E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha vijon turin e inagurimeve, në fshatrat e Bregut, nën moton “Shqipëria po ndryshon”

- Kryeministri Berisha u shpreh se do të ndërtohen të gjitha rrugët, kanalizimet, ujësjellësit e fshatrave të zonës së bregut për të krijuar kushte sa më të përshtatshme për turistët dhe një jetë më të mirë për banorët e këtyre zonave

Kryeministri Berisha, ka vijuar sot turin e inaugurimeve të investimeve, që po bëhen nëpër rrethet e Shqipërisë, në fshatrat e Bregut (Nivicë, Shën Vasil, Borsh, Palermo dhe Vuno) nën moton “Shqipëria po ndryshon”.

I shoqëruar nga Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit z.Sokol Olldashi,  Kryetari i Bashkisë së Sarandës z.Edmond Gjoka dhe kryetari i komunës së Lukovës z.Vladimir Kume, Kryeministri Berisha mori pjesë fillimisht në ceremoninë e inaugurimit të fillimin i punimeve për ndërtimin e  rrugës së re në fshatin Nivicë. Rruga e re, e cila lidh qendrën e Nivicës me rrugën nacionale Borsh – Sarandë, është bashkëfinancim i buxhetit të shtetit dhe pushtetit vendor, me vlerë 10.5 milionë lekë. 

Në ceremoninë e këtij inaugurimi, Kryeministri Berisha u shpreh se qeveria është e vendosur që në të gjithë fshatrat përgjatë bregut të bëjë çdo investim për një infrastrukturë të re dhe me standarde moderne, për rrugë të mira, ujësjellës dhe kanalizime.

“Kam ardhur këtu për të inspektuar rrugën si dhe për të bërë një seri inaugurimesh në kuadër të projektit për ndërtimin e infrastrukturës në të gjithë zonën e Bregut, nga Orikumi në Ksamil. Projekti, përveç financimit nga buxheti i shtetit dhe pushteti vendor, ka edhe 37 milionë dollarë financime nga Banka Botërore. Në këtë fond, i cili përfshin dhjetëra projekte do të ndërtojmë të gjithë rrugët, kanalizimet, ujësjellësit e fshatrave të zonës së bregut për të krijuar kushte sa më të përshtatshme për turistët dhe një jetë më të mirë për banorët e këtyre zonave”, u shpreh Kryeministri.

Kryeministri Berisha kërkoi nga Kryetari i Komunës z. Vladimir Kume, nga  këshilli i kësaj komune, por edhe nga komunat e tjera përreth, që të marrin pjesë në këto projekte, për të cilat 90 % të financimeve do të sigurohen nga qeveria dhe 10 % nga pushteti vendor.

“Këtë vit ne e kemi shtrirë rrezen e projekteve dhe në fshatra të tjerë. Po nisim asfaltimin e rrugës që të çon në Borsh dhe fshatra të tjerë që janë më në thellësi. Përmirësimi i infrastrukturës bën që ju të jetoni në kushte sa më të mira dhe në këtë mënyrë të pranoni sa më shumë turistë dhe të keni më shumë përfitime dhe të ardhura. Ne nuk mund të ndërtojmë shtëpi apo hotele për ju, por do t’ju ndërtojmë rrugët dhe infrastrukturë të standardeve më të mira”, u shpreh Kryeministri.

Kryeministri kërkoi që të hartohet projekti për rrugën e Shën Vasilit, si dhe për qendrën e Lukovës, projekte këto që do të kenë mbështetjen e qeverisë.
“Ne do të punojmë shumë si përgjatë bregut, ashtu dhe në zonën e Korçës, në mënyrë që të ecim zonë pas zone dhe asfaltojmë të gjitha rrugët e vendit”, u shpreh Kryeministri Berisha

Më tej, Kryeministri inspektoi rrugën që është në ndërtim duke kërkuar që punimet e saj të përfundojnë para afateve.

Në përgjigje të banorëve të zonës për çështjen e pronave, Kryeministri u shpreh se “në të gjitha fshatrat e Bregut has ankimime të tilla dhe shumë serioze. Por, duhet të jeni të sigurt që ligji 7501 nuk mund të abrogohet sepse nuk mund të bëhen dy ligje, një ligj për bregun dhe tjetër për në zonat e tjera, përshembull për Gjirokastrën apo për Korçën. Ju duhet të dini se çdo padrejtësie të  bërë duke keqpërdorur një ligj, i jepet përgjigje dhe zgjidhje me ligjin që sapo ka kaluar në Parlament. Të jeni të sigurtë se do të investohet dhe do të bëhet çdo përpjekje që ky proces të përfundojë në mënyrë sa më transparente dhe efiçente. Unë këtë shqetësim e ndjej në të gjitha fshatrat e Bregut, por nuk më ndodh ta dëgjoj në fshatra të tjera ku unë shkoj. Po përpiqem të hetoj dhe të merrem me këtë çështje, por ligjin nuk e ndryshojmë dot”.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›