Kryeministri Berisha inaguron fillimet e rikonstruksionit të rrugës për në Kalanë e Borshit
-Kryeministri u shpreh se qeveria është e vendosur të financojë me përparësi të gjitha projektet që duhen për ta shndërruar Borshin në një zonë më mikpritëse për turistët
Përurimi i fillimit të punimeve për rikonstruksionin e rrugës për në Kalanë e Borshit, ishte ndalesa e rradhës së Kryeministrit Berisha gjatë vizitës që po kryen sot në fshatrat e bregut. Ndërtimi i i këtij objektit parashikon përmirësimin e rrugës që kalon në një zone panoramike me pamje nga deti, me mur në gjatësi të rrugës me veshje me gurë, si dhe një parking automjetesh, me vlerë rreth 13.7 milionë lekë.
Gjatë kësaj ceremonie, Kryeministri Berisha u shpreh se qeveria është e vendosur të financojë me përparësi të gjitha projektet që duhen për ta shndërruar Borshin në një zonë më mikpritëse për turistët, si dhe për të shfrytëzuar të gjitha potencialet e mëdha turistike që ai ofron.
“Borshi është një nga vendbanimet më të lashta të bregut, por edhe të Shqipërisë. Eshtë një fshat me bukuri përrallore, me një plazh të mrekullueshëm dhe me një florë mahnitëse. Ka një prej kështjellave më të vjetra dhe më të bukura në vend. Sot, ne inauguruam fillimin e punimeve për rikonstruksionin e rrugës, e cila e bën më të arrishme këtë kështjellë si për banorët, ashtu edhe për turistët. Së shpejti, me financimin e qeverisë, duhet të fillojmë ndërtimin e shëtitores, e cila do të jetë me standarde bashkëkohore. Krahas rrugës në shëtitoren e Borshit do të ndërtohet edhe rruga Fterë - Borsh, në mënyrë që fteriotët të kenë dalje sa më të shpejtë në det. Rruga duhet planifikohet në buxhetin e shtetit e të fillojë sa më shpejtë. Qeveria është e vendosur t’i financojë me përparësi të madhe këto projekte, si dhe çdo projekt tjetër që do të keni, për të shftytëzuar të gjitha potencialet e mëdha turistike që ka Borshi e për ta bërë këtë vend më mikpritës për turistët”, u shpreh Kryeministri, ndërsa shtoi se bregut duhet t’i japim tiparet evropiane.
Në fund të kësaj ceremonie, kryeplaku i Borshit, falënderoi Kryeministri Berisha për financimet dhe investimet që qeveria po kryen në këtë zonë.