Kryeministri Berisha në Isniq (Kosovë): Në projektin europian të përbashkët, realizojmë ëndrrën e luftëtarëve të lirisë
Në vijim të vizitës në Kosovë, Kryeministri Berisha shkoi në fshatin Isniq të Deçanit, ku në prani të autoriteteve më të larta të Kosovës, Presidentes Jahjaga dhe Kryeministrit Thaçi, u zhvillua ceremonia e vendosjes së shtatores së heroit Isa Boletini.
Ngritja e shtatores në Isniq vjen si dëshmi e rrugëtimit që Isa Boletini, në udhëheqje të 300 luftëtarëve, nisi në 1912, për në Vlorë, për të qenë pjesë e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë.
“Me këtë akt, - u shpreh Kryeministri në përshëndetjen mbajtur me këtë rast - ne i kthejmë burrit të madh të kombit, një copëz të nderit të madh që ai la mbrapa për çdo shqiptar. Në kohën e tij, Isa Boletini u shndërrua në një nga emrat më të shquar të këtij kombi. Emiri dhe luftërat e tij mbushën faqet e shtypit në mbarë botën”.
Fjala e Kryeministrit Berisha në ceremoninë e zbulimit të shtatores së Isa Boletinit.
“Së pari, edhe një herë zoti kryetar i komunës së Deçanit, do t’ju falenderoj me zemër për nderin e madh që më keni bërë duke më ftuar në këtë ngjarje të madhe për Isniqin, për Deçanin, për Kosovën, për Shqipërinë, për trojet etnike shqiptare, për shqiptarët kudo që janë sot, të cilët bashkohen me ne, në nderimin e merituar të burrit të madh të kombit, gjeneralit të pavarësisë së Shqipërisë Isa Boletini.
Sot, ne inaugurojmë shtatoren e tij këtu, në Isniq, vendi që shërbeu për Isa Boletinin, si toka për Anteun, vendi, ku ai merrte fuqinë dhe frymëzimin në betejat e tij të mëdha për shqiptarët, për Shqipërinë, për Kosovën, për pavarësinë e tyre.
Sot, me këtë akt, ne i kthejmë burrit të madh të kombit, një copëz të nderit të madh që ai la mbrapa për çdo shqiptar. Në kohën e tij, Isa Boletini u shndërrua në një nga emrat më të shquar të këtij kombi. Emiri dhe luftërat e tij mbushën faqet e shtypit në mbarë botën.
Vëllezër e motra
Ne inaugurojmë këtë shtatore në 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë. Por, me këtë rast, dua t’ju them dy fjalë. Shqipëria, pavarësinë e saj, kombi, ekzistencën e tij ia detyron para së gjithash e mbi të gjitha, përpjekjeve mbinjerëzore, luftërave titanike të shqiptarëve në Kosovë e në mbarë trojet shqiptare. Kur ndalesh e mendon se në ç’kushte luftuan këta burra, se kë kishin aleat, çdo gjë shkon përtej legjendës, përtej imagjinatës, përtej njerëzores. Ata u mblodhën 130 vjet më parë, kur bota po vendoste copëtimin përfundimtar të trojeve shqiptare, kur shqiptarët, kombin ndofta më të vjetër të Europës, kombin më të madh të Ballkanit, territorin më të gjerë të gadishullit vendosën ta copëtojnë e ta bëjnë të paqenë. Ishte Prizreni, ishte Kosova, magneti i atdhetarisë që mblodhi shqiptarët nga të gjitha trojet, në frymëzim, në vendosmëri e në guxim për bashkim kombëtar. Po të mos ishte Lidhja e Prizrenit, shqiptarët do të copëtoheshin copë pas cope dhe nami i tyre në histori nuk do të gjendej më.
Pas Kongresit të Berlinit vazhdoi përpjekja për shuarjen e shqiptarëve si nocion politik dhe më pas asgjësimi i tyre tërësor. Por kjo nuk ndodhi, sepse, pas Lidhjes së Prizrenit, ndodhi Besëlidhja e Pejës, sepse pas Besëlidhjes së Pejës, ishin Kuvendet e Junikut, ishin Kuvendet e Llukës dhe erdhën kryengritjet e mëdha që gjenerali i udhëhoqi me aq mjeshtëri, me Hasan Prishtinën, Bajram Currin, Zefin e vogël e shumë e shumë burra e trima të tjerë shqiptarë. Ishin këto kryengritje që tronditën të sëmurin e Bosforit. Ishin këto kryengritje që i thanë Europës e botës se trojet etnike shqiptare kanë zot. Pa kryengritjet e Kosovës, flamuri shqiptar do të kishte mbetur në bibliotekën e Albulenës, aty ku jetoi shekuj, pas vdekjes së Skënderbeut.
Pavarësia u shpall në Vlorë dhe shqiptarët i mbetën përjetë mirënjohës burrit mendjendritur dhe vizionar, që bëri aktin më të rëndësishëm në historinë e këtij shekulli, ngriti flamurin e pavarësisë në Vlorë, themelin e shtetit shqiptar, në një vend pa kufij dhe në një kohë, kur nuk kishte pothuaj asnjë mbështetje. Gjenerali i kryengritjeve të pavarësisë do të marshonte drejt Vlorës, ndonëse e dinte mirë që Kosova nuk do të ishte pjesë e shtetit të ri shqiptar. Por shkoi atje për të çuar mesazhin se ne kurrë nuk dorëzohemi, se këtë betejë do ta vazhdojmë vit për vit, deri në triumfin plotë të çështjes shqiptare. U desh një shekull që shqiptarët të jenë të lirë sot, në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni e kudo që janë.
Lufta çlirimtare e Kosovës është faqja më e ndritur e historisë sonë kombëtare, pas luftërave të Skënderbeu, sepse kjo luftë kurorëzoi ëndrrën e të gjithë të rënëve të kombit shqiptar, që u bënë të pavdekshëm, vetëm e vetëm që shqiptarët të jenë të lirë, të bashkuar dhe të ndërtojnë të ardhmen e tyre në dinjitet të plotë. Kjo luftë, si lufta çlirimtare e fundit në Kosovë, i bëri shqiptarët të lirë jo vetëm në Kosovë, por i bëri shqiptarët të lirë në Shqipëri, i bëri të lirë të gjithë ata që i thonë vetes shqiptarë, kudo që jetonin. Pa lirinë e Kosovës, asnjë qytetar shqiptar nuk mund të ndjehej i lirë.
Të dashur qytetare e qytetarë të Isniqit
Sot, jam ndjerë i mrekulluar nga një udhëtim, nga Prizreni deri këtu. Kryetari i komunës së Deçanit zoti Selmanaj më nderoi me titullin “Qytetar i nderit. Në Gjakovë, sëbashku me Presidenten e Kosovës, zonjën Jahjaga dhe me kryetarin e komunës, zotin Pal Lekaj, ne zbuluam shtatoren e Ali Ibrës. U ndala në Gllogjan, në nderim të martirëve të Gllogjanit dhe të komunës së Deçanit. U prita nga bac Ilmi Haradinaj dhe pata rastin t’i shpreh nderimin tim më të madh.
Në të vërtetë çdo shqiptar udhëton në histori. Ne rrugëtojmë në histori dhe nuk e kam fjalën se rrugëtojmë në të shkuarën. Jo! Por rrugëtimi i shqiptarëve në histori është rrugëtim në të ardhmen e tyre, sepse ata burra që u mblodhën në Prizren, që u mblodhën në Lojan për t’u bërë të pavdekshëm në Gjakovë, që ranë për t’u bërë të pavdekshëm në Vlorë, në Manastir, në Kumanovë, në Drenicë, në Mitrovicë, në Pejë e në të katër anët e trojeve shqiptare, ranë me një ideal, me një qëllim, që ne të jemi të bashkuar siç na takon dhe siç e meritojmë. Ata ranë dhe na lanë neve, ëndrrën, na lanë projektin e zemrës dhe shpirtit të tyre. Ndaj edhe ne duhet të bëjmë gjithçka nën moton: Të bashkohemi me njëri-tjetrin, të bashkohemi me Europën. Në projektin tonë europian, ne realizojmë ëndrrën e tyre, realizojmë ëndrrat tonë, realizojmë të ardhmen e shkëlqyer që meritojmë si shqiptarë.
E shfrytëzoj këtë rast për t’i përcjellë përshëndetjet më të përzemërta autoriteteve të Kosovës, presidentes, qeverisë, parlamentit, qytetarëve të Kosovës, të cilët në një hark të shkurtër, as 5 vjeçar, në pavarësi kanë ndërtuar në këtë vend, më shumë se çdo vend tjetër, në një hark të tillë, kanë dëshmuar vitalitet e gjallëri, kanë dëshmuar se lirinë dinë ta shndërrojnë në vlera të mëdha për veten e tyre, për fëmijët e tyre, për shqiptarët dhe kombin.
Rroftë Kosova! Rroftë Shqipëria! Lavdi për jetë të rënëve të kombit, që bënë të mundur të vijmë në këtë 100 vjetor, si qytetarë të lirë në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni, në Mal të Zi dhe kudo që jemi! Zoti i bekoftë shqiptarët, flamurin e kombin tyre!”
12/10/2012