Kryeministri Berisha viziton memorialin kushtuar luftëtarëve të UÇK-së në Gllogjan dhe viziton familjen Haradinaj
Gjatë vizitës në Deçan, Kryeministri Berisha bëri homazhe pranë memorialit kushtuar luftëtarëve të UÇK-së në Gllogjan, duke nderuar kujtimin e luftëtarëve të rënë në këtë luftë. I shoqëruar edhe nga bashkëshortja e tij, znj. Liri Berisha, Kryeministri vendosi një kurorë me lule pranë memorialit dhe u përul me nderim para veprës dhe trimërisë së djemve të Gllogjanit që dhanë jetën për liri e dinjitet kombëtar.
Gjithashtu, Kryeministri bëri një vizite në familjen Haradinaj, ku u prit nga i ati i Ramush Haradinajt, Ilmi Haradinaj dhe familjarë të tjerë. Në këtë vizitë, ishin të pranishëm edhe z. Agim Çeku, aktualisht ministër i Forcës së Sigurisë së Kosovës, si dhe familjarë të tjerë të dëshmorëve të UÇK-së.
Pas homazheve në memorialin kushtuar luftëtarëve të UÇK-së në Gllogjan, Kryeministri Berisha u shpreh se ndihej shumë i nderuar që ndodhej sot në këtë vizitë, por edhe për faktin që do të takonte të zotin e familjes Haradinaj, duke vlerësuar se: “kjo familje, me sakrificën e vet, i dha kombit djemtë më të shkëlqyer, familje e cila u shkri për lirinë e Kosovës, por edhe nxori burra të shquar dhe luftëtarë të mëdhenj si Ramush Haradinaj, i cili me luftën e tij, me përkushtimin e madh për ndërtimin e Kosovës së pavarur e demokratike, ka dhënë dhe jep një kontribut të jashtëzakonshëm në realizimin e plotë të ëndrrës së djemve të Gllogjanit, të atyre që prehen këtu, ngjitur me këtë kullë dhe të mijëra e mijëra të tjerëve që prehen në Drenicë, që prehen në çdo skaj të Kosovës, por edhe në të gjitha trevat shqiptare”.
Shqiptarët, theksoi Kryeministri, kanë paguar çmimin më të shtrenjtë për lirinë e dinjitetin e tyre, por gjithashtu ia kanë dalë që sot të jenë të lirë, të jenë krenarë me sakrificën e djemve të tyre dhe të shohin me besim të madh drejt atyre idealeve dhe atyre ëndrrave për të cilat u flijuan shqiptarët në të gjitha kohërat, por në mënyrë të veçantë këto 130 vitet e fundit. “Të rënët kanë një mesazh të madh; ne duhet të bëjmë gjithçka për të qëndruar në lartësinë e idealeve të tyre të lirisë, të bashkimit kombëtar, të unitetit kombëtar, të integrimit në Bashkimin Evropian”, theksoi Kryeministri.
Ndërsa gjatë vizitës në familjen Haradinaj, Kryeministri Berisha i shprehu Ilmi Haradinajt mirënjohjen dhe nderimin më të madh të të gjithë shqiptarëve kudo, për veprën e familjes Haradinaj, djemve të tij, por edhe për gjithë heronjtë e Kosovës.
“Jemi sot këtu për t’u shprehur respektin më të madh dhe nderimin më të thellë, juve personalisht, familjes suaj, për t’u përulur me nderim për djemtë e tu martirë, veprën e tyre të ndritur, veprën e djemve të Gllogjanit dhe të mbarë Kosovës. Vitet nuk i keni pasur të lehta, sepse sakrifica e familjes suaj ka qenë e jashtëzakonshme. Por nderimin e keni të madh nga çdo shqiptar në Shqipëri, Kosovë dhe kudo që ndodhet dhe nuk ka shqiptar që nuk do të donte sot të ishte bashkë me ne këtu, për të shprehur nderimin më të madh, për t’u përulur me nderimin më të madh para veprës së familjes suaj, djemve tuaj, para jush e para heronjve të Gllogjanit dhe të mbarë “Kosovës”, u shpreh Kryeministri Berisha..
12/10/2012