E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha inauguron rrugën Bubq-Ishëm me gjatësi 13,4 km dhe vlerë investimi 342 milion lekë

-          Kryeministri Berisha: Ne e ndërtojmë alternativën tonë mbi bazën e interesave më të mira të qytetarëve shqiptarë.

-          Kryeministri Berisha: Ftoj qeveritarët vendorë në Shqipëri, që këtë periudhë ta shndërrojmë në periudhën e projekteve më të mëdha që ne kemi hartuar për qytetarët shqiptarë. Ta shndërrojmë në periudhën e projekteve që do të transformojnë Ishmin, Bubqin, Tiranën dhe mbarë Shqipërinë, në Ishëm , Bubq dhe Tiranë të zhvilluar. Ky katër vjeçar është vendimtar, në projektin tonë të madh të Shqipërisë së zhvilluar.

Kryeministri Berisha inauguroi sot, rrugën Bubq-Ishëm, me gjatësi 13.4 km dhe vlerë  342 milion lekë.

Kjo rrugë e ndërtuar sipas të gjitha parametrave moderne dhe bashkëkohore lidh komunat Bubq dhe Ishëm  dhe u shërben  7 mijë banorë të zonës. Fshatrat të cilat përfitojnë direkt nga ky investim janë Bubq, Mazhë e Madhe, Mazhë e Vogël, Mallkuc, Gjuricaj, Kapedane dhe Ishëm.

Gjatë takimit me banorë të Ishmit, kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë që ndante me ta, gëzimin  e inaugurimit të  një prej rrugëve më të bukura dhe më panoramike të vendit.

Kryeministri tha se kjo rrugë e cila lidh fshatra të një zone të fuqishme bujqësore e frutikulture, do të përmirësojë dhe lehtësojë ndjeshëm punën e përditshme të fermerëve të zonës.

Duke e cilësuar këtë vend, si frymëzues për piktorë të mëdhenj e vizitorë të rëndësishëm të kohërave, kryeministri u shpreh se vetëm sot, Kodrat e Ishmit marrin infrastrukturën evropiane që meritojnë.

Kryeministri bëri të ditur  se shumë shpejt do të përfundojë rruga e Shën-Pjetër- Drac -Shetaj- Kisha e Skënderbeut me një gjatësi rreth 12 km, i cili do të jetë një investim tjetër madhor për komunat e kësaj zone. Në këtë kontekst, kryeministri evidentoi se vetëm në këtë komunë, gjatë këtij mandati, janë përfunduar 2 herë më shumë rrugë se sa çka ndërtuar kryetari i bashkisë së Tiranës për kryeqytetin e vendit.

Kryeministri garantoi se në mandatin që vjen do të realizohet projekti i ndriçimit të  të gjithë trajektores së inauguruar, në mënyrë që  bukuritë impresionuese të zonës të shijohen nga të gjithë shqiptarët.“Ju garantoj se në mandatin që vjen kryetarët e të gjitha komunave të gjithë trajektoren e saj do ta ndriçojnë tërësisht. Drita në kodër, në mënyrë që mos ta shijoni vetëm ju, port a shijojnë nga larg të gjithë shqiptarët bukurinë impresionuese të zonës suaj.” u shpreh kryeministri

Kryeministri tha ndër të tjera se me projekte të shumta, të hartuara për interesin më të mirë të banorëve të këtyre zonave, qeveria do të bëjë gjithçka për ta bërë sa më të suksesshme  punën e tyre.

Kryeministri garantoi se qeveria se do të qëndrojë prapa çdo premtimi,se do të financojë çdo projekt, do të bëjë gjithçka, që qytetarët shqiptarë të ndihen krenarë në vendin ku jetojnë. “Do të bëjmë gjithçka që ju të shfrytëzoni gjithnjë e më shumë, në interesin tuaj  të familjeve tuaja, të komunitetit tuaj, potencialet e jashtëzakonshme turistike, bujqësore, të gjithanshme të zonës suaj.” përfundoi kryeministri.

Në fjalën drejtuar banorëve të Ishmit, kryeministri Berisha u shpreh:

“Së pari ju falënderoj për këtë pritje vëllazërore, por ndihem gjithashtu shumë i privilegjuar se ndaj me ju gëzimin  e inaugurimit të një prej rrugëve më panoramike të vendit, më të bukurën, të cilën ju banorët  e Bubqit dhe të Ishmit e meritoni plotësisht.

Kjo rrugë  e parametrave më të mira ka një gjatësi  prej 13.4 km dhe lidh fshatra të një zone të fuqishme prodhimi bujqësor, frutikulture, prej 7000 banorësh të Bubqit, Mazh e madhe, Mazh e vogël, Mallkuç, Kapedanë e Ishëm .

Kjo rrugë kalon në një trajektore, të cilën natyra, zoti e ka bërë ndër më të bukurat që mund të ekzistojë. Kodrat e Ishmit kanë frymëzuar në histori piktorët më të mëdhenj të planetit, si Eduard Lir dhe të tjerë, kanë tërhequr vizitorë ndër më të rëndëssishwm të kohërave, por sot kodrat e Ishmit dhe zona juaj merr infrastrukturën evropiane që meriton.

Unë kam kënaqësinë sepse së shpejti ne inaugurojmë një rrugë tjetër të kësaj komune, rrugën Shën-Pjretër- Drac -Shetaj- Kisha e Skënderbeut rreth 12 km, pra vetëm në këtë komunë ne përfundojmë  gjatë këtij mandate 2 herë më shumë rrugë se sa cka ndërtuar kryetari i bashkisë së Tiranës në kryeqytetin  e vendit. Dhe unë ju garantoj se kjo ka ndodhur jo se ne i kemi dhënë më shumë Ishmit, apo Zhardës, Strumës ku isha më parë. Jo bashkisë së Tiranës ne ia kemi trefishuar grantin  e investimeve, por kryetari i bashkisë së Tiranës, nën moton “më shumë më duhet politika dhe jo qytetari”, këto para që ne ia dhamë për rrugë, kryeqytetit të Tiranës, ia dhamë për rrugica, për kanalizime, kryetari i bashkisë iI shndërroi në rroga për 99-shat e tij, i shndërroi për të mobilizuat njerëz , të cilët asgjë nuk kanë bërë dhe bëjnë për interes të Tiranës.

Të dashur qytetarë dhe qytetare të Ishmit,

Ne po ecim  drejt një fushate elektorale. Kjo fushatë e vërteta është se më shumë se çdo fushatë tjetër, fushatat vendore janë tërësisht të lidhura me interesat tuaja, të familjeve tuaja, të lidhura me projektet që ne duhet të bëjmë për rrugët, rrugicat , shkollat, qendrat shëndetësore, mjediset turistike, financimet për fermat tuaja, vaditjen pra kemi të bëjmë me një tërësi të madhe projektesh me të cilat ne synojmë të ndryshojmë jetën tuaj.

Ne synojmë që aty ku ju jetoni të ndjeheni si një komunitet i përfillur, jo i harruar te ndiheni dinjitoz, si një komunitet ku ju jetoni në kushte normale, në kushte evropiane.

Unë ju garantoj ju se ju mund të shëtisni kudo, sot, në Evropë, por në terren te tillë rrugë më të mirë nuk mund të gjeni. Ky është standardi. Sikundër kemi bërë dhe do të bëjmë çdo gjë të asfaltojmë çdo rrugë të fshatrave tuaja, të asfaltojmë çdo rrugicë, njëlloj si lagjet e qyteteve. Natyrisht këtë e bëjmë dhe në qytete dhe do të bëjmë gjithçka që fëmijët tuaj të shkollohen njëlloj si në qytet, që fëmijët shqiptarë të shkollohen sa më mirë. Kujdesi shëndetësor për ju të jetë i cilësisë më të mirë.

Ne kemi bërë çdo gjë dhe mund të jemi qeveria e vetme në Evropë që kemi dyfishuar pensionet e fermerëve në të gjithë vendin në 4 vjet dhe kur ne premtuam këtë, pak kush e besoi, por ne e shndërruam në realitet. Ne bëmë gjithçka që rrogat e mësuesve, të fëmijëve tanë, në 4 vjet të dyfishohen, rrogat  e infermierëve po ashtu.

Ne ndërtojmë gjithë alternativën tonë, mbi bazën e interesave tuaja më të mira, mbi bazën e problematikave tuaja më të mëdha, mbi bazën  e vlerave. Kjo alternativë gjykoj unë është jetike, për ju dhe vendin në tërësi, sepse ne kemi trashëguar një prapambetje shekullore. Dje, në një kafene me disa miq të mi në Durrës, ju thashë se Ishmin  e ka vizituar Maksimiliani i Parë dhe ka shkruar kujtimet e tij një perandor, i cili më vonë përfundoi perandor i Meksikës. Ishmi është shkruar në të gjitha librat. Por Ishmi nuk kishte infrastrukturë dhe nuk kishte infrastrukturë as përpara disa vitesh, Bubqi po ashtu. Ju e dini unë kam ardhur disa herë në Ishëm dhe njoh shumë mirë problematikën tuaj, ndaj dhe ne jemi të vendosur që këtë fushatë ta përqendrojmë tërësisht në projekte për ju. Kjo do të jetë fushata për qytetarin, e qytetarit.

Sigurisht, kur nuk vë të parat interesat e qytetarëve, atëherë del e bërtet dhe thua se do të bëj fushatë politike, por dil dhe bëj sa të duash fushatë politike. Ky është një vend i lirë. Ne e kemi bërë zgjidhjen tonë, do të bëjmë fushatë për ju. Nga ana tjetër, sigurisht që bën fushatë politike se përmes sharjeve, nuk ke çfarë tu thuash qytetarëve të Tiranës se çfare ke bërë për ta. Urdhëro zotëri, ulu dhe bisedo me kryetarët e komunave të Bubqit dhe të Ishmit dhe tu dëshmojnë qytetarëve të Tiranës se këta dy zotërinj kanë asfaltuar rrugë në komunat e tyre, dy herë më shumë rrugë se sa ju, zoti Rama në kryeqytetin  e vendit. Jo se Tirana nuk ka rrugë dhe rrugica, sigurisht nuk mund të përballojë debatin ndaj dhe i dërgon mesazhe kundërshtarit të tij politik të heqim dorë nga debati. Jo zotëri, ne nuk heqim dorë nga debati se po ta bëjmë këtë tregojmë që kemi frikë nga ju. Jo, ne nuk kemi frikë nga askush, se ne vijmë para jush duke arsyetuar për ato që kemi bërë dhe ato që do të bëjmë, ndërsa zotëria i tij, i cili këto dy vitet e fundit ka bërë vetëm kutinë, natyrisht nuk ka se ç’tu thotë qytetarëve të Tiranës, ndaj dhe ka vendosur të zhvillojnë  një fushatë tipike të vjetër, të bazuar në sharje, trillime, shpifje. Etërit do tua kishin lakmi bijve të tyre. Por le ti lëmë ata, në fjalorin e përçmuar të terminologjisë së vjetër.

 Ne do të ndërtojmë rrugë, do të ndërtojmë shkolla, do të ndërtojmë qendra shëndetësore, do të ndërtojmë infrastrukturë moderne. Unë erdha rrugës. Ju garantoj se në mandatin që vjen kryetarët e të gjitha komunave të gjithw trajektoren e saj do ta ndriçojnë tërësisht. Drita në kodër, në mënyrë që mos ta shijoni vetëm ju, por ta shijojnë nga larg, të gjithë shqiptarët bukurinë impresionuese të zonës suaj. Ne po ecim drejt kishës së Skënderbeut, në kepin  e Rodonit dhe ju jeni dëshmitarë se çfarë zhvillimi të jashtëzakonshëm ka njohur turizmi në zonën tuaj, pas ndërtimit të rrugës, Maminas-Gjiri i Lalzit. Turizmi ka fuqizuar në mënyrën më të ndjeshme tregun, shitjen e prodhimeve tuaja, ndërkohë garantoj fermerët e këtyre komunave se qeveria do të financojë çdo rrënjë ulliri, se qeveria do të financojë të gjithë drurët arrorë që ju do të mbillni, se qeveria do të financojë serat  e diellit, do të nxisë shtimin e prodhimeve tuaja. Ju garantoj ju, se ndihma më e madhe për fermerin shqiptar, ndihma më e jashtëzakonshme, ka qenë dhe mbetet dyfishimi i numrit të popullatës në këtë vend, vitin  e kaluar, nga 3,5 milion, në 7 milion qytetarë, në Shqipëri. U be dyfishimi i tregut, dyfishimi i shitjeve të prodhimeve.Kështu, vetëm vitin e kaluar u dyfishua eksporti i zarzavateve.

Unë shoh tek ju, në fytyrat tuaja fisnike, rrudhat  e mundimit, të lodhjes suaj të përditshme . Unë jam i vetëdijshëm se si ju siguroni jetën për familjet dhe fëmijët tuaj. Unë ju garantoj ju, se qeveria punën tuaj nuk e zëvendëson, por do ta bëjë gjithçka tjetër që ta bëjë atë sa më të suksesshme .

Edhe njëherë ju përshëndes dhe ju ftoj që zgjedhjet e 8 majit, zotëria  e tij kërkon ti  shndërrojë në demonstratë, ndërsa ne, do ta shndërrojmë në festën e vlerave, në festën e demokracisë, në festën e  respektit ndaj njëri-tjetrit, në festën  e qytetarisë sonë, në festën e respektit të palëkundur për vullnetin e njeri-tejreit, për bindjet e ndryshme që kemi.

Ne do të shndërrojmë 8 majin, në ditën e dinjitetit tonë të madhe njerëzor, ku para vetes dhe mbarë borës do të faktojmë se jemi qytetarë evropiane dhe do të votojmë me parametrat më të mira. Kjo është vendosmëria jonë, ky është vullneti ynë dhe do ta realizojmë.

Kryetari i PS akuzon në mënyrë të paskrupullt komisionerwt e tij. Sigurisht që po të lëshosh një lumë akuzash pa patur asnjë fakt për ta, pa gjetur asnjë dokument, edhe ata pastaj nuk duan të jenë komisionerë dhe  e verteta është që nga PS janë ta panumërt ata që refuzuan të bëhen komisionerë për zotin Rama.

Unë ftoj socialistët, të mos ndikohen nga akuzat  e tij , sepse punën  e tyre e ka vlerësuar dhe  e vlerëson kombi, në komisione, e kanë vlerësuar dhe  e vlerësojnë  vëzhguesit ndërkombëtarë. Çdo gjë që mund të bëjnë, gjithçka në këtë botë, dyshimin, nga mendja  e tij nuk mund ta heqin. Prandaj le ta lënë atë si Mister Dyshimi dhe të shkojnë e të votojnë si qytetarë të lirë.

Zotërinj qeveritar vendor, kërkoj që këtë periudhë ju dhe të gjithë qeveritarët vendor në Shqipëri ta shndërrojmë në periudhën e projekteve më të mëdha që ne kemi hartuar për qytetarët shqiptarë. Ta shndërrojmë në periudhën e projekteve që do të transformojnë Ishmin , Bubqin, Tiranën dhe mbarë Shqipërinë, në Ishëm, Bubq dhe Tiranë të zhvilluar. Ky katër vjeçar eshtë vendimtar, në projektin tonë të madh të Shqipërisë së zhvilluar.

Edhe njëherë, ju përshëndes vëllazërish dhe ju garantoj se do të qëndroj prapa çdo premtimi , se do të financojmë çdo projekt , se do të bëjmë gjithçka që të ndiheni gjithnjë  e më krenar në vendin ku jetoni. Të shfrytëzoni gjithnjë e më shumë, në interesin tuaj , të familjeve tuaja, të komunitetit tuaj, potencialet e jashtëzakonshme turistike, bujqësore, të gjithanshme të zonës suaj.

Faleminderit”

*  * *


19/03/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›