Kryeministri Berisha viziton tumën e Kamenicës
Kryeministri Berisha bëri një vizitë sot në tumën e Kamenicës në rrethin e Korçës, e cila është një nga monumentet më përfaqësuese të pre-historisë shqiptare dhe të rajonit në këtë fushë. Ajo ka një histori 7 shekullore dhe përmban struktura unike me karakter funeral. Kjo është tuma më e gjerë në rajon dhe përbën një monument unik në trevat shqiptare.
Kryeministri Berisha duke evidentuar vlerat arkeologjike të këtij monumenti, i kërkoi kryetarit të komunës që të përgatisë projektin për shtrimin e rrugës nga aksi nacional deri tek vendndodhja e tumës, me qëllim që ky monument i arkeologjisë të bëhet i vizitueshëm nga turistët. Kryeministri garantoi se qeveria do t`i përgjigjet me fonde për shtrimin e kësaj rruge sipas standardeve më të mira.