Kryeministri Berisha, i pyetur sot nga media në lidhje me zgjedhjet, bëri këto komente: Pyetje: Negociatat mes maxhorancës dhe opozitës nuk po zhvillohen më. A do të ketë zgjedh
Kryeministri Berisha, i pyetur sot nga media në lidhje me zgjedhjet, bëri këto komente:
Pyetje: Negociatat mes maxhorancës dhe opozitës nuk po zhvillohen më. A do të ketë zgjedhje në 20 janar?
Kryeministri: Partia Demokratike nuk ka negociuar, nuk negocion dhe nuk do të negociojë ndonjëherë datën e zgjedhjeve. Partia Demokratike dhe unë si kryetar i saj dhe Kryeministër i vendit kam deklaruar në mënyrë të përsëritur se do të respektojmë pa asnjë koment datën që do të dekretojë Presidenti i Republikës.
Gjithashtu, dua t'ju informoj se prapa datës fshihet vetëm një përpjekje për të dëshmuar se dikush mund ta tërheqë zvarrë këtë vend dhe nuk ka gjë më të paimagjinueshme. Vendi dhe shoqëria kurrë nuk mund të imagjinohet të tërhiqet zvarrë.
Asnjë nuk ka qenë më i interesuar se unë që të mos ketë zgjedhje këtë dimër, mundësisht as këtë pranverë, sepse jemi detyruar të procedojmë me shpejtësi të madhe me reformat. Por nuk më ka shkuar dhe nuk më shkon ndërmend të mos respektoj përcaktimet kushtetuese të vendit. Nëse bëni një rishikim të emisioneve televizive dhe shtypit të shkruar, do të gjeni kërkesën e zotit Rama për të shtyrë zgjedhjet 6 muaj para datës së zgjedhjeve. Në korrik ka dërguar diplomatët e huaj për të na transmetuar se zoti Rama kërkon shtyrjen e zgjedhjeve. Në gusht, dy ditë para nënshkrimit të marrëveshjes, përfaqësuesi i tij, Ben Blushi, ka deklaruar në prani të të gjithë grupit negociues, të huaj dhe vendas, se 12 kërkesat kanë rëndësi zero, por duam datën e zgjedhjeve. Të gjithë zotërinjtë e pranishëm thanë se nuk jemi për të diskutuar kushtetutën e vendit.
Opozita përdor listën e zgjedhësve duke menduar se ky është çengeli për të tërhequr zvarrë vendin dhe kombin. Dua t'ju informoj se Kodi Zgjedhor i Shqipërisë ka dy nene për listat. Lista legjitime janë ato që, sipas nenit të tij, përcaktohen që 6 muaj para shpalljes. Lista legjitime janë edhe listat që përdoren në zgjedhjet e parakohshme e që kanë afatin 45 ditor. Ligjet nuk janë karikatura dhe zhgarravina të një njeriu, por janë infrastruktura e detyrueshme për t'u zbatuar.
Ndaj këtij debati, Zyra e Përgjithshme e Gjendjes Civile, në përputhje me kërkesën legjitime, ka shpërndarë listat në të gjithë vendin. Ligji përcakton kohën e përditësimit të listave, kohën shpalljes dhe të drejtën e qytetarëve për t'iu drejtuar gjykatave për të shënuar emrat nëse mungojnë.
Listat dhe çertifikatat e qytetit të Tiranës në 90 përqind i ka tërësisht në dorë Zoti Edi Rama dhe punonjësit e tij. Dua t'ju informoj se, për fat të mirë, Zyra e Përgjithshme e Gjendjes Civile nuk ka hequr asnjë dublikatë dhe, sipas një programi me OSBE-në, i ka dërguar listën të gjitha bashkive dhe komunave dhe me asteriks dublikatat, që ato të veprojnë si të duan. Qeveria e ka lënë veten jashtë përpilimit të listave për t'i bërë sa më të besueshme. Nëse dikush kërkon të gjejë një çengel për të tërhequr vendin zvarrë, ky vendim është makabër.
Pyetje: Baza e listës që është shpërndarë është 2005?
Kryeministri: Baza e listës që është shpërndarë është lista e 2005-s, ndërkohë, sipas kërkesës së socialistëve, u bë integrimi i plotë i regjistrit të përkohshëm në regjistrin përfundimtar. Punonjësit e gjendjes civile kanë të gjitha të dhënat për të përditësuar listën, duke patur si bazë 2005-n dhe ajo është një bazë solide, kanë kohën, do të kenë financat, pra çdo gjë. Këtë përditësim në 66 apo në 64 përqind e kanë në dorë qeveritarët socialistë. Ne nuk themi që nuk do ta bëjnë mirë, apo që do ta manipulojmë. Ne kemi besim. Ata bënë listën në 2005-n, ata do të bëjnë edhe listën e 2007-s.
Pyetje: Zoti Berisha, ku është ky 64 përqind dhe po nuk pranuan që ta përditësojnë listën, a do të ketë zgjedhje në ato zona?
Kryeministri: Unë nuk mund të imagjinoj që në këtë vepër të ketë pjesëmarrës që duan të zvarrisin vendin. Të jesh e bindur se ata që marrin përsipër dhe që kërkojnë të përdorin listën si çengel për të tërhequr Shqipërinë dhe shoqërinë shqiptare zvarrë, do të ketë pasoja për të cilat është e mençur të mos përballen me to.
Pyetje: Ka zëra se zoti Rama ka kërkuar të takohet me ju?
Kryeministri: Unë nuk di të ketë asnjë kërkesë të tillë nga Partia Socialiste që zoti Rama të takohet me mua. Me paraardhësin e tij jam takuar disa herë. Unë nuk zgjedh kryetarin e opozitës, unë respektoj atë që zgjedh opozita.