E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha inauguron rikonstruksionin e rrugës Drizë-Poroçan, në komunën Pishaj, të rrethit të Gramshit

Kryeministri Berisha mori pjesë sot në inaugurimin e rikonstruksionit të rrugës Drizë-Poroçan, në komunën Pishaj, të rrethit të Gramshit . Investimi ka një vlerë prej rreth  331 milion lekë  dhe është financuar nga  Berzh – Bei dhe Qeveria Shqiptare. Rruga ka një gjatësi prej  8.74 km, gjerësi 4 metra dhe prej saj përfitojnë mbi 11 mijë banorë.  Komunat e thella Pishaj dhe Poroçan në rrethit e Gramshit, të lëna në harresë prej kohësh, lidhen me rrugë të asfaltuar jo vetëm me njëra tjetrën, por edhe me qytetin e Gramshit. Ky investim i Fondit Shqiptar të Zhvillimit do të nxjerrë nga izolimi 11 mijë banorë, të cilëve prej shumë kohësh u ka munguar komunikimi dhe transporti normal për të plotësuar nevojat e tyre të përditshme.  Përpara këtij investimi rruga ka qenë pothuajse e pakalueshme. Autoveturat e kishin të pamundur te  kalonin, ndërkohë që mjeteve të larta u duhej të kalonin nëpër shtratin e përrenjve, kur këta të fundit nuk kishin shumë prurje. Rruga në pjesën më të madhe të saj ishte vetëm një zallishte pa taban dhe e shfrytëzueshme vetëm në kohë të thatë. Asnjë investim nuk ishte kryer prej dekadash për rikonstruksionin e plotë të kësaj rruge, duke vështirësuar jetën e banorëve të këtyre fshatrave.

Loti i parë i rrugës Drizë – Poroçan 8.8 km i gjatë, është financuar nga Qeveria Shqiptare, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Banka Europiane e Investimeve dhe Programi IPA i Bashkimi i Europian.

Rruga e re ka një gjerësi prej 5.5 m, përfshirë 4 m asfalt dhe bankina anësore në të dy krahët prej 0.75 m. Ajo është e pajisur me të gjithë elementët e nevojshëm të infrastrukturës përfshirë sinjalistikën vertikale dhe horizontale, kanalizimet e ujërave të bardha, vepra arti, mure mbajtës, tombino, të cilët po bëhen nga fillimi. Pjesë e rëndësishme  e këtij projekti ka qene edhe ndërtimi i dy urave të reja.

Me përfundimin e saj, banorët kanë më shumë akses në shërbimet arsimore, shëndetësore, duke lehtësuar gjithashtu transportin dhe shitjen e prodhimeve të fermës në tregun e qytetit.

Ndërtimi i rrugës së re çliron njëherë e mirë banorët e kësaj zone nga izolimi duke hapur mundësi të reja për zhvillimin social – ekonomik të zonës. Fermerët e kësaj zone janë të njohur për prodhimin e perimeve, frutave, qumështit dhe nënprodukteve te tij. Pas rikonstruksionit të rrugës edhe bukuritë natyrore të zonës do të jenë të prekshme për të gjithë vizitorët që duan ta frekuentojnë.

Pas inaugurimit të kësaj rruge, Kryeministri Berisha premtoi se në katër vitet që vijnë qeveria do të investojë nw Gramsh dhe kudo derisa të asfaltohet edhe kilometrat  i fundit i çdo rruge.

Gjatë fjalës së tij Kryeministri Berisha u shpreh:

“Të dashur banorë të Komunës Pishaj.

Zoti Ministër.

Zonja kandidate për deputet  e rrethit të Gramshit.

Të nderuar drejtues të pushtetit vendor.

Të dashur, punëtorë, teknikë, inxhinierë, që keni realizuar këtë vepër shumë të rëndësishme, për banorët e njërës prej komunave më të mëdha të qarkut të Elbasanit, banorë të Pishaj, banorë të Poroçanit dhe banorët e fshatrave të tjera. Kjo është një rrugë, e cila ju shërben  11 mijë banorëve, rrugë që do të bëjë të mundur që banorët e këtyre fshatrave, të nxjerrin prodhimet e tyre shumë më me lehtësi në tregun e Gramshit, në tregun e Elbasanit, por shumë shpejt brenda 2-3 javëve edhe në tregun e Tiranës, 20 minuta nga Elbasani.

Rruga, është një investim prej 331 milion lekë dhe bën të mundur realisht zhvillimin e të gjitha potencialeve të kësaj zone. Pak muaj më parë, unë kam kaluar në këtë rrugë të pashtruar kur u inaugurua hidrocentrali. Tani rruga bënë të mundur që të gjitha ujërat dhe burimet e shumta të zonës suaj të shndërrohen në hidrocentrale. Ne, në rrethin e Gramshit kemi investuar dhe do të investojmë derisa të asfaltohet edhe kilometri i fundit i rrugëve të këtij rrethi.

Ata, të cilët përpiqen t’ju mashtrojnë dhe tu thonë juve se Sali Berisha nuk ka bërë gjë tjetër veçse ka ndërtuar rrugë. Unë dua t’ju them se projekti i rrugëve  është projekti  sigurisht  më madhori, sepse kam gjykuar dhe gjykoj se qytetarët shqiptarë kudo që jetojnë duhet të jenë të barabartë. Unë ju them juve se derisa në çdo fshat tuajin të ketë rrugë, shkolla, ujësjellësa,  energji elektrike njëlloj si në lagjet e qytetit, unë do të vazhdoj me të gjitha energjitë e mia me zbatimin e këtij projekti.

Ju them këtyre zotërinjve se projekti nuk është vetëm rrugë, projekti është shkolla dhe ne, në rrethin e Gramshit kemi ndërtuar dhe rindërtuar 20 shkolla, ne në rrethin e Gramshit kemi shtrirë internetin në çdo shkollë në mënyrë që  fëmijët tanë në Gramsh të mos  e kenë kompjuterin dhe internetin një mollë të ndalur, por të lundrojnë me të, njëlloj si bashkëmoshatarët e tyre në Elbasan, në Tiranë dhe kudo gjetkë.  Ne kemi investuar shumë ujësjellësa dhe kemi bërë, që në një afat kohor të shkurtër mbi 95 përqind e popullatës të marrë ujë rubineti, natyrisht jo 24 orë, por në katër vitet që vijnë do të bëjmë gjithçka për të furnizuar 24 orë me ujë familjet tuaja. Do të bëjmë gjithçka për vendosjen e sistemeve të kanalizimit.

Vëllezër dhe motra

Këto vitet e fundit ne kemi financuar me grante,  42 mijë fermerë. Në rrethin e Gramshit, ne kemi financuar me grante rreth 400 fermerë, të cilët kanë mbjellë 500 hektarë dru frutorë, arrorë, ullinj e drurë të tjerë. Ne ju garantojmë  ju, se katër vitet që vijnë do të trefishojmë grantet për ju.

Unë isha në Kodovjatë, kryetari i Komunës më njoftoi se një fermer ka mbjellë 20 hektarë bajame. Unë ju ftoj juve të dashur miq, të mbillni sa më shumë dru frutorë. Potenciale i Shqipërisë për dru frutorë është qindra herë më i madh sesa ç’kemi ne sot.  

Le të vendosim ne që aty ku është një shkurre, po të jetë  e mundur të mbjellim një ulli, të mbjellim një lajthi, një arrë, një fik, një shegë, një mollë apo çdo gjë tjetër. Ju garantoj se kjo është rruga e rritjes së të ardhurave tona. Kjo është rruga e rritjes së mirëqenies sonë dhe nga ana tjetër katër vitet që vijnë do të jenë vitet e ndërtimit të sistemit vaditës më modern, që ka njohur ndonjëherë ndonjë vend në Rajon.

Ne zhvillimin e Shqipërisë Rurale e konsiderojmë jetike, vendimtare për një Shqipëri të zhvilluar ndaj dhe po bëjmë gjithçka që pasuritë tuaja të kthehen në vlera. Vetëm në këtë rreth, në Gramsh, po nisën ndërtimi i veprës më të madhe energjetike të Shqipërisë, investimit më të madh të huaj në historinë e Shqipërisë dhe ky investim bëhet nga gjiganti, nga kompani numër një e Europës dhe Botës për ndërtimin e hidrocentraleve, Shtatkrafi  i Norvegjisë .

Kjo kompani është një shans i madh jo për Gramshin, por një  emër i madh europian dhe botëror për mbarë Shqipërinë, ndërtimi i kaskadës së Devollit do të urbanizojë të gjithë luginën e lumit deri në Moglicë dhe nga Moglica në Maliq.  Ndërkohë ne kemi projektet gati dhe do të bëjmë gjithçka për të ndërtuar rrugë të tjera të komunave, për të shfrytëzuar të gjithë potencialin turistik, për t’ju lidhur ju me Skraparin dhe për të patur dalje nga ky rreth nga të gjitha anët.

Të dashur banorë dhe banore të Pishajt.

Ne jemi në një fushatë elektorale dhe në këtë fushatë, ne kemi bërë gjithçka të hartojmë një program, i cili të përputhet në maksimum me interesat tuaja. Në përputhje me programin tonë të ri, ne vendosëm për fermerin shqiptarë ti rimbursojmë më para në dorë, përveç granteve ti rimbursojmë me para në dorë të gjithë akcizën e naftës, ti rimbursojmë tvsh për plehrat kimike, për traktorë dhe për çdo gjë tjetër, që ai përdor për rritjen e prodhimit.

Rritja e prodhimit në bujqësi, në blegtori, në pemëtari, në bletari, në peshkim në çdo degë të këtij sektori. Në këto vite në përputhje me premtimin tonë solemn ne mbi dyfishuam pensionet në fshatrat e vendit.

Ju jap fjalën se sa kohë q ë ju të votoni Partinë Demokratike, të votoni numrin  44 me 23 qershor, rritja e pensioneve do të vazhdojë ma ndërprerë. Kjo është rruga jonë. Ne bëjmë gjithçka për  infrastrukturë moderne, në mënyrë që ju  të lulëzoni ,të prodhoni më shumë, të fitoni më shumë nga fermat tuaja. Në mënyrë që bizneset të kenë lehtësirat e tyre. Në mënyrë që firmat të mund të ndërtojnë në Gramsh me dhjetar hidrocentrale, në mënyrë që ju të kurseni sa më shumë kohë. Ne bëjmë gjithçka për shkollimin e fëmijëve tuaja dhe treguesit janë gjithnjë në rritje. Ne do të bëjmë gjithçka të ecim të sigurtë drejt Bashkimit Europian, por një gjë ju kërkoj, të mos harroni se integrimi është edhe e ardhmja  absolute më e ndritur që ne mund të firmosim për veten tonë, është rruga më e sigurtë, e shpejtimit më të madh të zhvillimit të vendit, rruga më e sigurtë për krijimin e dhjetëra mijërave vendeve të reja pune në Gramsh dhe kudo. Rruga më e sigurtë për shpejtimin e të gjitha projekteve të infrastrukturës, rruga më e sigurtë për të rritur besimin ndaj nesh, ndaj vendit tonë në Europë dhe në mbarë botën.

Historia e integrimit fakton se, në rast se ne firmosëm në vitin 2006 marrëveshjen e stabilizim –asociimit, zoti Rama futi bilbilat, boritë dhe trumbetat në parlament dhe tani po ikën me dajre. Kur ne anëtarësuam Shqipërinë në NATO, ai  organizoi në Tiranë mitingun e protestë dhe dje ju thoshte qytetarëve në Paskuqan, - e çfarë pastaj se u anëtarësuat në NATO, mbetët në NATO, NATO natë mbetet.

Ne nuk mbetëm në NATO, ne kemi vështirësi sigurisht dhe ne nuk e kemi bulevard me lule rrugën tonë, por sot të sigurtë sa kurrë në historinë tonë kombëtare, jemi sot më të respektuar se kurrë, ne ekzistencën tonë si komb. Jemi sot më të sigurtë se kurë në zhvillimin tonë. Nga 2009 deri më sot se u anëtarësuam në NATO se bëmë reformat , kompani nga e gjithë bota shumëfishuan besimin, kjo solli Shtatkrafin.

Ne në katër vite kemi marrë 4.2 miliard dollarë investime, me të cilat janë krijuar dhjetar mijëra vende pune. Sëbashku ne punën tuaj, reformat që bëmë merituam lëvizjen e lirë në mbarë Europën. Zotëria  ngriti çadrat për të penguar lëvizjen e lirë, sëbashku bëmë reformat për të merituar statusin, zotëria bllokoi për 245 ditë ligjet dhe statusin. Por ne do ecim përpara do të ecim drejt integrimit në Bashkimin Europian.

Ju garantoj se gjatë mandatit të ri, do të marrim statusin, do të hapim negociatat për vend anëtar dhe do të bëjmë gjithçka për të merituar liberalizmin e vizave me vendin e madh të lirisë SHBA.

Edhe njëherë përpara drejt Gramshit të zhvilluar, drejt Shqipërisë së zhvilluar.

Përpara drejt Gramshit Europian, drejt Shqipërisë Europiane.

Me 23 qershor votoni Partinë Demokratike, partinë e integrimeve , partinë e infrastrukturës, partinë e punësimit, partinë e rritjes  së rrogave dhe pensioneve.

Rrofshi ju.

Rroftë Gramshi.

Rroftë Shqipëria.

Përpara, Përpara, Përpara!”


26/05/2013

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›