E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha inauguron fillimin e punimeve për rrugën hyrëse të qytetit të Beratit

Në vijim të vizitës në rrethin e Beratit Kryeministri Berisha inauguroi fillimin e punimeve për ndërtimin e rrugës hyrëse të këtij qyteti, investim i buxhetit të shtetit me vlerë 600 milionë lekë. 

Kryeministri Berisha tha se ky është një tjetër premtim i mbajtur i qeverisë për qytetin e Beratit. “Më parë ne i premtuam një hyrje moderne këtij qyteti që u bë një pasuri botërore për vlerat e mëdha që mbart. Unë do të quaja këtë një premtim të përmbushur të qeverisë time për këtë qytet të mrekullueshëm. Berati tani do të ketë një hyrje evropiane dhe do të presë vizitorë e turistë dhe këdo që vjen në këtë qytet do të hyjë në të nëpërmjet një hyrje të re të gjerë të mirë-sistemuar të cilën Berati e meriton plotësisht”, u shpreh Kryeministri Berisha. 

Më tej Kryeministri theksoi se ky investim i qeverisë me vlerë 600 milionë lekë, po ndërtohet nga një kompani, e cila është shumë e lidhur me këtë qytet. Ajo, tha Kryeministri, po punon me cilësi dhe do të inaugurojmë edhe urën e Gorricës, të cilën e ka përfunduar para afatit. “Me këtë i ka bërë një dhuratë të mrekullueshme qytetit të Beratit, por edhe një urë që ka një simbol të madh si vepra e parë e korridorit të Jugut”, nënvizoi Kryeministri.

Më tej Kryeministri vlerësoi se sot në Shqipëri qarkullojnë dy ndryshime: njëri është ndryshimi me rrugë, ujësjellës, ura dhe shkolla të reja ndërsa tjetri është thjesht ndryshim me shpifje trillime dhe mashtrime. “Aq sa mund t`i rezistojë bryma diellit aq mund t`i rezistojë ndryshimit të vërtetë, ‘ndryshimi i mashtrimit’ dhe këtë e zgjodhi vetë, pra e bëri vetë zgjedhjen fatale. Do të ketë fatin e brymës para rrezeve të diellit”, theksoi Kryeministri. 


14/02/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›