Kryeministri Berisha inaguron rikonstruksionin e sistemit të furnizimit me ujë të fshatit Shën Vasil
-Kryeministri Berisha u shpreh se të gjitha projektet e nisura do të përfundojnë gjatë këtij mandati, sepse në mandatin tjetër do të ketë projekte të tjera
Në vazhdim të vizitës në fshatrat e bregut, Kryeministri Berisha u ndal në fshatin Shën Vasil ku mori pjesë në ceremoninë e përurimit të fillimit të punimeve për rikonstruksionin e sistemit të furnizimit me ujë të kësaj zone.
Rikonstruksioni që parashikon përmirësimin e sistemit të shpërndarjes së ujit të pijshëm, kombinuar me lidhjet e shtëpive si dhe instalimin e matësve të ujit në çdo familje, arrin vlerën rreth 25.5 milionë lekë.
Gjatë ceremonisë, Kryeministri u shpreh se me përfundimin e këtyre punimeve, familjet e kësaj zone do të kenë furnizim me ujë 24 orë. Duke folur për bukuritë e kësaj zone dhe për rëndësinë e përmirësimit të infrastrukturës, Kryeministri Berisha theksoi se brenda këtij viti do të fillojnë punimet për ndërtimin e rrugës që të çon nga fshati Shën Vasil në bregdet.
“Dua të siguroj banorët se pas këtij projekti, rikonstruksionit të sistemit të furnizimit me ujë të kësaj zone, do të nisë menjëherë rruga që i çon banorët e Shën Vasilit më shpejt në bregdet. Sapo të përfundojë projekti, ne do të hapim tenderin me qëllim që të fillojë ndërtimi i saj brenda këtij viti”, u shpreh Kryeministri, pasi u njoh me detaje të projektit nga kryetari i Komunës së Lukovës z.Vladimir Kume.
Interesit të medias, se a do të përfundojë kjo rrugë brenda këtij mandati të qeverisë apo në mandatin e ardhshëm, Kryeministri iu shpreh se “gjithçka bëhet fjalë për këtë mandat, sepse mandatin tjetër do të kemi projekte të tjera”.
Në vazhdim, Kryeministri vizitoi edhe varrezat e 56 ushtarëve austriakë, të cilët në vitet 1914 – 1918 kanë kontribuar në ndërtimin e rrugës së bregut nga Vlora në Sarandë.
“Keni bërë një vepër të lavdërueshme dhe një akt human që i keni krijuar mundësi të prehen në paqe të gjithë atyre që kanë mbetur në këtë zonë. Së dyti, keni shprehur mirënjohje ndaj atyre që rreth 86 vjet më parë ndërtuan rrugën e bregut nga Vlora në Sarandë. Ndërtimi ndaj tyre është nderim ndaj vetes, sepse nuk ka gjë më humane sesa mirënjohja”, u shpreh Kryeministri.