhim i rëndësishëm në shumë vende në monitorim, të tilla si Shqipëria, Rusia dhe Ukraina. Të respektohet parimi i ndarjes së pushteteve dhe rolit të gjykatave në mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Reforma të vazhdojë për të zëvendësuar kompetencat ligjore të saj me mjete të mbikëqyrjes efektive ligjore.

GJYQËSORI

Një numër problemesh të vazhdueshme në funksionimin e Gjyqësorit janë shpesh në origjinën e shkeljeve të së drejtës për një gjykim të drejtë brenda një periudhe kohore të arsyeshme. Mosekzekutimi i vendimeve gjyqësore përfundimtare ose vonesa të paarsyeshme në procedurat përbëjnë probleme edhe në vende të tilla si Shqipëria.

DHUNA POLICORE

Përdorimi i tepruar i dhunës dhe i keqtrajtimeve nga policia vazhdojnë të jenë çështje shqetësuese në shumicën e vendeve në shqyrtim (Shqipëria, Armenia, Azerbajxhani, Bosnjë dhe Hercegovina, Bullgaria, Gjeorgjia, Moldavia, Rusia, “ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë", Turqia dhe Ukraina). Dështimi për të hetuar dhe ndjekur penalisht dyshimet për keqtrajtim të policisë vazhdon për të nxitur një klime të mosndëshkimit.

DISKRIMINIMI

Diskriminimi dhe dhuna ndaj lesbikeve, homoseksualëve, biseksualëve dhe transgender (LGBT) janë çështje me interes të vazhdueshëm në Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë, Rusi dhe Serbi. Asambleja pret që të miratohet së shpejti nga Kuvendi një ligj për mbrojtjen e tyre. Rezoluta vë në dukje problemet që ka komuniteti rom si dokumentet e identitetit, arsimimin, punësimin, strehimin etj.

25 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›