E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha inauguron rikonstruksionin e rrugës dhe qendrën kulturore në Drenovë

Kryeministri Berisha inauguroi përfundimin e punimeve për rikonstruksionin dhe ndriçimin e rrugës së Drenovës.  

Kryeministri vlerësoi se Drenova është një komunë e cila ka si tipar të saj virtytin e punës, por që trashëgon edhe vlera të mëdha kulturore.  

“Ky është një investim tjetër, i cili ka rikonstruktuar dhe ka bërë me trotuare dhe ndriçim rrugën e komunës Drenovë. Kjo është një komunë me traditë të fuqishme pune, por dhe kulture. Drenovarët janë bërë të njohur në mbarë Shqipërinë për virtytin e punës, për shpirtin dhe këngën e tyre, për vlerat kulturore”, u shpreh Kryeministri. 

Kryetari i komunës, vijoi më tej Kryeministri, është një nga qeveritarët vendorë më të aftë dhe të zotë që ne kemi, i cili bën çdo përpjekje për përmirësimin e jetës së komunitetit.
Kryeministri u zotua se qeveria do të ndërtojë rrugë dhe do të bëjë investime të tjera në këtë zonë. “Unë jam i ndërgjegjshëm se ju keni nevojë edhe për më shumë. Unë  e them gjithnjë, por ju e dini atë më mirë se ky vend është vendi i 1001 e halleve, por edhe vendi i 1001 mundësive dhe ne ecim drejt kësaj”, tha Kryeministri. 

Më tej Kryeministri Berisha inauguroi qendrën kulturore të Drenovës dhe vlerësoi se investime të tjera në arsim, ujësjellës dhe infrastrukturë janë në projekt për këtë komunë.“Kjo është qendra kulturore që i mungonte Drenovës. Është bërë një investim shumë i mirë. Ne po investojmë në këtë komunë më shumë se në çdo komunë tjetër në të gjitha aspektet. Po investojmë në shkolla , shkolla e Drenovës ka fituar grandin dhe do të rikonstruktohet e tëra. Po ndërtojmë edhe rrugë të tjera. Gjithashtu do të financojmë ujësjellësin e Mborjes, i cili furnizon banorët me 24 orë ujë. Bashkia të sjellë projektin dhe qeveria do ta financojë atë”, nënvizoi Kryeministri duke shtuar se deri tani në rrethin e Korçës janë 30 ujësjellës dhe 21 projekte në kanalizime.

Ne , tha Kryeministri, sërish do të investojmë sepse edhe tani në qershor ne i dërgojmë qeverisë vendore një shumë të madhe nga buxheti suplementar që nxjerrim.

Në vijim të traditës drenovare, Kryeministri ngriti një dolli së bashku me banorët e zonës duke i uruar ata për qendrën e re kulturore.   
Drenova, u shpreh Kryeministri, ka edhe një traditë shumë të mirë që është pothuajse ekskluzivitet i Korçës; rakia e manit, një nga pijet e forta, më të shkëlqyera që ekziston, e cila konkurron me çdo lloj pije të fortë tjetër, me konjakun më të fortë, uiskin më të vjetër dhe vodkën e cilësisë së lartë. “Gëzuar këtë qendër kulturore që e meritoni plotësisht dhe unë ju siguroj se qeveria do t`ju mbështesë në pajisjen e saj me të gjitha mjetet e nevojshme”, tha Kryeministri Berisha.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›