E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha inauguron përfundimin e rrugës së re Ballsh-Aranitas me vlerë 134 milion lekë

Kryeministri Berisha mori pjesë sot pasdite në inaugurimin  e rrugës Ballsh-Aranitas, e cila lidh Qytetin e Ballshit me Qendrën e Komunës Aranitas.  Rruga, e ndërtuar sipas të gjitha parametrave moderne e bashkëkohore ka një  gjatësi prej rreth  7 km, gjerësi 6 metra dhe vlerë investimi 134 milion lekë.

Nga kjo rrugë përfitojnë 6 mijë banorë të fshatrave te komunës Aranitas  (Aranitas, Kalenje, Panahor ), por edhe fshatrave të komunës Selishte.

Në takimin me banorë të fshatit Aranitas, kryeministri Berisha,  pasi uroi për rrugën e re u shpreh se ajo është një segment i përpjekjeve të mëdha të qeverisë për të urbanizuar fshatrat dhe komunat e vendit dhe për të garantuar për ta një zhvillim të qëndrueshëm.

Kryeministri garantoi kryetarin e ri të komunës, se qeveria do të financojë çdo projekt që do të miratohet së bashku me këshillin e komunës, për të ndryshuar jetën  e banorëve të komunës, si dhe bëri thirrje që në këtë partneritet të shkëlqyer që do të vendosë qeveria qendrore me atë vendore, të bëhen promotorë kryesorë të projekteve të mëdha kombëtare, që do të shndërrojnë Mallakastrën dhe Shqipërinë në kopshtin më të bukur të Evropës, me ullinj dhe arrorë.

-          Gjatë këtyre 5 viteve në rrethin e Mallakstrës jane ndërtuar e po vazhdojnë të ndërtohen 95 km rrugë, nga të cilat 39 km rrugë rurale, 33 km rrugë nacionale dhe 23 km autostrade.

-          Janë ndërtuar 10 shkolla, 10 ujësjellesa e KUZ dhe 8 Qendra shëndetsore e ambulanca.

-          Janë subvencionuar 600 fermerë  dhe janë mbjellë 400 ha me ullinj, dru frutor sera e vreshtari, 180 ha jane vetem per vitin 2011.

-          Janë investuar gjithashtu 30 milion euro në përpunimin e naftës.

Në përshëndetjen  e tij, kryeministri Berisha u shpreh:

“Së pari, ju përshëndes përzemërsisht dhe shpreh kënaqësinë që inaugurojmë sot së bashku këtë  rrugë që lidh komunën tuaj me qytetin e Ballshit, rrugë e cila ka parametrat më të mira dhe më të merituara për ju. Kjo rrugë është një investim prej 134 milion leke, dhe ka një gjerësi 6 metra, gjatësia e saj është rreth 7 km dhe u shërben fshatrave të komunës suaj, pra rreth 6 mijë banorëve. Kjo është një segment i përpjekjeve tona të mëdha për të urbanizuar fshatrat dhe komunat e vendit, për të garantuar në fshatrat dhe komunat e vendit një zhvillim të qëndrueshëm.

Ne jemi të angazhuar se së bashku me ju do  të ndërtojmë një infrastrukturë moderne në cdo komunë, në çdo fshat të vendit. Do të bëjmë që rrugët, shkollat, ujësjellësat, kopshtet, shërbimet të jenë të njëjta me ato të lagjeve të qyteteve

Shqipëria ecën me shpejtësi drejt niveleve të vendeve të zhvilluara, por Shqipëria do të jetë një vend i zhvilluar vetëm atëherë kur çdo fshat i saj, çdo komunë e saj të jetë dhe të ketë infrastrukturën e fshatrave dhe komunave evropiane. Në këto vite ne kemi investuar dhe do të vazhdojmë të investojmë miliarda e miliarda dollarë,në rrugë, ujësjellesa shkolla, kanalizime në në komunat e mbarë e vendit, por ndërkohë ne je mi të sigurtë se rrugët që ndërtohen sjellin në vetvete pas tyre zhvillimin, sjellin pas zhvillimin e këtyre zonave, sjellin rritjen e vlerës së tokës kudo që ato kalojnë, shkurtojnë dhe kursejnë kohën që është më e çmuara për çdo qytetar të këtij vendi, ndihmojnë tregun dhe lehtësojnë nxjerrjen e prodhimeve në treg , por rrugët e mira janë dhe dinjitet janë të domosdoshme që qytetarët e këtij vendi të udhëtojnë në rrugë njësoj si qytetarët e tjerë të vendeve evropiane.

Vëllezër dhe motra,

Në një hark kohor të shkurtër kjo është rruga e dytë që ne inaugurojmë në zonën e Mallakastrës. Inauguruam dy javë më parë rrugën Fier-Cakran. Sot inauguruam rrugën Ballsh-Aranitas. Unë jam këtu për tu zotuar se ne do të ndërtojmë rrugë dhe infrastrukturën moderne në çdo komunë dhe qark të këtij rrethi, të qarkut të Fierit dhe të mbarë Shqipërisë. Sikundër sërish thirrja ime vëllazërore për ju, për të gjithë mallakastriotët, është le të vendosim ne së bashku  të shumëfishojmë rrënjët  e ullinjve pasi Mallakastra, kodrat dhe shpatet e kodrave të saj janë ndofta tokat më të shkëlqyera për ullishte. Në rrethin tuaj, kapaciteti për rrënjë ulliri është të paktën 5 herë më i madh se nga ato që ekzistojnë sot. Ndaj, unë ju bëj thirrje që me ambicie të madhe, me dashuri të madhe të mbillni ullinj. Ju garantoj se qeveria do të financojë për çdo fidan që do të mbillni dhe ju garantoj se sapo të përfundojë projekti i rrugëve, projekt për të cilin ne kemi investuar miliarda euro dhe në 4-5 vite kemi asfaltuar në mbarë vendin mbi 8 mijë kilometra rrugë dhe mijëra të tjera janë në asfaltim, pra sapo të përfundojë ky projekt, projekti i dytë i madh do të jetë ai i vaditjes. Ne do të bëjmë gjithçka që ju të vaditni çdo pëllëmbë tokë, çdo rrënjë dru frutor.

Vëllezër dhe motra,

Në një hark kohor të shkurtër, këto 20 vite, ne kemi një Shqipëri krejt tjetër, Shqipëri  e cila e nisi këtë rrugë me triska dhe tallona, kurse sot ka një prodhim bujqësor që vetëm vitin e kaluar ka dyfishuar eksportet e tij, një Shqipëri  e cila nga vendi i tretë apo i katërt më i varfër i planetit 20 vjet më parë, sot  ka rreth 7500 $ të ardhura për frymë dhe renditet në grupin e vendeve me të ardhura të mesme të larta, një Shqipëri e cila është sot anëtare e NATO-s, një Shqipëri e cila ka një ekonomi, dinamike, entuziaste, që kryeson për tre vite me radhë të kësaj krize evropiane dhe botërore, rritjen ekonomike  në Evropë.

Pra mbi të gjitha ky është një vend me shpresë të madhe sepse ky është një vend me potenciale të jashtëzakonshme, nuk është një vend i madh, por është një vend i bekuar me një potencial të pamat turistik, është vend me burime të mëdha natyrore, është një vend me një tokë të cilësisë më të lartë, është vend me njerëz të mrekullueshëm, të cilët nuk përtojnë të derdhin lumenj djerse për të përmirësuar jetën e tyre dhe të fëmijëve të tyre, ndaj dhe le të vazhdojmë për të bërë sa më parë realitet ëndërren më të bukur të secilit prej nesh, ëndrrën më të bukur të fëmijëve tanë, “Shqipëria vend i zhvilluar”, Shqipëria vend i begatë.

Zoti kryetar i komunës, duke iu uruar detyrën ju garantoj se këto 4 vite qeveria do të financojë çdo projekt që ju me këshillin e komunës do të miratoni për të ndryshuar jetën  e banorëve të kësaj komune, sikundër ju bëj thirrje që në këtë partneritet të shkëlqyer që do të vendosë qeveria qendrore me atë vendore të bëheni promotor kryesor të projekteve të mëdha kombëtare, me të cilin ne do të shndërrojmë Mallakastrën dhe Shqipërinë në kopshtin më të bukur të Evropës, me ullinj dhe arrorë, prandaj dhe këto 4 vite në çdo financim që do të bëjë, në çdo projekt ne duhet të parashikojmë dhe mbjelljen e drurëve frutorë, si një nga mekanizmat më të sigurte për tu ndarë njëherë e përgjithmonë nga varfëria e pamerituar që keni përjetuar, si rruga më e sigurte për të konkurruar në tregun e madh evropian, kudo, si rruga më e sigurtë për të patur Shqipërinë një vend të zhvilluar, në të katër anët e saj.

Edhe njëherë ju faleminderit dhe gëzuar rrugën e re.


01/07/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›