Zëvendëspresidenti për Evropën dhe rajonin i IFC-së vlerëson progresin e reformave ekonomike në Shqipëri
Kryeministri Berisha priti sot në një takim Zëvendës/Presidentin për Evropën dhe rajonin të IFC-së , zotin Jyrki Koskelo, të sapoemëruar në këtë detyrë.
Duke uruar zotin Koskelo për detyrën e re, Kryeministri Berisha e falënderoi atë për ndihmën e çmuar që IFC (International Finance Corporation) i ka dhënë qeverisë shqiptare në shumë projekte. Kryeministri u shpreh se qeveria shqiptare e konsideron IFC një partnere të suksesshme në zbatimin e reformave me rëndësi jetike për vendin.
Gjatë takimit, Kryeministri Berisha i shprehu zotit Koskelo angazhimin e qeverisë për të vazhduar punën për ndërtimin e HEC të Ashtës të asistuar nga IFC. Ndër të tjera, kryeministri Berisha e falënderoi zotin Koskelo për asistencën që IFC po jep në përgatitjen e procesit të privatizimit të shpërndarjes së KESH. Kryeministri theksoi se angazhimi i qeverisë shqiptare në këtë proces ka qenë dhe është i plotë, duke patur si objektiv kryesor transparencën totale dhe arritjen e qëllimit, finalizimin e privatizimit, në muajin shtator.
Gjatë këtij takimi u diskutua ndër të tjera lidhur me projektet për portet e Shqipërisë. Kryeministri i prezantoi zotit Koskelo interesin e lartë të investuesve të huaj privatë në zhvillimin e porteve aktuale dhe ndërtimin ne vendin tonë të porteve të reja me kapacitete të fuqishme. Kryeministri tha se rruga Durrës- Prishtinë që lidh korridorin e 10-të me shumicën e vendeve të Evropës Jugore dhe Qendrore dhe Ballkanit, ka sjellë si rezultat vënien në qendër, të daljes në det nga Shqipëria, nëpërmjet porteve.
Kryeministri u shpreh se qeveria shqiptare ka ngritur grupin e vlerësimit të projekt-propozimeve të paraqitura nga kompani shumë të njohura ndërkombëtare dhe e vlerëson asistencën e IFC në këtë drejtim.
Nga ana e tij, Zoti Koskelo, i cili vizitën e tij të parë në detyrën e re, po e zhvillon në Shqipëri u shpreh se e konsideronte Shqipërinë si një partnere të fuqishme bashkëpunimi me potenciale të shumta për tu shfrytëzuar. Në këtë takim, zoti Koskelo e përgëzoi qeverinë shqiptare për progresin në reformat ekonomike, si dhe progresin e bërë në përmirësimin e klimës së biznesit.
Zëvendëspresidenti i IFC zoti Koskelo e e siguroi Kryeministrin Berisha për mbështetjen e IFC, në zhvillimin e mëtejshëm të reformave në Shqipëri si dhe për vazhdimësinë e asistencës së saj në zhvillimin e projekteve të rëndësishme për vendin.